1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbulimi i grave myslimane në Maqedoni

4 Qershor 2010

Kushtetuta e vendit parasheh lirinë e përcaktimit fetar. Por në një shoqëri shumëkonfesionale si Maqedonia ka individë, të cilët janë kundër dallimeve në veshje nga përkatësia fetare.

Fotografi: picture-alliannce/dpa

Tek familjet myslimane në Maqedoni siç janë ato shqiptare, turke, boshnjake dhe rome, kohëve të fundit është shpeshtuar dukuria e mbulimit të femrave. Dhe deri sa në të kaluarën kjo dukuri ka qene prezente për ato femra, të cilat nuk kanë vijuar arsimin dhe nuk kanë qenë të punësuara, mbulimi i kokës me shami tani është gjithnjë e më prezent tek nxënëset, studentet, por edhe tek femrat myslimane, që punojnë në institucione shtetërore. Opinionet për këtë dukuri janë të ndryshme. Deri sa një pjesë e mbështet ka edhe të tillë, që janë kundër.

Me kushtetutë veshja është një e drejtë personale e pakontestueshme

Në Maqedoni nuk ka ligj, që pengon, ose detyron nxënëset, apo të punësuarit se me çfarë veshje duhet të paraqiten në bankat e shkollës, apo në vendet e punës. Veshja është një e drejtë personale e pakontestueshme, të cilën e garanton edhe sistemi juridik në Maqedoni, thonë në Bashkësinë Fetare Islame. Edhe në inspektoriatin shtetëror për arsim thonë se me asnjë ligj nuk pengohet mbulimi i kokës me shami, sepse Kushtetuta parasheh lirinë e përcaktimit fetar dhe lirinë e të shprehurit të fesë.

Nëna me fëmijë në ShkupFotografi: Petr Stojanovski

Zemrjete Bela-Veseli është psikologe e punësuar në shkollë shtetërore. Ajo në vendin e punës paraqitet me mbulesë në kokë.

“Që nga punësimi im kam vërejtur paragjykime tek arsimtarët nga shkaku se si mund të jetë një psikologe me mbulesë, por me kalimin e kohës, me sjellje dhe punë arrita që t'i bind ata se nuk është gjithçka mbulesa, mbulesa nuk është truri i njeriut”, thotë psikologja Zemrjete Bela-Veseli. Gjithnjë sipas saj, familja shqiptare myslimane në Maqedoni për dallim nga ato në Kosovë dhe Shqipëri, në aspektin fetar është më konservatore, andaj edhe në shkollat e Maqedonisë ka më tepër nxënëse, që mbulojnë kokën me shami.

“Në shkollën tonë ka nxënëse me mbulesë, ashtu siç e parasheh feja, por edhe moderne. Nga shoqëria nuk janë të anashkaluara aspak, ato janë të pranuara ashtu siç ka qenë para mbulesës së tyre, deri tani nuk është vërejtur asnjë problem", thotë Zemrjete Bela-Veseli.

Mbulimi provokon shoqërinë

Nada Momirovska punon në institucion shtetëror dhe ka kolege, të cilat mbajnë shami në kokë. Ajo thotë se nuk është kundër asnjë feje, por është kundër faktit që njerëzit sidomos të rinjtë të dallohen për nga veshja fetare.

Nxënëse të medresesë në TetovëFotografi: Nikos Pilos

“Në Maqedoni ekzistojnë shumë fe, nëse secili vishet sipas traditave fetare, atëherë shoqëria jonë do t'i ngjajë një cirku të madh“, thotë Nada Momirovska.

Dukuria e mbulimit është evidente

Rukie Mici është mësuese e besimit fetar në xhami. Ajo thotë se dukuria e mbulimit të kokës me shami te femrat, që punojnë në institucione shtetërore është evidente. Sipas saj mbulesa është përkushtim ndaj perendisë, mbrojtje morale dhe identifikim i një religjioni të caktuar. Është për t'u përshëndetur faki se edhe në mjediset jomuslimane në Maqedoni ka filluar të kuptohet domethënia e mbulimit të kokës dhe të respektohet e drejta, që edhe femrat e mbuluara të kenë të drejtë të punojnë aty, ku dëshirojnë.

“Më herët ka patur paragjykime se femra e mbuluar duhet të jetë e pashkolluar dhe të jetë e izoluar, kjo është në kundërshtim me fenë myslimane, femra ka të drejta të barabarta me mashkullin dhe mbulesa nuk duhet të paraqet pengesë”, thotë teologja Rukie Mici.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Angjelina Verbica