1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mashtrimi me mishin e kalit

Eliana Xhani13 Shkurt 2013

Në Evropë ka shpërthyer një tjetër skandal me produkte ushqimore. Në vend të mishit të lopës në gjellë të gatshme është përdorur mish kali. Ministrat e BE do të konsultohen për masat e nevojshme. Gjermania - e paprekur.

Mish i grirë
Mish i grirëFotografi: picture-alliance/ZUMA Press

Deri tani nuk njihen as përgjegjësit dhe as përmasat e vërteta të skandalit me mishin e kalit. Kjo duhet të ndryshojë së shpejti. Ministri britanik për Ushqimin, Owen Paterson ka thirrur një tjetër takim krize me përfaqësues të lartë të industrisë ushqimore, për të diskutuar hapat e mëtejshëm. Ai urdhëroi kontrolle të të gjitha produkteve me mish lope. Të mërkurën (13.02.2013) do të mbahet një takim ministrash në nivel të BE-së.

Origjinë e panjohur

Skandali për mishin e kalit të deklaruar në mënyrë të rreme, ka filluar rreth një muaj më parë. Atëherë u gjetën gjurmë mishi kali në hamburgera që shiteshin në supermarkete në Britani të Madhe dhe Irlandë. Javën e kaluar provat laboratorike treguan se edhe lazanjat me mish lope përmbanin mish kali, madje në disa rast deri në 100 për qind. Gjurmët e para çuan tek prodhues francezë, që mishin e merrnin ndër të tjera nga Rumania.

Autoritetet në Francë dhe shtete të tjera të BE-së deri tani nuk e dinë se kur ka filluar mashtrimi me mishin e kalit dhe cilat janë përmasat e tij. Kryeministri i Rumanisë, Victor Ponta deklaroi se nga provat kishte rezultuar se asnjë firmë në hapësirën rumune nuk ka shkelur rregullat e BE-së.

Mashtrim i konsumatorëve por pa pasoja për shëndetin

Javën e kaluar rrjeti i supermarketeve gjermane "Kaiser's Tengelmann" hoqi nga shitja lazanjat e ngrira si masë parandaluese. Por të hënën ministrja gjermane për Mbrojtjen e Konsumatorit, Ilse Aigner deklaroi se deri tani nuk ka të dhëna se "në Gjermani kanë hyrë në treg produkte me mish kali me përshkrim të rremë". Nëse kjo do të kishte ndodhur do të bëhej fjalë për mashtrim të konsumatorëve, thotë Ariane Girndt, zëdhënëse për shtypin e Ministrisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, në bisedë me Deutsche Welle-n. "Kjo do të ishte një shkelje e paragrafit 11 të ligjit për produktet ushqimore". Pra një shkelje e detyrimit të deklarimit, por përzierjet e mishit të gjetura deri tani në gjellët e gatshme nuk janë të dëmshme për shëndetin.

Lazanja e kompanisë Findus doli me mish kaliFotografi: Reuters

Origjina duhet deklaruar dukshëm në produkt

Për zëdhënësin e Greenpeace, Jürgen Knirsch, skandali i mishit të kalit dëshmon mangësitë në përshkrimin e origjinës tek produktet ushqimore në Gjermani. Rrugët e livrimit janë të ngatërruara. "Na nevojiten sisteme të qarta për të pasur mundësi të ndjekim produktin deri në origjinë", shprehet Knirsch. Eksperti thekson në bisedë me Deutsche Welle-n se nuk është e rëndësishme të dihet vetëm se çfarë ka brenda një produkti, por edhe se nga vjen mishi. Teknikat e nevojshme për këtë janë disponibël por për arsye kostosh nuk përdoren. Me një sistem të emërtuar "F-Trace" për shembull, konsumatori mund të ndjekë origjinën e produktit deri në fermë nëse ai është prodhuar në Gjermani. "Nëse sot blej në Irlandë dhe nesër në Qipro për të prodhuar me kosto të ulëta, atëherë kjo është natyrisht e vështirë", thotë Knirsch.

Mishi i kalit është më i lirë në Lindje

Edhe pse autorët nuk njihen ende, motivi për mashtrimin me deklarimin e rremë dyshohet të jetë thjesht etja për fitim. "Nëse përzien mish kali në mishin e lopës mund të kursesh shumë para", thotë eksperti për produktet ushqimore Udo Pollmer, nga Instituti Evropian për Studime të Ushqimit dhe Produkteve Ushqimore. "Në disa vende të Evropës Lindore kuajt përdoren ende si kafshë pune dhe mishi i kalit është i lirë". Për fitime më të larta nganjëherë mjafton edhe një përqindje e vogël e një mishi tjetër, shton Pollmer. Këtë e tregojnë edhe raste nga e kaluara, kur prodhuesit janë paditur pasi kishin përzier mish të grirë lope me mish derri, i cili është më i lirë.

Origjinën e mishit të kalit nga Evropa Lindore, Pollmeri e sheh si problem të vogël. "Unë do të gëzohesha nëse mishi i kalit ka ardhur nga Evropa Lindore, pasi tek ne rritësit e kuajve u japin kafshëve të tyre të gjitha llojet e ilaçeve që konsiderohen të mira. Në Evropën Lindore paratë për këtë mungojnë." Nëse mishi i kalit i përdorur rezulton me origjinë nga Evropa Perëndimore, skandali do të ishte më i madh. Kjo do të nënkuptonte që është përpunuar mish kali, i cili nuk është parashikuar aspak për konsum nga njerëzit, por në rastin më të mirë për prodhimin e ushqimit për kafshë. Kështu për shembull autoritetet irlandeze për ushqimin po kontrollojnë produktet e mishit për përmbajtje fenilbutazoni, një lëndë që u jepet kuajve në rast dhimbjesh dhe temperature. Mishi i një kafshe të trajtuar me këtë medikament është i ndaluar të përdoret për produkte ushqimore.

Autor: Günther Birkenstock/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi