1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mashtrimet, dopingu, shkeljet e etikës sportive dhe rregullave të fair play në rend të ditës gjatë Tour de France

26 Korrik 2007

Skandalet e dopingut gjatë garës çiklistike Tour de Francë dhe tekat e motit në jug dhe në veri të Evropës janë në qendër të shtypit të sotëm gjerman

Kazaku Alexander Winokourow i ekipit AstanaFotografi: picture-alliance/dpa

«Frankfurter Allgemeine Zeitung» shkruan:

Miliona spektatorë e ndjekin Tour de France edhe pse prej vitesh e ndjejnë që ky është një spektakël i dyshimtë. Mashtrimet, dopingu, shkeljet e etikës sportive dhe rregullave të fair play duket se justifikohen kur është fjala për kultin e fitimtarit. Edhe pse faktet janë të pranishme si me zë, edhe me film apo fotografi, opinioni i mbyllte sytë me dëshirë, i injoronte ato duke u dhënë pas një pamjeje gjoja të bukur të një gare sportive. Vlera e vetme e turneut të sivjetshëm të mbushur me skandale është se ai dëshmoi se kontrollet për dopingun janë të efektshme duke zbuluar në këtë mënyrë edhe të vërtetën e çiklizimit profesionist. Këto prova dhe zbulimet e rasteve të dopingut po i bëjnë të qartë opinionit mentalitetin dhe mekanizmat se si funksionon çiklizimi profesionist, gjë me të cilën ekspertët kanë vite që merren. Pas skandaleve të sivjetshme nuk mund të thuhet më 'vazhdojmë' se s'ka gjë.


«Rhein-Neckar-Zeitung» (Heidelberg) shkruan:

Në rast se një gjë e tillë do të ndodhte në politikë, në ekonomi apo diku tjetër publiku do të kishte treguar prej kohësh me gishtin e madh poshtë, si dikur në arenat e gladiatorëve. Rastet sa vijnë e shtohen dhe ndjekin njeri-tjetrin. Por turneu çiklistik Tour de France po vazhdon dhe asnjë prej organizatorëve nuk i shkon nëpër mendje se vetëm një ndërprerje spektakolare dhe një fillim radikalisht i ri mund mund ta shpëtonte sportin e çiklizimit. Vërtet që kontrollet e dopingut janë më të efektshme, por Tour de France 2007 e ka humbur prej kohësh pafajësinë e saj dhe nuk ka se ç'kontribut të japë më për sportin e çiklizimit."

Ngjashëm shprehet edhe «Süddeutsche Zeitung» (München):

"Ai që do ta ringjallë sportin e çiklizimit duhet të shkatërrojë sistemin e vjetër. Duhet të kontrrollojë llogaritë bankare të çiklistëve, të ndërpresë subvencionet shtetërore si dhe transmetimet televizive. Duket të merren madje masa si ato që përdoren për luftimin e tregtisë së drogave dhe të armëve. Kudo ku bëhet fjalë për para aty shfaqet edhe e keqja. Në rast se kjo luftë nuk zhvillohet do të ishte fatale, sepse në radhët e çiklistëve të rinj me siguri që do të ketë ndonjë prej tyre që nuk ka ndër mend të shkatërrojë shëndetin e vet duke përdorur doping."

«Nordkurier» (Neubrandenburg) zu Tour de France =

"Sporti i çiklizimit është fund e krye i molepsur. Madje puna ka vajtur deri aty sa tani është bërë thuajse e parëndësishme se cili del fitues në fund të turneut 2007. Pas skualifikimeve dhe zbulimit të rasteve të dopingut ne nuk e dimë ende se cili është tek e fundit fituesi i turit 2006, amerikani Landis apo ndonjë tjetër? Dhe në rast se pesimistët nuk e kanë krejtësisht gabim se në vitin 2008 i vetmi triumfues i këtyre garave do të jetë "dopingu". Tashmë gjithçka është e qartë dhe rasti i shpresës së kazakëve, Alexander Winokurow, as që ishte i nevojshëm për t'i treguar botës marifetet. Por organizatorët e turneut refuzojnë ta ndërpresin atë, sepse fitues duhet të dalë sporti për të mos harruar se ata i kanë edhe këmbët e lidhra me marrrëveshje dhe kontrata.

Instituti meteorologjik i PocdamitFotografi: dpa - Bildfunk

Thatësira dhe djegiet e pyjeve në jug të Evropës dhe përmbytjet në veri të saj janë sipas «Landeszeitung» (Lüneburg) dëshmi se metereologët dhe studiuesit e klimës kanë të drejtë në prognozat e tyre:

Ndërsa në Itali autoriteteve u duhet që të evakuojnë pushuesit nëpër plazhe për shkak të djegies së pyjeve, në Britaninë e Madhe atyre u duhet të ngrenë penda për të shpëtuar shtëpitë prej përmbytjeve, që janë më të fortat e 60 viteve të fundit. Këto skena u përgjigjen saktësisht skenarëve të parashikuar prej ekspertëve në pjesën e dytë të raportit për klimën. Ai që mendon se ndryshimi i klimës është ende një kërcënim që i takon së ardhmes duhet të ndryshojë mendje, sepse e ardhmja ka filluar tashmë. Ndryshimi i klimës i gjithkund i pranishëm, në jug thatësira, në veri përmbytje dhe humbës janë të gjithë. Çdo urë, çdo pendë, çdo shtëpi duhet kontrolluar tani nëse i përballon dot pasojat e efektit serë në atmosferë."