1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

220711 Schächten Niederlande

29 Korrik 2011

Në Hollandë u ndalua therrja rituale e kafshëve. Para së gjithash hebrenjtë janë të zemëruar, që therrjet rituale nuk do të lejohen më tani.

Festë therrjeje në Gaza
Festë therrjeje në GazaFotografi: DW

"Jam shumë e lumtur. Ne kemi punuar shumë për këtë ligj tre vjet dhe është një mrekulli, që në fund, 80% e të gjithë deputetëve mbështesim këtë ligj! "

Këtë e thotë Marianne Thieme, kryetarja e grupit parlamentar e "Partisë për kafshët" PvdD lidhur me fitoren e parë të madhe të tyre në Parlamentin holandez: me 116 vota pro dhe vetëm 30 kundër u ndalua në fund të qershorit të këtij viti therrja rituale e kafshëve pa mpirje. Kafsha pritet në fyt, ndërsa ajo është në gjendje plotësisht të vetëdijshme. Sepse, sipas rregullave hebreje dhe muslimane, vetëm atëherë mishi është hallall.

PvdD është partia e parë për kafshët në botë, e cila ka hyrë në një parlament kombëtar. Që nga viti 2006 ajo ka dy nga gjithsej 150 vendet në Dhomën hollandeze të Përfaqësuesve dhe angazhohet për mjedisin dhe mirëqenien e kafshëve. Ndalimi i therjes rituale ka qenë një nga qëllimet e saj të para të mëdha. Mariannne Thieme:

“Të gjitha raportet nga shkencëtarët e pavarur vërtetojnë se kafshët në luftën e tyre me vdekjen përjetojnë gjithçka në gjendje të vetëdijshme, deri në katër minuta zgjat vdekja e tyre. Katër minuta gjithë dhimbje dhe frikë. Ne nuk duam të ndalojmë therjen rituale, por duam që këto kafshë më parë të trullosen. Çdo kafshë është e rëndësishme! "

Deri tani ligji holandez - si në shumicën e vendeve perëndimore – ka kërkuar në fakt, që kafshët duhet të trulloseshin para therjes. Por, për mishin hallall, apo kosher bëhej një përjashtim: Këtyre kafshëve lejohej t'u pritej qafa, ndërsa ndodheshin plotësisht në gjendje të vetëdijshme.

Tani kafshët duhet të trullosen para therjes

Kjo ka ndryshuar tani: Që tani e tutje, të gjithë kasapët muslimanë dhe hebrej duhet t'i trullosin më parë kafshët – me përjashtim të rastit, nëse ata mund të japin prova shkencore se kjo lloj vrasjeje nuk i lë kafshët të vuajnë më shumë se vrasja konvencionale me trullosje. Vetëm atëherë, kështu kërkon shumica e deputetëve, mund të bëhet një përjashtim. Por ky ndalim është shumë i diskutueshëm.

Deri kohët e fundit është demonstruar para parlamentit në Hagë. Aktivistë të të drejtave të kafshëve i paraqitën deputetëve dhjetëra mijëra nënshkrime, kundërshtarë të ndalimit të therjes dërguan në garë rabinë, të cilat erdhën nga e gjithë Evropa për seanca dëgjimore në parlament.

Kafshë të therrura si kurban në KairoFotografi: picture-alliance/dpa

"Gjeni një zgjidhje tjetër - për hir të vendit tuaj dhe të lirisë,"bëri thirrje për shëmbull kryerabini anglez, Jonathan Sacks.

Për kundërshtarët ndalimi i therjes rituale është diskriminues dhe disproporcional: Shkalla e kushteve të vështira në thertore është shumë më e madhe. Ndalimi do të shkaktonte vetëm që mishi hallall dhe kosher të importohej nga jashtë. Për më tepër, ndalimi shkel të drejtën themelore të lirisë fetare. Këtë e thekson, për shembull, Henk Jan Ormel nga Demokratët e krishterë. Ata, si dhe partitë e vogla kalviniste dhe shoqatat muslimane dhe hebreje kanë qenë kundër ndalimit.
Komuniteti musliman në Holandë nuk i ka bashkuar forcat ende dhe është shumë i përçarë. Kështu ai mungonte në debat dhe nuk kishte as lobi për të protestuar kundër ndalimit.

Hebrenjtë e krahasojnë ndalimin e therrjes me ndalimet në luftë

Lobi hebre nga ana tjetër u aktivizua menjëherë. Komuniteti hebre në Hollandë e krahason biles ndalimin e therjes rituale me kohën gjatë pushtimit gjerman në Luftën e Dytë Botërore. Ndalimi do t'u sillte qytetarëve të vjetër hebre stres dhe netë pa gjumë. Dhe stresi i njerëzve është më i rëndësishëm se ai i kafshëve, thotë i indinjuar Loonstein Herman, një avokat i njohur hebre nga Amsterdami. Ai më tej thotë

“Shumë hebrej të vjetër më thonë: Kështu ka filluar edhe atëherë! (pushtimi) dhe unë duhet të them, nuk jam i sigurt, nëse mbetet me kaq! "

Si vazhdim mund të ndalohej syneti, ose varrosja e të vdekurve në varrezat hebreje, të cilët duhet të mbeten atje përgjithmonë. Ajo, që i jep shpresë kundërshtarëve të therjes rituale: Në vjeshtë të këtij viti ligji i ri duhet të miratohet edhe nga senati holandez, dhe aty argumente të tilla si shkelja e të drejtave themelore zakonisht zënë më shumë peshë se në Dhomën e Përfaqësuesve.

Autor: Kerstin Schweighofer/ Ina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi