1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me bomba kundër bombës atomike?

6 Nëntor 2011

Me gjasa ka dëshmi, që Irani po zhvillon bombën atomike. "Shpifje" thuhet në Teheran. Por pavarësisht përgënjeshtrimit, është në radhë të parë Izraeli, që nuk e beson atë. Sulmi ushtarak ndaj Iranit gjithnjë e më afër?

Teknik në një impiant iranian për përpunimin e uranit
Teknik në një impiant iranian për përpunimin e uranitFotografi: AP

Një raport i papublikuar i Agjencisë Atomike Ndërkombëtare me seli në Vjenë, përmban risi të rëndësishme lidhur me programin bërthamor iranian: Javën e ardhshme do të dalin në pah informacione të reja sekrete, thuhet në të. Ky material ndër të tjera duhet të përmbajë edhe të dhëna, sipas të cilave Irani ka zhvilluar një model kompjuteri të një kapsule shpërthyese atomike. Përveç kësaj në një regjistrim satelitor shihet një trup i çeliktë, në të cilin mund të provohet p.sh. lëndë shpërthyese me fuqi të madhe plasëse për ndezjen e bombave atomike, tha në Vjenë një diplomat, i cili nuk do të citohet me emër.

Imazh simbolik- Klinton dhe AhmadinexhadFotografi: WILLIAM B. PLOWMAN, MEET THE PRESS

"Jashtëzakonisht i kujdesshëm"

Sidoqoftë, as detajet e reja të përmendura së fundi nuk të lejojnë të arrish në konkluzion për objektivin e programit bërthamor iranian, theksoi diplomati: "Në sfondin e përvojave të mëparshme me Irakun, Agjencia Aomike Ndërkombëtare është jashtëzakonisht e kujdesshme në sfondin e informacioneve, që ajo përfshin në raportet e veta, sepse të dhëna të gabuara janë përdorur për të justifikuar aktivitetet ushtarake. Luftën kundër Irakut, SHBA e argumentuan ndër të tjera me ekzistencën gjoja të armëve të shfarosjes në masë. Por në Irak, asnjëherë nuk u gjetën armë të tilla.

Irani përbetohet, se programi bërthamor shërben vetëm për qëllime paqësore. Tani po rinxirren në pah akuzat, që në të kaluarën janë provuar si të pavërteta, deklaroi ministri i Jashtëm, Ali Akbar Salehi. Në këtë kontekst, ai akuzoi Agjencinë Atomike Ndërkombëtare, se po shkel pavarësinë e vet politike dhe nën presionin e SHBA-së po ngre akuza kundër Iranit. Perëndimi, si dhe Izraeli dyshojnë prej kohësh, se nën mantelin e një programi civil bërthamor Teherani po zhvillon edhe bombën atomike.

Izraeli jep alarmin

Ndërkohë presidenti izraelit Shimon Perez, po ndez debatin për një sulm eventual ushtarak kundër programit bërthamor iranian. Në një intervistë televizive ndaj pyetjes, nëse situata po shkon më shumë drejt një konfrontimi ushtarak në vend të një zgjidhjeje diplomatike, Perez u përgjigj, se "Unë besoj se po. Shërbimet sekrete të shumë vendeve shohin se ora po troket dhe i paralajmërojnë qeveritë e tyre, se nuk ka më shumë kohë." Irani mund të ketë brenda gjashtë muajve një bombë atomike, mendon nobelisti i paqes i vitit 1994. Bota është tani e detyruar kundrejt Izraelit, që në rast nevoje ta ndalë edhe ushtarakisht bombën atomike iraniane, thotë Perez.

Ahmadinexhad kërkon shkatërrimin e IzraelitFotografi: AP

Në Izrael prej më shumë se një jave zhvillohen debate intensive pro ose kundër një goditjeje ushtarake ndaj Iranit. Popullsia, sipas një sondazhi është e ndarë. Frika, që Irani ekstremisht armiqësor ndaj Izraelit mund të posedojë armë atomike, ekuilibrohet me frikën nga pasojat e pakontrollueshme të një ndërhyrjeje ushtarake, që mund të ndizte të gjithë rajonin. Teherani ka kërcënuar me përgjigje "apokaliptike" në rast të një sulmi. Është edhe kjo një arësye, përse tani për tani Perëndimi i përmbahet linjës së presionit diplomatik dhe sanksioneve kundër Teheranit.

Autor: Christian Walz /Vilma Filaj-Ballvora(dapd, dpa, rtr)
Redaktoi: Aida Cama

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë