1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mercedes do të shkurtojë 8.500 vende pune në Gjermani

Sabrina Fritz30 Shtator 2005

Si arsye për shkurtimet e planifikuara, deklarohet kostoja e lartë në krahasim me firmat konkurruese

Yje Mercedesi
Yje MercedesiFotografi: dpa

Në një letër drejtuar punonjësve, kreu i bordit drejtues të DaimlerChrysler-it, Dieter Zetsche, e mbron vendimin e marrë. "Shpenzimet tek Mercedesi i kalojnë ato të konkurrentëve" dhe ai vazhdon: Kemi ende një udhë të gjatë përpara nesh deri sa Mercedes Car Group të ribëhet konkurrues. Se ku do të çojë kjo udhë këtë Zetsche e sqaroi përpara punonjësve në fabrikën e Mercedesit më të prekur nga shkurtimet, atë të Sindelfingenit. Anëtari i bordit drejtues, përgjegjës për personelin, Günther Fleig:

"Ne do ti ndajmë shkurtimet në disa fabrika, por në këtë çast nuk mund të themi ende se në ç'masë do të preket secila. Por në bazë të përmasave të planit është e qartë se do të preken fabrikat e mëdha, para së gjithash ato në Sindelfingen dhe në Bremen."

950 milion euro, pra thuajse një miliard, vë në dispozicion koncerni për dëmshpërblimin e punonjësve që dalin në pension të parakohshëm. Një shumë që në pamje të parë duket tepër e madhe, por ajo do të thotë pak më shumë se 100.000 euro për çdo punonjës, tepër e ulët për të pushuar së punuari. Për këtë arsye programi i dëmshpërblimit do të ketë parasysh edhe punësimin, punëtorët do të ndihmohen që të gjejnë vende të reja pune, thotë shefi i personelit:

"Ne ofrojmë qëllimisht një model largimi të orientuar nga punësimi. Sipas tij çdo punonjës ka disa mundësi zgjedhjeje. Largim me kompensim, i lidhur ky me mbështetjen për gjetjen e një vendi të ri pune, largim me kompensim plus ofertë punësimi nga një agjenci punësimi të përkohshëm, largim me kompensim plus mbështetje për ngritjen e një firme private ose thjesht largim kundrejt kompensimit."

Kryesia ka nevojë për gatishmërinë e punonjësve për të pranuar ofertën e kompensimit, pasi në sajë të një marrëveshjeje midis firmës dhe punëtorëve shkurtimet përjashtohen deri në vitin 2012. Por askush tek Mercedesi nuk është qetësuar; kush e di ç'plane të tjera ka sjellë nga Amerika shefi i ri. Atje Chrysleri e arriti me sukses shëndoshjen dhe shkurtoi 25.000 vende pune. Kështu për shembull nuk dihet se si do të vazhdohet me automjetin shumë të vogël Smart, edhe ky pjesë e Mercedes Group.

Të gjithë pajtohen se Mercedesi ka vënë dhjamë, siç shprehet eksperti për automjetet, prof. Ferdinand Dudenhöffer. Kjo do të thotë: shumë punëtorë për pak automjetet të shitura. Edhe vetë kolegji përfaqësues i punonjësve flet për tepricë personeli në koncern. Megjithatë profesori për automjetet nga Gelsenkircheni ka edhe një ngushëllim: Pas një viti, thotë parashikimi, ylli i Mercedesit do të shkëlqejë si më përpara.