1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

MEDOIL kërkon naftë në detin Jon

Ani Ruci4 Shtator 2006

Kompania britanike MEDOIL do të fillojë kërkimet për naftë dhe gaz në Detin Jon, në Shqipëri në një sipëfaqje prej 3 000 km katrorë. Investimi fillestar i kompanisë kap shifrën e 26, 5 milion dollarëve

Kërkim nafte në detra
Kërkim nafte në detraFotografi: AP/Kyodo News

Një kontaratë shtatëvjeçare me qeverinë e Tiranës i hapi të hënën dritën e gjelbër kompanisë britanike MEDOIL për të kryer shpime nafte dhe gazi në detin Jon, në jug të Shqipërisë.
Kompania fillon së shpejti aktivitetin me një investim prej 26,5 miilion dollarësh për shtatë vitet e ardhshme.
Nga pala shqiptare kontrata u nënshkrua ng aministri i Ekonomisë dhe i Energjitikës, Genc Ruli kurse nga ajo britanike nga përfaqësuesi i MEDOIL, Joseph Mc Kneef.

Ministri Ruli dha hollësi për tre fazat në të cilat do të kalojnë shpimet duke filluar nga studimet sizmike deri në kërkimin e naftës dhe gazit. Sipas tij kompania britanike vjen në Shqipëri në një moment shumë të përshatshëm nisur nga kriza që po përjetojnë tregjet ndërkombëtare të prodhimit, rritja e çmimeve dhe nevoja për burime të reja.

Kurse Josep Mc Kneef u shpreh optimist per rezultatin e kërkimeve të kompanisë MEDOIL në detin Jon, nisur, theksoi ai, edhe nga përdorimi i një teknologjie të përparuar kërkime të tilla në det.

Kompania britanike do të bëjë shpime në një sipërfaqje prej 3000 km katrorë, që shtrihet nga gadishulli i Karaburunit, i vetmi gadishull që ka Shqipëria deri në skajin më jugor të vendit, atje ku fillojnë ujrat greke të Detit Jon.

Termat e kontratës së nënshkruar në Tiranë parashikojnë që në rast suksesi kontarata me MEDOIL të zgjatet edhe për 20 vite të tjera, shenjë kjo që qeveria e kryeministrit Berisha ka krijuar kuadrin e duhur ligjor që kompani të tilla të mos ngurojnë të vijnë në Shqipëri.

Pozicioni gjeografik e ka përfshirë Shqipërinë në projekte të mëdha të naftës dhe gazsjëllësve nga Azia në Europë. Një prej tyre është ai i njohur me emrin AMBO, një ide amerikane e cila ka projektuar kalimin e naftës nga Turqia, në Bullgari, Maqedoni deri në portin e Durrësit, ku do të shpërndahet me anije çisterna të mëdha në Europë dhe më tej.
Por ka edhe projekte të tjera që kalojnë nga Serbia. Mali i Zi dhe Shqipëria për të transportuar gazin rus, projekte që ende janë ide, të publikuara në shtyp.

MEDOIL është një nga kompanitë më të njohura britanike të kërkimit të naftës dhe gazit në detin Mesdhe. Shqipëria u shtohet dy vendeve të tjera, Tunizisë dhe Maltës, në strategjinë mesdhetare të MEDOIL -it.

Në fakt kompania britanike nuk është e para që zbulon pjesën shqiptare të detit Jon për kërkime nafte dhe gazi. Gjatë regjimit të kaluar një kompani australiane, e njohur me inicialet BHP ishte në prag të nënshkrimit të një kontrate me qeverinë e atëhershme por hoqi dorë për shkak të mospëlqimit të termave të kontratës.