Mbyllet pika kufitare në Merdare
28 Dhjetor 2022Autoritetet kufitare të Kosovës konfirmuan se është mbyllur vendkalimi kryesor kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdare, për shkak të bllokimit të rrugës nga disa grupe të setrbëve që janë grumbulluar në brendësi të territorit të Serbisë. Gjatë natës, mediet serbe publikuan pamje ku një grup qytetarësh serbë bllokuan me mjete të rënda rrugën që lidh Serbinë me Kosovën në mbështetje, siç thanë "të serbëve të veriut të Kosovës”, të cilët po ashtu tash e 18 ditë po mbajnë të barrikaduara rrugët në veri dhe për pasojë edhe dy pikat kufitare me Serbinë në Jarinje dhe Bernjak.
"Bllokimi i rrugës është bërë afërsisht në kilometrin e dytë në brendësi të terroritorit të Serbisë, nga vendkalimi kufitar Merdare”, njoftoi policia ku u bëhet thirrje qytetarëve të Kosovës që gjenden rrugës në Serbi të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për të hyrë në Kosovë.
Vendkalimi kufitar Kosovë-Serbi në Merdare, është një nga vendkalimet kryesore që më së shumti shfrytëzohet edhe nga mergimtarët e Kosovës që shkojnë për pushime në vendlindje.
Vendkalimet e bllokuara dhe lirimi i Pantiqit
Aktualisht tri vendkalime kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë të mbyllura për shkak të bllokadave dhe barrikadave serbe. Ndërsa edhe rrugët në veri të Kosovës po vazhdojnë të mbahen të barrikaduara nga serbët lokal. E gjithë kjo, siç thonë ata, "në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish- pjesëtari të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, nën dyshimet për sulm terrorist ndaj autoriteteve të KQZ-së. Pantiq tash e dy javë mbahej në paraburgim në një stacion në veri të Kosovës. Por nga e merkura është lëshuar në paraburgim shtëpiak nga një gjykatë e Kosovës.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, tha se "me kërkesë të Prokurorisë Speciale, i është zëvendësuar masa e sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak. Gjykata ka aprovuar me këtë rast kërkesën e Prokurorisë”. Për zëvendësimin e masës se paraburgimit në arrest shtëpiak për ish-policin serb Dejan Pantiq, reaguan zyrtarët më të lartë të shtetit. Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, tha se "është i habitur se si një njeri me akuza për terrorizëm, mund të lirohet në arrest shtëpiak”.
"Ai e ka statusin e paraburgosurit, por është i pandehur për terrorizëm. Meqenëse ishte në grevë të urisë dhe kishte probleme në zemër, mund të dërgohej në spital, që është e kuptueshme. Por a është e arsyeshme? E vendos gjyqësori. Kur ke një akuzë për terrorizëm e të dërgohesh në arrest shtëpiak, jam kureshtar ta marrë vesh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë dhe ai gjykatës paraprak që e ka marrë këtë vendim”, tha Kurti. Edhe ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se "vendimi i sotëm për dërgimin në arrest shtëpiak të personit të dyshuar për terrorizëm, shënon një goditje të rëndë për kredibilitetin edhe ashtu shumë të dëmtuar të prokurorisë dhe gjykatave në Kosovë”. Sipas saj, "vetingu është kaq i domosdoshëm”.
Ndryshe nga ministrja e jashtme e Kosovës, Raportuesja për Kosovën në parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e ka mirëpritur vendimin e gjykatës për dërgimin e ish-policit srb Dejan Pantiq në arrest shtëpiak.
"E mirëpres me ngrohtësi vendimin e gjykatës për dërgimin e Dejan Pantiqit, polic të Kosovës, në arrest shtëpiak. Kjo duhet të çojë në heqjen e menjëhershme të barrikadave në veri të Kosovës dhe depërshkallëzim të plotë. Mbështetje e plotë për EULEX-in dhe KFOR-in për mbikëqyrjen e tyre”, shkroi Cramon në Twitter.
Situata e tensionuar
Sidoqoftë, situata në veriun e Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar . Gjatë dy ditëve të shkuara u vendosën edhe dy barrikada nga serbët lokal, mu në qendër të veriut të qytetit të Mitrovicës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën gjatë mbledhjes së qeverisë se "rrugët në veriun e vendit janë bllokuar nga kriminelë që po mbështeten nga presidenti dhe qeveria e Serbisë me qëllim të destabilizimit të rajonit'.
"Institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë e bashkëpunojnë me kriminelë, por do t'i arrestojnë ata. Përfaqësuesit legjitim nga komuniteti serb dalin përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme kurse të drejtat e qytetarëve burojnë nga Kushtetuta e Republikës. Vendosja e barrikadave në rrugë është veprim i paligjshëm, i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet”, tha Kurti. Sipas tij, qeveria u ka dhënë kohën dhe hapësirën e nevojshme forcave paqeruajtëse të KFOR-it për të hequr barrikadat dhe kjo kohë sipas tij, po shteron me shpejtësi.
"Ne kemi bashkëpunim e bashkërendim me KFOR-in, prandaj edhe kjo kohë e hapësirë e nevojshme që i është dhënë KFOR-it dhe me këtë rast një gjë duhet të kuptohet që nuk mund të qëndrojë edhe parimi i lëvizjes së lirë edhe barrikadat në rrugë që e pengojnë lëvizjen e lirë”, tha kryeministri. Serbia nga ana tjetër, ka vënë në "gjendje të gatishmërisë ushtarake” trupat e saj të sigurisë afër kufirit me Kosovën, me gjithë thirrjet e NATO-s dhe diplomatëve perëndimorë për uljen e tensioneve Kosovë-Serbi.
Komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Angelo Michele Ristuccia, nga ana e tij ka thënë se misioni që ai udhëheqë vazhdon të mbështesë dialogun për të gjetur një marrëveshje për të zbutur tensionet në veri të Kosovës.
"Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve. Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve për të ndihmuar në sigurimin e irisë së lëvizjes në Kosovë, dhe për të parandaluar që narrativat mashtruese të ndikojnë në procesin e dialogut”, thuhet në një komunikatë pë medie të komandantit të KFOR-it.