Mbi investimet në Kosovë
29 Tetor 2011
Një nga temat që u trajtua me interes në Forumin Ekonomik të Vjenës këtë javë (24-26.10) ishte ajo mbi “Mundësitë e investimeve në Kosovë“.
Në konferencën dy ditore që u zhvillua në ambjentet e Bankës „Raiffeisen Zentralbank“,në kryeqytetin austriak, morën pjesë rreth 170 pjesëmarrës nga 12 shtete dhe një delegacion i rangut të lartë nga Kosova me në krye kryeministrin Hashim Thaçi.
Po ashtu të pranishëm ishin edhe përfaqësues të dhjetëra firmave, si Raiffeisen Bank International AG, Siemens AG, Uniqa Versicherungen AG, Vienna Insurance Group, Ame International GmbH, Hulla&Co Human Dynamics, Faa Holding, Fertgas GmbH.
Pjesëmarësit kontribuan me fjalimet interesante dhe diskutimet mbi reformën e sistemit ligjor dhe përshtatjen me legjislacionin e BE, normat e ulta tatimore dhe përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të rritur investimet në vendin e vogël dhe relativisht të ri.
Pozita gjeografike e Kosovës, favorite për investitorët e huaj
Sekretarja e përgjithshme e forumit, Dr. Elena Kirtscheva veçoi disa nga arsyet përse ia vlen të investohet në Kosovë. Sipas saj pasuritë e shumta natyrore, procesi i privatizimit i cili ofron mundësi direkte për investime, rritja e tregut dhe mbi të gjitha pozita gjeografike janë shanse të mëdha për investitorët e huaj. Ajo vuri në pah edhe faktin e politikës fiskale të qeverisë së Kosovës si favorit për biznesmenët e huaj si dhe mundësitë e mëdha për investime në sektorin e bujqësisë.
Kosova karakterizohet nga një popullsi e re, e arsimuar dhe e motivuar, thekson Kirtcheva për DW.
Pavarësisht zhvillimeve në veri, Kosova është një vend stabil dhe i favorshëm për investitorët e huaj. Për këtë jep argumentet e tij ministri për Zhvillimet Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj. „Zhvilllimet e fundit në Kosovë kanë treguar se Kosova është vend stabil, ku funksionon mirë rendi dhe ligji, ku ka një orientim shumë të fuqishëm drejt ekonomisë së tregut, ku stabiliteti makroekonomik është shumë më imirë se disa vende të tjera, ku ka një rritje ekonomike shumë më të madhe se sa disa vende të rajonit. Prandaj edhe firmat e huaja janë të mirëseardhura“, thotë për dë ministri Beqaj. Por investitorët e mëdhenj gjermanë ende nuk kanë arritur të depërtojën pasi sipas tij, ata janë të interesuar për projekte shumë të mëdha.
„Ka qenë përshembull telekomi gjerman, Deutsche Telekomi, i interesuar të depërtojë në Kosovë. Arsyeja themelore e tërheqjes së kësaj kompanie ishte sipas asaj që unë kam marë nga qeveria dhe drejtpërdrejt nga Telekomi, thjesht nga interesi për çështje biznesi. Sepse ata kanë pasur një projekt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Normalizim i marrëdhënieve tregtare me Serbinë
Por çfarë ka ndryshuar në Kosovë pas ngjarjeve të fundit në veri? Si janë marrëdhëniet e saj me Serbinë dhe më gjerë në rajon?
Këtyre pyetjeve i përgjigjet ministrja e Transportit dhe Industrisë së Kosovës, Mimoza Kusari - Lila: „Me Serbinë Kosova tani i ka normalizuar marrëdhëniet tregtare falë marrëveshjes së arritur në Bruksel, ndërsa për ne tani është e rëndësishme që të kemi një fluks të pandërprerë të qarkullimit të mallrave kosovare përmes Serbisë për në vende të tjera të Bashkimit Europian. Për ne kjo rrugë është rruga më e shkurtër dhe më e përshtatshme, ndërsa brënda Serbisë paraqet një sfidë në vetvehte zënia e tregut të Serbisë me produkte kosovare. Situata është duke shkuar drejt normalitetit. Ka një lëvizje të produketeve nga të dyja anët e kufirit, në masë shumë më të madhe në anën e Serbisë për në Kosovë, sesa në anën e kundërt. Gjithsesi ky është një hap përpara po ta krahsojmë me tre vitet e fundit,“ thotë zonja Kusari-Lila.
Sa për krizën në Greqi, në forum u tha se ndikimi në Kosovë është shumë i vogël. Ndaj investitorët e huaj nuk kanë pse tremben. Ministrja e Tregtisë dhe Transportit si shembull përmendi importin e derivateve të naftës për shkak se prej vendeve të CEFTA-s për Kosovën, Maqedonia është partneri më i madh tregtar. 70 për qind të importeve nga Maqedonia vijnë nga rafineria greke e naftës, OKTA, e cila funksionon në Maqedoni, ndërkohë që flitet për planet e kësaj kompanie që do të tërhiqet nga Maqedonia.
Ky do të ishte edhe ndikimi i drejtpërdrejtë i krizës së Greqisë në Maqedoni. Për Kosovën ky produkt mund të zevëndësohet pa luhatje as në çmim dhe as në sasi prezente në treg. Dhe duke pasur marrëdhënie normale me vendet fqinjë e veçanërisht me Serbinë, Kosova me siguri që do të thithë mjaft investitorë seriozë dhe strategjik në të ardhmen, pasi në këtë vend mungojnë ende shumë gjëra të një rëndësie të madhe të një shteti që kërkon të konsolidohet dhe të ndjekë rrugën e integrimit për në BE.
Autor: Mimoza Cika- Kelmendi
Redaktoi: Aida Cama