1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbrëmje e filmit shqiptar në Gjermani

8 Maj 2009

Në kuadër të "Javës së kulturës shqiptare“ që po zhvillohet prej së martës (5. maj) në Düsseldorf u shfaqën filmat: „Koha e kometës“, „Ne dhe Lenini“, „Në Tiranë dhe kudo tjetër“ dhe „Lule bore“.

Fatmir Koçi: "Unë them që nuk ka masë për ta matur artin dhe kulturën e një vendi."
Fatmir Koçi: "Unë them që nuk ka masë për ta matur artin dhe kulturën e një vendi."Fotografi: picture-alliance/ dpa

"Nesër nisemi për luftë". "Jeni çmendur fare, s'ju punon hiç rradakja". "Je mërzitur ti ngaqë kanë ikur turqit, miqtë e tu, e pat koha jote". "Pushkë e fishekë i kemi, e pat kjo punë". "Do të luftojmë për mbretin gjerman, për Shqipërinë". - fragmente nga filmi 'Koha e Kometës' e regjisorit Fatmir Koçi, i cili hapi mbrëmjen e filmit shqiptar. Ngjarjet e filmit zhvillohen në vitin 1914 në kohën kur fuqitë e mëdha angazhojnë një princ të huaj që të udhëheqë Shqipërinë. Këto vite të turbullta përshkruhen në librin e shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare "Viti i Mbrapshtë", mbi të cilin është bazuar edhe skenari i filmit, një bashkëprodhim me kompaninë LARA Enterprises. 'Koha e Kometës' është një prej filmave më të shtrenjtë shqiptarë të xhiruar deri tani.


Pyetjes nëse ia vlen të investohet kaq shumë në një film, regjisori Fatmir Koçi i përgjigjet: "Unë them që nuk ka masë për ta matur artin dhe kulturën e një vendi. Dhe nuk ka gjë më solide që jeton përpos se ajo, mendoj unë".


Nga publiku artdashës në Dyseldorf filmi u prit ngrohtë: "Filmi më pëlqeu shumë, është si të thuash një zhytje në një legjendë të moçme dhe nëse e kam kuptuar mirë njërën prej porosive është ajo që fetë duhet të pajtohen me njëra-tjetrën". - thotë një shikuese nga Dyselforfi.

"Quhem Isa Guta, jam regjisor dhe teknolog filmi, kam përfunduar studimet më 1976 në Çekosllovaki. Përshtypjet e mia janë të mira dhe mund të flasim për një realizim të mirë artistik".

"Po i shoh për herë të parë pasi filmat zakonisht shfaqen në Shqipëri. Unë si kosovar i shoh për herë të parë dhe ishte shumë interesant të shoh një të kaluar pak a shumë të hidhur të Shqipërisë ish-komuniste."

"Unë besoj që nuk jam një vizitor i rastit. Unë vetë kam jetuar disa vite në Shqipëri, i njoh gjërat, vendet dhe problemet andaj për mua ishte një rikthim në atdheun tim të dytë. Mendoj se për të tjerët , për vizitorët e tjerë gjermanë të cilët nuk e njohin sfondin e këtyre ngjarjeve, këta filma kuptohen më me vështirësi kështu që është dëm që nuk kishte qarime të mjaftueshme për sfondin e ngjrajeve. Përndryshe jam shumë i impresionuar dhe filmat më pëlqyen shumë". - thotë një nga spektatorët gjermanë në sallë.

Dy bashëbiseduesit e fundit flasin për një film tjetër që poashtu u përcoll me interesim të madh nga publiku. Eshtë fjala për filmin e regjisorit Saimir Kumbaro "Ne dhe Lenini". I pranishëm në kinemanë e muzeut të filmit në Dyseldorf ishte edhe vetë regjisori Kumbaro, i cili sqaroi për publikun se filmi ka një karakter të zhanrit të komedisë dramatike dhe ështe një metaforë:

"Eshtë Shqipëria në tranzicion brenda një oborri të një azili pleqsh. Në njëfarë mënyre çdo karakter përfaqëson një kategori sociale. Mendoj që filmi ka mesazhe të thjeshta. Eshtë një film që të jep opotimizëm. Unë shoh në mesin e publikut njerëz edhe nga mosha e tretë dhe dua t'u them juve se njeriu nuk ka moshë dhe mbi të gjitha gruaja, muzika dhe dashuria nuk kanë moshë".


Të kënaqur me mbrëmjen e filmit u shprehën edhe organizatorët e tij: "Në të vërtetë dua të them se jemi shumë të kënaqur edhe me interesimin dhe me pjesëmarrjen e publikut gjerman në mbrëmjen e filmave shqiptar." - thotë Neviana Dosti. Kurse Alfred Dade shton: "Unë të them të drejtën jam i kënaqur por edhe i emocionuar, sepse është një interes që shumë njerëz janë të interesuar për javën e kulturës shqiptare dhe me këtë rast edhe për mbrëmjen e filmit shqiptar."

Autor: Esat Ahmeti
Redaktoi: Pandeli Pani

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW