1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spanien Wahlen

21 Nëntor 2011

Mariano Rajoy do të jetë kryeministri i ri i Spanjës. Kryetari i Partisë Popullore konservatore ka përpara detyra të vështira: Premtimin për vende të reja pune, shkurtimin e shpenzimeve e reduktimin e deficitit buxhetor.

Shumicë absolute e konservatorëve: Mariano Rajoy
Shumicë absolute e konservatorëve: Mariano RajoyFotografi: picture-alliance/dpa

Nuk është edhe aq e papritur që Partia Popullore konservatore  do të qeverisë në katër vitet e ardhshme Spanjën. Pas rezultatit historik të një shumice absolute, kandidati i saj, Mariano Rajoy do të përpiqet që të nxjerrë vendin nga kriza. Një krizë, e cila i solli Partisë Punëtore Socialiste të kryeministrit ende në detyrë, José Luis Rodríguez Zapatero një humbje drastike të zgjedhjeve, më e keqja në tre dekadat e fundit.

Po tani?

Një shumicë e madhe e elektoratit spanjoll beson tek ndryshimet premtuese të Partisë Popullore konservatore. Pas krizës së zgjatur tashmë prej më shumë se  tre vjetësh dhe të një kuote shumë të lartë të papunësisë në historinë e vendit, ndryshimet e inicuara nga zgjedhësit duhet  të sjellin  një ringjallje të shumëpritur të ekonomisë.

Një detyrë që, pavarësisht premtimeve, nuk do jetë e lehtë. Këtë la të kuptojë para pak ditësh Mariano Rajoy: ”Unë shpresoj që në fund të legjislaturës përsëri të kemi arritur një situatë punësimi të qëndrueshme dhe stabël”, deklaroi kryeministri i ardhshëm i Spanjës.

Por qytetarët e saj nuk janë të vetmit që kërkojnë  përmbushjen e premtimeve në fushatën zgjedhore nga kreu i konservatorëve. Edhe Brukseli do të vendosë kërkesat. Komisioni Europian javën e kaluar ka kërkuar „masa shtesë“ nga udhëheqja e re për qetësimin e tregjeve, të cilat Rajoy dhe kabineti i tij qeveritar i ardhshëm duhet sa më shpejt që të jetë e mundur t'i vërë në jetë dhe qëllimi i tij i vetëm duhet të jetë përmbushja e kritereve për konsolidimin e buxhetit 2012.

Shkurtime të tjera

Presidenti i ri do ta ketë të vështirë për të qetësuar në të njëtën kohë Europën dhe qytetarët spanjollë. Respektimi i detyrimeve për reduktimin e deficitit të buxhetit do të thotë në praktikë që duhen ndërmarrë shkurtime ende të papara. Me fjalë të tjera: Përpara qëndrojnë kohë të vështira: Në dy vitet e fundit, qeveria socialiste e José Luis Rodríguez Zapateros kishte kursyer tashmë 15 miliardë të shpenzimeve publike, kryesisht  përmes shkurtimeve  të pagave në shërbimet publike dhe ngrirjen e  pensioneve.

Flamuj të Partisë konservatore spanjolleFotografi: dapd

Koha nuk pret

Në fund  të fundit duhet pritur se ç'reagim do të ketë tregu pas triumfit të konservatorëve. Dhe sidomos duhet parë se çfarë ndikimi do të kishte fakti që qeveria e re nuk do ta filojë punën para muajit dhjetor. Një rrethanë, e cila në kushte jo normale nuk paraqet  problem të veçantë. Megjithatë kjo paralizë për një qeveri, e cila  nuk ka mundësi për ta marrë detyrën javën e ardhëshme, mund ta përkeqësojë më tej krizën e borxhit spanjoll.

Autor: Emili Vinagre/Mimoza Kelmendi

Redaktion: Lindita Arapi