1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbledhja vjetore e FMN-së - Ministri gjerman Schäuble, ndërmjetësuesi

Jens Thurau/ Auron Dodi14 Prill 2014

Ministër i Financave por edhe diplomat i krizës: Wolfgang Schäuble kishte në mbledhjen vjetore të FMN në Uashington vetëm një gjë në mendje: të qetësojë dhe të ndërmjetësojë në konfliktin në Ukrainë.

Schäuble ne mbledhjen e FMN-së
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në programin e Wolfgang Schäubles në Uashington gjen takime me homologët ministra të financave të G-7-ës (Rusia nuk është e pranishme), takim në rreth të gjerë me ministrat e financave të G-20-ës (Rusia është e pranishme), takime bilaterale me ministrat e financave nga Kanadaja, Zvicra, Brazili, Ukraina dhe Rusia. Veçanërisht dy bisedat e fundit janë të rëndësishme.

Sepse ministrat e financave këtë herë nuk merren vetëm me ekonominë botërore - ata bëjnë në fakt diplomaci krize të nivelit më të lartë. Si do të ecë puna më tej, pasi Rusia aneksoi Krimenë - në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, si thotë Perëndimi? A do të shkallëzohet edhe më tej situata, para së gjithash në Ukrainën Lindore? Për një rast të tillë, shtetet perëndimore kanë kërcënuar me sanksione të forta ekonomike, të cilat do të preknin edhe Perëndimin, pra edhe Gjermaninë. Schäuble nuk e dëshiron këtë - dhe dëshiron të shfrytëzojë kontaktet e tij të mira me qeverinë ruse, për të ndërmjetësuar.

Si ministër gjerman për aspektet monetare, Schäuble vjen me humor të mirë në SHBA. Në fillim të javës, Gjermaninë e lëvdoi për zhvillimin e saj të mirë ekonomik shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde. Vitin e ardhshëm synohet që për mbulimin e buxhetit të Gjermanisë të mos merren borxhe të reja. Grekët nxorrën për herë të parë pas disa vitesh sërish hua shtetërore në treg, gjë që ministri e vlerëson si shenjë të mirë: "Kriza e euros nuk ka kaluar, por ne jemi në rrugë shumë të mirë. Para dy vjetësh në Evropë këtë nuk do ta kishte konsideruar të mundur askush", tha Schäuble në Uashington.

Schäuble nuk sheh rrezik deflacioni

Ka konflikte të vogla: FMN sheh në rritjen e vogël të çmimeve në eurozonë një rrezik për deflacion, me pasoja negative për investimet dhe rritjen ekonomike. Qeveria gjermane thotë për këtë se do të flasë me FMN dhe do të bëjë të qartë se përgjegjëse për këtë situatë janë çmimet e ulëta të energjisë dhe pagat e ulëta, para së gjithash në shtetet në krizë të Evropës Jugore. Ky gjithsesi është një konflikt që nuk paraqet problem të madh për Schäublen. Ndryshe është Ukraina.

Presidenti i Rusisë, Putin, ka bërë të ditur se do ta mbyllë furnizimin me gaz të Ukrainës - ndoshta edhe për Perëndimin- nëse ukrainasit nuk do të paguajnë më në fund në kohën e duhur. Pas kësaj, veçanërisht të papërmbajtur reaguan amerikanët, të cilët i ashpërsuan sanksionet e tyre. Schäuble përpiqet të marrë një pozicion ndërmjetësuesi: "Dihet që Ukraina është një vend i vështirë, dhe ata me të vërtetë kanë shumë të mëdha pa i paguar Moskës." Gjendja është boll serioze, edhe pa problemin e pagesave.

Apel ndaj Rusisë dhe SHBA: mos ndërmerrni hapa nacionalë të veçuar nga të tjerët

Vetëm të premten, në fjalimin që mbajti në "Council of Foreign Relations", vetëm një bllok larg ndërtesës së Fondit Monetar Ndërkombëtar në zemër të Uashingtonit, Schäuble tingëllon ndryshe. Ai i bën thirrje SHBA që të rigjallërojnë partneritetin transatlantik. Për të folur duhet folur si midis të barabartëve, në mënyrë miqësore, bashkëpunuese, thotë ai. Globalizimi nuk duron veprimet e veçuara, sipas zakonit të vjetër të fuqive të mëdha. "Dhe prandaj ajo që po ndodh për momentin në Rusi do të mbetet pikërisht kjo një moment", bën të qartë politikani i CDU-së. Unilateralizmi është out, problemet globale duhet të zgjidhen në mënyrë globale. Por kjo vlen edhe për SHBA, për aferën e përgjimeve të NSA-së: "Eshtë qesharake, nëse NSA beson se do të ketë mundësi t'i përgjojë të gjithë njerëzit". Pra: reflektim për të drejtat e lirisë qytetare në epokën e internetit - të gjithë së bashku, pa veprime të veçuara të kombeve të caktuara.