1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel thekson rëndësinë e madhe të NATO-s

26 Mars 2009

Kancelarja gjermane Angela Merkel foli për një koncept të ri strategjik të NATO-s. Në deklaratën qeveritare të mbajtur sot, ajo përshëndeti anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancën e Atlantikut Verior

Kancelarja gjermane Angela Merkel, duke folur për një koncept të ri strategjik të NATO-s.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, foli për një koncept të ri strategjik të NATO-s sot më 26 mars, në deklaratën qeveritare të mbajtur një javë para mbajtjes së Samitit pranveror të Aleancës.Fotografi: AP

Angela Merkel zgjodhi një citat të kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, për të nxjerrë në pah rëndësinë historike të samitit të ardhshëm të NATO-s, më datat 3 dhe 4 prill në Kehl të Gjermanisë dhe Strasburg të Francës: "Qëllimi i NATO-s është që armiqtë t'i kthejë në miq, kjo do të thotë se është një fitore e madhërishme që një nga vendet më komuniste të botës, tani po bëhet anëtar i Aleancës më perëndimore", citoi Merkel nga një intervistë që Sali Berisha, pati dhënë disa ditë më parë për një gazetë gjermane. "Në këto pak fjalë bëhet i qartë dimensioni historik i samitit, me rastin e 60-vjetorit të krijimit të NATO-s", komentoi kancelarja kristiandemokrate.

Parlamenti shqiptar me flamuj të Nato-sFotografi: Mimoza Dhima

Merkel, u shpreh për një strategjie të re të NATO-s, duke shpjeguar edhe një herë konceptin e përfaqësuar nga shumica e partive në Bundestag, atë të "sigurisë së ndërthurur", një kombinim mes ndërhyrjes ushtarake dhe rindërtimit të strukturave civile: "Ky koncept strategjik do të përcaktojë shumë qartë kufijtë e Aleancës. Unë nuk shoh një Nato globale. Aleanca do të vazhdojë të përqëndrohet tek siguria kolektive e partnerëve të Atlantikut Verior, ajo do të veprojë edhe jashtë territorit të saj, por kjo nuk do të thotë se në të do të anëtarësohen shtete nga e gjithë bota," theksoi Merkel.

Ukraina dhe Gjeorgjia mbeten me perspektivë anëtarësimi në NATO, shtoi kancelarja gjermane. Ajo përshëndeti shprehimisht anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë, duke u shprehur optimiste se grindja aktuale mes Sllovenisë dhe Kroacisë për çështjen e kufirit, nuk do të bëhet pengesë për anëtarësimin e Kroacisë. Merkel tha, se shpreson që edhe grindja mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen emrit, të shuhet.


Kryetari i fraksionit të Partisë së Majtë, Oskar Lafontaine, duke folur në parlamentin gjerman më 26 mars për Nato-n.Fotografi: AP

Citatit të Berishës ju kthye edhe një herë Walter Kolbow, nënkryetar i grupit parlamentar të socialdemokratëve. Por me vërejtjen: "Është e vërtetë, që njëra nga përparësitë e NATO-s ishte, që i ktheu armiqtë e dikurshëm në miq, por në këtë Aleancë ne duhet të mbetemi miq. E për këtë duhet të japë secili kontributin e tij dhe të pranojë disa fakte," tha socialdemokrati, duke pasur parasysh veton e Greqisë ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

Mbyllja e Samitit të pranverës së Asamblesë parlamentare të Natos, Berlin, 27 maj 2008.Fotografi: picture-alliance/ dpa


Rrëmujë shkaktoi gjatë seancës grupi i të Majtës, deputetët e të cilit mbanin nëpër duar flamuj ku ishte shkruar "Paqe" dhe pankarta ku shkruhej "No NATO, No war" (Pa Nato, s'ka luftë). Deputeti i liberalëve Guido Westerwelle, iu përgjegj: "Të gjithë ata, që kanë kërkuar vazhdimisht shkatërrimin e NATO-s duhet ta pranojnë, që ka qenë NATO-ja ajo, që e ka bërë më të sigurt paqen në botë."

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama




Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë