1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me episodin qeveritar, Çekia dëmtoi edhe veten

26 Mars 2009

Në qendër të shtypit të sotëm gjerman është rrëzimi i qeverisë çeke dhe pasojat për Bashkimin Evropian.

Projekti i artistit Jaume Plensa - Transparency 2009 i vendosur në Pragë me marrjen e Presidencës së radhës së BE-së - janar 2009
Projekti i artistit Jaume Plensa - Transparency 2009 i vendosur në Pragë me marrjen e Presidencës së radhës së BE-së - janar 2009Fotografi: picture-alliance/ dpa

Gazeta Mittelbayerische Zeitung shkruan

Me episodin qeveritar, Çekia dëmtoi edhe veten. Rrëzimi i qeverisë në mes të peiudhës së presidencës së radhës së BE-së, bën të besueshëm pikërisht ata që kishin dyshuar gjithmonë në kompetencën për të drejtuar të këtij vendi të vogël. Në rast se vëzhguesit i akuzojnë ish - shtetet e dikurshme të bllokut lindor se u mungon ndjenja e përgjegjësisë, kjo nuk ka të bëjë me arrogancën politike. Përkundrazi, Çekia e tregoi këtë gjë këtë javë. Në vend që në favor të të mirës së përgjithshme t`i zgjidhte mosmarrëveshjet politike me kompromis demokratik, Praga përdori kurën radikale dhe pasojat që mund të kishte një gjë e tillë për BE-së nuk i mori njeri parasysh.


Gazeta Nürnberger Zeitung shkruan:


Pas përmbysjes së Topolanekut nuk mungon vetëm në Çeki një shef i fortë qeverie. Edhe Bashkimi Evropian do të jetë në muajt e ardhshëm i kushtëzuar prej zhvillimeve në Çeki. Momenti i përmbysjes së qeverisë në Çeki nuk mund të ishte më i papërshatshëm. Në fillim të prillit pritet që Barack Obama të vijë për vizitë tek partnerët evropianë. Më tej, takimi i nivelit të lartë të G-20 për luftimin e krizës financiare globale dhe në qershor zgjedhjet për Evropën. Megjithë këto ngjarje deputetët çekë nuk arritën ta vështrojnë çështjen në kompleks. Ata e rrëzuan kryeministrin në mes të presidencës së radhës së BE-së, në mënyrë që kjo t`i binte në sy gjithkujt në të gjithë Evropën. Ndjenja e përgjegjësisë duket ndryshe.

Dhe në fund Gazeta Berliner Zeitung vëren:

Ky veprim ka pasoja paradoksale. Socialdemokratët çekë si dhe Partia ekologjike janë koseguentë proevropianë. Dhe pikërisht kjo parti shkaktoi tani një situatë, e cila e pengon në mënyrë të ndjeshme politikën evropiane që të mos themi që e kthen mbrapsht atë. (pp/aca/dpa)