1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel pret kryeministrin turk Erdogan

Peter Stützle26 Maj 2006

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri i Turqisë Rexhep Taip Erdogan kanë hapur dje në Berlin forumin ekonomik gjermano - turk. Më parë Merkel siguroi kryeministrin turk se megjithë rezervat ndaj anëtarësimit të Turqisë në BE, Gjermania do të jetë konstruktive në negociata dhe do t'u përmbahet të gjitha marrveshjeve

Merkel dhe Erdogan
Merkel dhe ErdoganFotografi: AP

Raportet mes Turqisë dhe Gjermanisë janë të mira, të paktën ato ekonomike. Vëllimi tregtar po rritet nga viti në vit, kështu që vitin e kaluar ka shënuar rrtije prej gjashtë përqind. Në kongresin ekonomik gjermano - turk janë mbledhur në Berlin mbi 1400 pjesëmarrës. Pas takimit të tyre, Angela Merkel dhe Rexhep Taip Erdogan bënë të ditur se kancelarja gjermane, së bashku me një delegacion ekonomik, do të vizitojë Ankaranë, në tetor të këtij viti. Ndërkohë që në vitin 2007, Turqia do të jetë vend partner i panairit të Hanoverit. Pikërisht Merkel dhe Erdogan do të hapin panairin më të madh industrial në Evropë.
Mirëpo ekziston edhe çështja e anëtarësimit të Turqisë në BE. Jo-ja e kancelares Merkel ndaj anëtarësimit të plotë të Turqisë ishte edhe tema kryesore e fushatës zgjedhore të kandidates së atëhershme për kancelare. Ndërsa tani ajo flet për tone skeptike, të cilat mund të dëgjohen në partinë e saj.
"Ne gjithmonë kemi thënë se pas marrjes së përgjegjësisë si Qeveri federale, do t'u përmbahemi të gjitha marrveshjeve të mëparshme. Ky është edhe parakushti kryesor i punës në BE. Në negociatat e Turqisë me BE ne do të kërkojmë plotësimin e të gjitha kushteve, por këto kryeministrit i kam thënë qartë se ne e respektojmë ecurinë e këtyre negociatave", theksoi Merkel. Ndërsa i pyetur se si ai e vlerëson qëndrimin e qeverisë gjermane, kryeminstri turk u përgjigj se "pas bisedimeve me kancelaren Merkel ka përshtypjen që ajo e mbështetë anëtarësimin e Turqisë në BE, aq sa e ka mbështetur edhe më parë." Erdogan e ka të qartë se negociatat për anëtarësim do të zgjasin të paktën dhjetë vjet. Deri atëherë mund të ketë ndryshime të mëdha në të dyja vendet. Mirëpo, ai dëshmoi se Turqia është një partner i rëndësishëm i Evropës në çështjet më të rëndësishme të politikës së jashtme, siç është rasti i programit atomik iranian.
"Jemi të mendimit të njëjtë se Irani nuk duhet të ketë armë atomike. Duhet të përdoren të gjitha rrugët diplomatike. Jam shumë e knaqur që Turqia është një partner i BE në këtë çështje", tha Merkel. Për domosdoshmërinë e partneritetin mes Gjermanisë dhe Turqisë, kancelarja gjermane theksoi edhe një shkak.
"Raportet gjermano - turke janë kaq intenzive, për shkak se në Gjermani jetojnë rreth tre milionë qytetarë me prejardhje turke. Ata pjesërisht kanë nënshtetësi gjermane e pjesërisht turke, por japin një kontribut të madh në mirëqenjen e vendit tonë", theksoi Merkel.
Më parë një një intervistë për gazetën turke Miliet, kancelarja ka deklaruar se për forumin ekonomik kanë kontribuar më shumë se 60.000 sipërmarrës të vogël turqë që jetojnë në Gjermani.