060710 EU Anti-Terror-Maßnahmen
6 Korrik 2010Europoli do të trajtojë në të ardhmen kërkesat nga SHBA, në kuadër të mbrojtjes nga terrorizmi. Vend të veçantë zënë këtu të ashtuquajturit "home grown terrorists", terroristët e rritur në Evropë.
"Që prej atentateve të Londrës vërtet nuk ka pasur më sulme terroriste në truallin evropian dhe kjo ka ndodhur falë punës së shërbimeve sekrete. Por po të shohësh se sa atentate janë bllokuar në embrion, dhe se sa celula terroristësh janë shpërbërë, arrijmë në përfundimin, se duhet të vazhdojmë të jemi vigjilentë", mendon koordinatori i BE-së për luftimin e terrorizmit, Gilles de Kerchove. Qetësia relative aktuale nuk është arsye për të fjetur mbi dafina, thotë ai.
Me atentatet tragjike në trenat e Madridit në vitin 2004 dhe në metronë e Londrës, një vit më vonë, terrorizmi islamist mbërriti edhe në Evropë. Pas këtyre sulmeve terroriste u krijua në vitin 2004 posti i koordinatorit për luftimin e terrorizmit në BE. Koordinatori i parë i BE-së, Gijs de Vries, e përmblodhi kështu detyrën e tij: "Shkëmbimi i informacioneve është shumë i rëndësishëm. Përmes Europolit policitë mund të këmbejnë informatat. Ndërsa prokurorët punojnë së bashku përmes platformës Eurojust. Përveç kësaj ne diktojmë ligje kundër financimit të terrorizmit. Terroristët kanë nevojë për para, ne duhet të pengojmë që ato t'u bien në dorë. Edhe për këtë kemi nevojë për bashkëpunim ndërkombëtar."
Bashkëpunimi ndërkombëtar pengon financimin terrorist
Por de Vries dha dorëheqjen para kohe, ndër të tjera edhe nga zhgënjimi për informim të pamjaftueshëm të shteteve anëtare lidhur me aktivitetet terroriste. Por ka edhe një opinion tjetër lidhur me këtë. Që puna funksionon më mirë se sa duhet. Kur javën e shkuar, anëtarët e Dhomës së Brendshme të Parlamentit Evropian ishin në Europol, deputeti kristiandemokrat spanjoll, Agustin Diaz de Mera, shprehu shqetësim lidhur me mbrojtjen e të dhënave:
"Po qe se do të kesh siguri, duhet të shkëmbesh informacione. Për këtë Europoli është një instrument shumë i rëndësishëm dhe i nevojshëm. Por mendoj se Europoli është kompromentuar në çështjen e mbrojtjes së të dhënave dhe Parlamenti Evropian do ta mbrojë me vendosmëri këtë."
Ekziston frika se luftimi i terrorizmit mund të shërbejë si justifikim për të survejuar.
E ashpër ka qenë kritika e Parlamentit Evropian lidhur me shkëmbimin e të dhënave mes BE-së dhe SHBA-së, e ashtuquajtura marrëveshja "Swift." Specialistët amerikanë të antiterrorizmit thonë se ky shkëmbim të dhënash ndihmoi në kapjen e grupit të njohur me emrin "Grupi i Sauerlandit" në Gjermani, por kritika ka ende.
Ndërkohë marrëveshja "Swift " është gati. Disa nga pikat, që kritikonte PE, janë hequr, megjithëse jo të gjitha. Tanimë pritet miratimi i tij me shumicë në PE ditën e enjte.
Autor: Christoph Hasselbach/Lindita Arapi
Redaktoi: Angjelina Verbica