1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbrojtja e klimës në fokusin e shtypit gjerman

EA12 Dhjetor 2008

"Është tragjike që pikërisht në kohën kur vendosen binarët kryesorë të së ardhmes për politikën e klimës dhe atë ekonomike Evropa ia lë udhëheqjen Obamës."

Toka siç u pa prej misionit Apollo 8 në Hënë.
Toka siç u pa prej misionit Apollo 8 në Hënë.Fotografi: AP

"Süddeutsche Zeitung" merret me diplomacinë e bllokut të çeqeve të Angela Merkelit në samitin e Bashkimit Evropian.


"Që kancelarja gjermane tregohet përsëri më zemërgjerë në një kohë që luftohet për çdo vend pune dhe për të ardhmen e shumë sipërmarrjeve, dëshmon se sa rëndësi ka për të lidhja e marrëveshjes evropiane për klimën. Për këtë ajo është e gatshme edhe të paguaj tani më shumë sesa të tjerët. Por miliardat që do të vendosë ajo në tryezën e negociatave në Bruksel, janë më shumë se një dhuratë për evropianolindorët. Ato janë edhe një program koniunkturor. Ky do të ketë efekt atëherë kur vendet e Bashkimit Evropian të zhvillojnë me këto para teknologji moderne, me të cilat do të prodhohet më pastër, gjë që do të garantojë vendet e punës të së ardhmes."


Në lidhje me programin e paralajmëruar amerikan të investimeve në samitin botëror të klimës "Berliner Zeitung" vëren:


"Përballë dështimit evropian, të gjitha shpresat drejtohen tani nga ai vend, që deri para pak kohësh konsiderohej si frenuesi kryesor: SHBA-të. Presidenti i ri Barak Obama, do ta luftojë krizën koniunkturore me një program masiv investimesh në teknologji mjedisore, ai e quan këtë "Green New Deal". Është tragjike, që pikërisht në kohën kur vendosen binarët kryesorë të së ardhmes për politikën e klimës dhe atë ekonomike Evropa ia lë udhëheqjen Obamës."


Në përfundim "Rhein Zeitung" që botohet në Koblenc:


"Në grindjen rreth synimeve për klimën dhe paketës koniunkturore është në lojë besueshmëria e bashkësisë. Dhe kjo është shumë. BE-ja kërkoi një rol pararoje, si në luftën kundër ngrohjes globale ashtu edhe në reformën e arkitekturës financiare. Tani ajo duhet t'i pasojë paralajmërimet me vepra. Kush vendos për synime të larta dhe kur vjen pune tek zbatimi i bën bisht, nuk bën si udhërrëfyes. Prandaj SHBA-të, Kina, India dhe të tjerët shohin gjithë vëmendje nga Brukseli. Në qoftë se Evropa i bën bisht zbatimit, atëherë ata nuk do të pranojnë të marrin zotime ambicioze. Por pa plane të bashkërenduara ndërkombëtarisht, planeti as nuk mund të shpëtohet, as nuk mund të bëhet imun ndaj krizave ekonomia botërore.