Merkel dhe al-Arabi diskutojnë për Sirinë
14 Shkurt 2012![](https://static.dw.com/image/15741265_800.webp)
Bashkimi Evropian mbështet këtë qëndrim dhe do të ndërmarrë sanksione të mëtejshme, tha Merkel pas takimit. Në mënyrë të veçantë ata vunë në dukje rolin e Ligës Arabe si një rol kyç në këtë rajon. Ata u shprehën për një bashkëpunim të ngushtë të BE-së dhe Ligës lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut në Siri.
Gjermania më parë ishte shprehur në mbështetje të propozimeve të Ligës Arabe për dërgimin e një misioni paqësor në të cilin të marrin pjesë edhe ushtarë helmetkaltër të OKB-së. Por Siria e kishte hedhur poshtë kategorikisht këtë ide. Ambasadori i Sirisë në Kajro, Jussif Ahmed, fajësoi vendet e Gjirit Persik, Arabinë Saudite dhe Katarin për komplot ndaj Sirisë. Rusia ka premtuar të rishikojë këtë kërkesë të Ligës Arabe. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle i quajti këto kërkesa si një sinjal i fuqishëm për njerëzit në Siri.
Pillay kritikon ashpër qëndrimin e KS të OKB-së për Sirinë
Komisarja për të drejtat e njeriut e Kombeve të Bashkuara, Navi Pillay ka kritikuar ashpër qëndrimin e Këshillit të Sigurimit lidhur me konfliktin e Sirisë. Paaftësia e saj për të rënë dakord mbi hapat e përbashkët e ka inkurajuar me sa duket regjimin e presidentit Baschar al-Assad për sulme të tjera ndaj kundërshtarëve të tij, tha Pillay para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuar. "Unë jam tmerruar sidomos me sulmet e vazhdueshme në Homs. Qysh prej 3 shkurtit qeveria ka intensifikuar sulmet e saj në Homs edhe më shumë duke përdorur tanke, mortaja, raketa dhe artileri".
Më parë kishte dështuar një Rezolutë e OKB për Sirinë për shkak të vetos së Kinës dhe Rusisë. Megjithatë SHBA shpreson edhe më tej në një marrëveshje. Lidhur me këtë ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton deklaroi: "Ne do të rrisim presionin tonë diplomatik ndaj regjimit për shkak të dhunës së përdorur. Sanksionet tona ne do t'i ashpërsojmë dhe do të punojmë më tej që bashkësia ndërkombëtare të dënojë regjimin e Assad-it."
Autorë: Agj / Mimoza Cika-Kelmendi
Redaktoi: Esat Ahmeti