1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbikqyrja bankare nga BQE mbetet e kundërshtueshme

Vilma Filaj-Ballvora25 Gusht 2012

Banka Qendrore Evropiane (BQE) është përgjegjëse për politikat financiare të eurozonës.Por a është e nevojshme dhe reale që të mbikqyrësh dhe të kujdesesh për të gjitha bankat e eurozonës?

Fotografi: picture alliance/dpa

Nuk ka dyshime se Evropa ka nevojë për një lloj mbikqyrjeje të përbashkët bankare. Kriza në Spanjë ka evidentuar edhe një herë tjetër se bankat "e sëmura" të një vendi nuk mund të trondisin vetëm financat e saj por edhe të ndikojnë në institucionet financiare të vendeve të tjera.

Kjo është ajo që e shtyu Bashkimin Evropian në samitin e tij të fundit në muajin qershor që të caktojë Bankën Qendrore Evropiane për të pasur rol mbikqyrës. Sidoqoftë, shumë e shikojnë këtë si një konflikt interesi. Çfarë duhet të bëjë BQE-ja kur ajo beson se taksat duhen rritur, por është e shqetësuar për bankat që janë në vështirësi. A mundet BQE-ja që të mbyllë bankat teksa, në të njëjtën kohë, ajo po printon para dhe po furnizon tregun me para kesh?

Një kombinim i mirë?

Politikat monetare dhe mbikqyrja e bankave nuk duhet të lidhen me njëra-tjetrën, argumenton Martin Faust, profesor në Shkollën e Financës së Frankfurtit. Në fund të fundit, ekziston një mbikqyrës bankar në nivel evropian, i njohur si Autoriteti Bankar Evropian (EBA). "Ky institucion ka pasur shumë pak ndikim deri tani sepse politikanët e vendit nuk kanë qenë të gatshëm t´i dorëzojnë pushtetin."

Kjo ka ndryshuar, sidoqoftë, si pasojë e krizës. Pjesërisht sepse nuk ka personel të mjaftueshëm, EBA ka pasur shumë kritika, thotë Faust. Ka edhe një aspekt tjetër që flet kundër mbikqyrjes nga ECB-ja. "Një mbikqyrje bankare evropiane ka kuptim kur të gjithë shtetet marrin pjesë," i tha ai DW.

Në foto, Martin FaustFotografi: Martin Faust

Por, duke qenë se BQE është përgjegjëse për eurozonën, një mbikqyrje e tillë do të përjashtonte Britaninë – nyjën më të rëndësishme financiare në Evropë. Megjithatë, duket se nuk ka një mënyrë që mbikqyrja t´i kalojë BQE-së. Sascha Mölls, profesor ekonomie në Universitetin e Marburgut, nuk e shikon këtë si një problem themelor. Ajo për të cilën ai është i shqetësuar, është një mbikqyrje e përbashkët që nuk do të marrë në konsideratë dallimet mes kombeve. "Në Gjermani ne kemi shumë banka të vogla," thotë ai. Ata pajisin ekonominë vendore me para, duke bërë punën tradicionale të një banke. "Këto banka normalisht që nuk kanë nevojë për një mbikqyrje përmes shembujve të një modeli amerikan,“ i tha Mölls DW.

Në foto, Sascha MöllsFotografi: Universität Marburg

25 apo 8400?

Por kjo është pikërisht ajo çka po planifikon Komisioni i Bashkimit Evropian. Në muajin shtator, Komisioni ka planifikuar të prezantojë një koncept i cili do t´i nënshtrojë 8400 bankat e eurozonës nën rregulla të njëjta mbikqyrjeje. Kjo, sidoqoftë, do të lodhte autoritetin e mbikqyrjes, thotë Faust. "Unë mendoj që logjikisht në fillim të përqendrohemi në bankat sistematike të rëndësishme – me fjalë të tjera: bankat e mëdha," tha ai.

Berlini gjithashtu do të preferonte që vetëm 25 bankat më të mëdha të mbikqyreshin nga BQE-ja. "Për bankat e kursimeve dhe institucionet e kredisë nuk ka nevojë për mbikqyrje shtesë," i tha të përditshmes ekonomike gjermane Handelsblatt, ministrja e Drejtësisë Sabine Leutheusser-Schnarrenberger.

Kompanitë e vogla mund të vuajnë

Në fakt, bankat e vogla vendore në Gjermani nuk kanë pasur nevojë as edhe për nje cent të vetëm nga ndihmat e shtetit. Përkundrazi, ata vazhduan të japin kredi edhe kur bankat e mëdha nuk mund t´a bënin këtë. Bankat e kursimeve, bankat private dhe institucionet e kredive janë të ashtuquajturat "tre shtyllat" e sistemit bankar gjerman. Faust është i shqetësuar se një mbikqyrje e përbashkët do të ishte një disavantazh për bankat e vogla, duke kërkuar, për shembull, një kapitalizim më të madh.

"Veçanërisht i rëndësishëm është kapitali bazë, i përbërë nga kapitali aksioner dhe rezervat e kapitalit," vëren Faust. Bankat e kursimeve, gjithsesi, nuk kanë kapital aksioner. E njëjta gjë vlen edhe për kreditë. "Këto banka kanë anëtarë, të cilët mbulojnë detyrimet e bankës me kapitalin e tyre. Nëse ky kapital nuk konsiderohet si kapital bazë, atëherë burimet e një banke kapitali nuk mund të jenë të mjaftueshme për të mbuluar detyrimet," thotë Faust.

Logoja e VolksbankFotografi: picture-alliance/dpa

Në këtë rast, bankat duhet të gjejnë më tepër aksionerë ose të ulin volumin e transaksionit, që do të thotë më pak kredi të lëshuara. Kjo, gjithsesi, do të kishte pasoja drastike për bizneset gjermane, përderisa shumica e tyre marrin kredi pikërisht nga bankat e vogla, dhe jo nga tregjet kapitaliste, paralajmëron Sasha Mölls. "Ne thjesht nuk kemi ambientin ekonomik për një rregullator të përgjithshëm dhe anonim që do të na ndihmonte vërtet. Në fund, kjo do të dëmtonte kompanitë tona të vogla dhe të mesme."