Merkel kundër eurobondeve
27 Qershor 2012"Për sa kohë të jem gjallë, nuk do të ketë një përgjegjësi të përbashkët për borxhet!" - tha Merkel në një takim të grupit parlamentar të partnerit në koalicion, FDP. Edhe presidenti i Bankës Federale gjermane, Jens Weidmann, paralajmëroi prej rrezikut të obligacioneve të përbashkëta. Përpjekja për të bërë të parin hapin e fundit për thellimin e integrimit, duke lënë anash të tjerët, rrezikon bashkimin monetar, i tha ai gazetës "Süddeutsche Zeitung".
Presidenti i Këshillit të BE, Herman Van Rompuy, Presidenti i Komisionit Jose Manuel Barroso, Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane Mario Draghi dhe Presidenti i Euro Grupit Jean-Claude Juncker ishin shprehur më parë për një aleancë më të ngushtë në politikën financiare evropiane. Ata kishin kërkuar, ndër të tjera një sigurim të përbashkët të depozitave. Propozimet do të diskutohen të enjten në samitin e BE-së.
Miratim dhe kritika
Me deklaratën e saj të fundit në lidhje me eurobondet kancelarja Angela Merkel ka ndeshur si në miratim dhe në kritika. Kryetari i grupit parlamentar të të Gjelbërve Jyrgen Tritin i kritikoi deklaratat si të tepruara. "Zonja Merkel është edhe një vit në pushtet, dhe nuk ka pse të mendojë në perspektiva kaq të gjata," tha Tritini të mërkurën (27.06) për ZDF-së. Përveç kësaj në Bankën Qendrore Evropiane ka që sot obligacione qeveritare të vendeve të krizës që shkojnë në 300 miliardë € . E pra "përgjegjësi të përbashkët ka që tani, edhe pse zonja Merkel është gjallë" - tha Tritin.
Partia liberale FDP, e cila është partnere e koalicionit qeveritar është në temë e një mendimi të njëjtë me kancelaren. "Ajo ka mbështetjen tonë të plotë" - tha zëvendëskryetari i FDP-së Volker Wissing në Südwestrundfunk. "Nuk ka pse taksapaguesit gjermanë të mbajnë përgjegjësi për borxhet e vendeve të tjera. Në qoftë se do të ndodhë kjo, qëndrimi pranues i qytetarëve ndaj Evropës do të marrë fund për një lloj kohe."