1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel dhe Hollande: "Assadi mban përgjegjësinë"

7 Prill 2017

Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti i Francës Hollande thonë se Presidenti sirian është i vetmi që mban përgjegjësinë. Ndërsa Putini i ka quajtur sulmet amerikane në Siri "agresion kundër një kombi sovran".

Merkel und Hollande Symbolbild
Fotografi: Getty Images/S. Gallup

Kancelaria gjermane ka lëshuar një kumtesë të përbashkët të Kancelares Angela Merkel dhe Presidentit francez Francois Hollande - disa orë pas sulmeve amerikane në bazat siriane. Në kumtesë thuhet: "Presidenti Assad është përgjegjësi i vetëm për këto zhvillime. Sulmet e tij me mjete kimike dhe krimet ndaj popullit duhet të sanksionohen, ashtu siç Franca dhe Gjermania kanë kërkuar në verën e vitit 2013, pas masakrës në Ghuta."

Kjo kumtesë është miratuar së pari në Berlin dhe në Paris - pas një telefonate mes Merkelit dhe Hollande. Por në kumtesë thuhet se Gjermania dhe Franca kërkojnë një përgjigje të përbashkët të bashkësisë ndërkombëtare dhe një zgjidhje politike për kalimin e pushtetit në Siri.

Fotografi: picture-alliance/AP Images/US Navy/F. Williams

Po Rusia?

Moska si partneri më i ngushtë i Baschar el-Assadit e ka cilësuar sulmin në bazën siriane si sulm edhe kundër interesave ruse. Presidenti Vlladimir Putin e ka quajtur bombardimin amerikan si agresion ndaj një kombi sovran. Sulmet ajrore janë kundër së drejtës ndërkombëtare dhe paraqesin një pengesë serioze për krijimin e një koalicioni ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit.

Në orët e para të mëngjesit ka reaguar edhe Izraeli. Kryeministri Benjamin Netanjahu ka mbështetur sulmet. Presidenti Donald Trump ka dërguar "një mesazh të fuqishëm", se përdorimi i armëve kimike nuk do të tolerohet, kumtoi Netanjahu. Izraeli e mbështet fuqishëm vendimin e Trumpit dhe shpreson se mesazhi ka mbërritur jo vetëm në Damask, por edhe në Teheran, Phenian dhe gjithandej. Edhe Arabia Saudite e ka mbështetur ndërhyrjen, të cilën e quajti një "vendim  të guximshëm" të Trumpit.

Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Metzel

Denime nga Teherani

Irani e ka kritikuar ashpër bombardimin amerikan në Siri, citon agjencia Insa një zëdhënës në Teheran. Sulmet e tilla do të forcojnë terroristët në Siri dhe do të përkeqësojnë gjendjen në këtë vend të përfshirë nga lufta qytetare si dhe në rajon.

Po Bundestagu?

Fotografi: Reuters/J. Reed

Në Berlin priten me kureshtje reagimet e partive politike. Jürgen Trittin nga Partia ekologjiste tha se "këto ndërhyrje janë të kontestueshme nga pikëpamja e të drejtës ndërkobmëtare". Këtë ndërhyrje ai e sheh si një përpjekje të administratës amerikane që të mos tregojë dobësi, tha Trittin. Konfrontimet mes SHBA dhe Rusisë ai i quan si tepër të rrezikshme. Zgjidhja përfundimtare nuk mund të anashkalojë Kombet e Bashkuara, tha ai për Deutschlandfunk.

Për të njëjtën radio politikani i CDU-së Roderich Kiesewetter tha: "Ne duam që ndërhyrja kundër regjimit të Assadit të bëhet mbi bazat e të drejtës ndërkombëtare". "Ne nuk guxojmë të biem në nivelin e Rusisë", theksoi ai duke shtuar se ashpërsimi i gjendjes është i panevojshëm.