301110 Arbeitsmarkt Migranten
2 Dhjetor 2010
Në konkurrencën për përfitimin e kuadrove më të mira nga vendet tjera, Gjermania nuk gjendet ndër vendet e para evropiane. Studimet e Institutit për hulumtimet e lëvizjeve të popullatës dhe Dhomës për Industri dhe Tregti dëshmojnë se të huajt me kualifikime të larta nuk janë tepër të interesuar për Gjermaninë.
Serkan Kaygisiz ka mbaruar për matematikë në vendlindjen e tij në Turqi me rezultate të shkëlqyeshme. Por në Gjermani ai u jep fëmijëve mësim vetëm vullnetarisht. Atij nuk i lejohet që zyrtarisht të punojë në shkolla, sepse autoritetet gjermane nuk e njohin diplomën e marrë në Turqi. Ai nuk ka mundur të gjejë një punë të mirë, madje as pas kryerjes së masterit gjermano-turk në Universitetin e Këlnit. "Unë përpiqem t'i motivoj fëmijët që të shkojnë në studime. Por ata më pyesin natyrisht: Ju keni dy diploma, keni studjuar e megjithatë jetoni nga ndihmat sociale. Pse atëherë ne duhet të studjojmë, kur në Gjermani nuk kemi asnjë shans", pohon Serkan Kaygisiz.
Megjithatë zëvendëskryetari i Shoqatës për Integrim në Leverkuzen përpiqet që t'i motivojë fëmijët me prejardhje migrantësh. Prej 1 majit edhe ai vetë ndjek kursin në programin Aqua, të fondacionit Otto-Benecke në Bon. Ky program u ofron akademikëve të papunë, nga Gjermania, apo vendet tjera, që të kualifikohen për punë të tjera, prej mësimdhënësve e deri në mjekësi.
Serkan Kaygisiz ndjek një kurs në Bohum dhe vullnetarisht jep mësim në një shkollë në Leverkuzen. Dallimet mes ligjëratave në Turqi dhe në Gjermani mund të vërehen vetëm në shikim të dytë. "Matematika ka gjuhën e vet. 2 + 2 bëjnë katër, si në Turqi, ashtu edhe në Gjermani, Angli, apo vendet tjera. Por roli i mësuesit në Turqi ndryshon nga këtu. Në Turqi mësuesi i takon në një farë mënyre familjes, sepse kur prindi për herë të parë vjen me fëmijën në shkollë të thotë: fëmija tani të takon ty. Nxënësit kanë respekt ndaj mësuesit më shumë se në Gjermani. Këtu prindërit e shohin mësuesin si kundërshtar dhe nuk bashkëpunojnë. Të shpeshtën e rasteve e shikojnë si kundërshtar."
Vështirësi për nostrifikimin e diplomave
Mirëpo edhe kur njihet diploma e arritur në ndonjë vend tjetër, rruga në tregun gjerman të punës mbetet e mbyllur. Një përvojë të hidhur ka pasur edhe Aurel Ciumac nga Moldavia. Si inxhinier elektronik ai ka ardhur së bashku me familjen në Gjermani në vitin 2003. Diplomën ia kanë njohur pas disa muajve. Por pesë vite të tëra është paraqitur parreshtur në konkurse të ndryshme, por pa sukses. Ai ka gjetur punë vetëm pas përfundimit të kursit Aqua, ku është njohur dhe me përfaqësues të sipërmarrjeve gjermane. 35 vjeçari punon tani në sipërmarrjen Siemens AG.
"Tani kam mundësi për kualifikim të mëtejmë si inxhinier. Ajo, që më gëzon në punën time, është që tani kam të bëj me teknologji të reja, me gjëra, të cilat gjithmonë kam kërkuar dhe ku gjithmonë mund të mësosh diçka të re", thotë Ciumac.
Tregu gjerman i punës jo shumë atraktiv për të huajt
Mahmoud Atris e ka përjetuar edhe vetë këtë mungesë kulture për pranimin e të huajve. 25- vjeçari nga Libani është një shembull i të kualifikuarve, që kërkohen në këtë vend. Në Bohum ka kryer studimet në inxhinieri ndërtimi dhe është afër përfundimit të studimeve master. Gjermanishtja e tij është perfekte. Njëkohësisht ai punon edhe në qendrën gjeometrike në Bohum, por kjo nuk ka lënë ndonjë përshtypje tek zyra për të huajt në Gelzenkirhen, e cila ka refuzuar t'ia japë lejen e qëndrimit të përhershëm në Gjermani, pa asnjë shpjegim: "Unë jam një person i integruar plotësisht dhe me diplomë gjermane. Pra nuk e kam problemin e njohjes së diplomës, por megjithatë duan të më largojnë..."
Si refugjatë nga Libani, prindërit e tij kanë jetuar në Gjermani një kohë të gjatë nga ndihmat sociale. Tani ai ka dëshirë që shtetit gjerman t'ia kthejë shërbimet e dikurshme, përmes punës, tatimeve dhe kontributeve të tjera si i punësuar, në qoftë se shteti i lejon të mbetet në këtë vend.
Autor: Alexandra Scherle/Bahri Cani
Redaktoi: Angjelina Verbica