1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mes bashkëjetesës e brengës së asimilimit - Minoriteti maqedonas përreth Prespës

25 Qershor 2011

Minoriteti maqedonas në zonën e Prespës ruan dhe kultivon gjuhën maqedonase dhe traditat e tij kulturore si vlera të bashkëjetesës me shumicën shqiptare e pakicat e tjera etnike. Por emigrimi rrezikon gjuhën e traditat.

Në fshatrat e Liqenit të Prespës jeton minoriteti maqedonasFotografi: DW

Nëntë fshatrat e zonës, ku jeton minoriteti maqedonas, shtrihen njëri pas tjetrit dhe ndajnë të njëjtën pasuri dhe bukuri natyrore: liqenin e Prespës. Në tabelat e rrugës automobilistike, që më çon drejt kësaj zone, lexoj emrat e këtyre fshatrave në maqedonisht dhe shqip: Pustec/ Liqenas, Tuminec / Kallamas, Shulin/ Diellas dhe kështu me rradhë.

Emrat në shqip i vendosi regjimi komunist, por ato kanë mbetur për çudi edhe sot e kësaj dite, 20 vjet pas shembjes së atij regjimi. Shtëpi të reja, dy dhe tri katëshe, me çatitë me tulla të reja, mes gjelbërimit intensiv dhe sfondit të liqenit të Prespës shfaqen në të dyja anët e rrugës automobilistike, në një pesazh natyror tepër tërheqës. Por arat shfaqen të shkreta dhe syri më zë rrallë e tek- tuk banorë që bëjnë punët bujqësore të stinës.

Krsta TrajkoFotografi: DW

Krsta Trajko e vetme dhe me shtatë fëmijë

Krsta Trajko, një grua në të shtatëdhjetat, më fton të hyj në shtëpinë e saj. Jeton fare vetëm në Shulin apo Diellas edhe pse ka shtatë fëmijë. Djemtë janë emigrantë në Greqi dhe Maqedoni, tregon ajo. Kanë ndërtuar shtëpitë e reja me paratë e fituara në emigracion por Krsta jeton në shtëpinë e vjetër, modeste të familjes Trajko dhe më pikpret në një dhomë me dy minderë druri. Në këtë shtëpi të vjetër përbri atyre të rejave të djemve të saj emigrantë kalon jetën Krsta me një pension mujor prej 25 eurosh. “Dëgjo, thotë Krsta Trajko, po të kesh fuqi të punosh këto lëndina, këto fusha mund të fitosh më shumë. Por duhet të ketë rini që ta bëjnë këtë punë.”

Por rinia në këto fshatra me popullsi 100% maqedonase emigron për punë sezonale herë në Maqedoni dhe herë në Greqi dhe kur kthehen për disa muaj në fshatrat e tyre merren vetëm me ndërtim. Jo më kot muratorët maqedonas rë Prespës janë të njohur në të gjithë Shqipërinë për mjeshtërinë e tyre. Por burimi kryesor i të ardhurave mbetet emigracioni. Prodhimet bujqësore dhe blegtorale që prodhojnë të moshuarit e mbetur në fshatra, nuk janë për treg, por vetëm për të plotësuar nevojat e tyre të përditshme. Mungon mekanika bujqësore dhe toka vazhdon të punohet me qé.

Shtëpi të reja në fshatrat maqedonase pranë Liqenit të PrespësFotografi: DW

E drejta e gjuhës amtare, ruajtjes së kulturës dhe traditave

Megjithë vështirësitë ekonomike maqedonasit e Prespës gjejnë argumenta për të qënë të kënaqur. Bogdan Nikolla është më i moshuari në të gjithë zonën. Ka lindur në vitin 1918. Ai është i kënaqur me të drejtat që gëzon minoriteti maqedonas i Prespës dhe me bashkëjetesën në harmoni dhe paqe me shumicën shqiptare në zonat përreth, në Korçë dhe Pogradec. Bogdani zgjedh të flasë shqip, ndofta si një dëshmi kuptimplote të kësaj bashkëjetese.“Shkollat në të gjitha fshatrat i kemi në maqedonishjt, por kemi edhe shqip. Por më shumë i kemi në maqedonisht. Po kështu edhe meshat në kishën tonë i mbajmë në maqedonisht.” thotë Bogdan Nikolla.

Por Vasil Sterjanovski, një aktivist i mirënjohur për mbrojtjen e traditave dhe kulturës maqedonase, kryetar i grupimit politik “ Aleanca Maqedonase për Integrimin Europian” nuk është kaq i kënaqur sa 93 vjeçari Bogdan Nikolla. Ai thotë se qeveria e Tiranës duhet të tregojë më shumë vullnet politik në ruajtjen e gjuhës dhe të traditave kulturore të minoritetit maqedonas. “Sipas ligjit 60% e arsimit duhet të bëhet në gjuhën maqedonase. Por kjo mbetet në letër pasi nuk ka tekste shkollore dhe ky është një problem që shfaqet çdo vit.” thekson Vasil Sterjovski.

Kishë ortodokse në MaqedoniFotografi: DW

Brenga e asimilimit

Atë e shqetëson më shumë humbja e gjuhës nga brezi i ri që largohet nga zona e Prespës drejt Tiranës dhe qyteteve të tjera të mëdha, ku nuk ka shkolla apo kurse për të mësuar gjuhën maqedonase. Pasi vetëm minoriteti maqedonas që jeton në Prespë njihet zyrtarisht si i tillë dhe gëzon të drejtat që garanton Kushtetuta.“Problemi ynë është kur dalim jashtë Prespës, në qytete të Shqipërisë. Ne asimilohemi, sepse fëmijët tanë e harrojnë gjuhën pasi nuk kanë ku ta mësojnë. Shteti njeh si minoritet maqedonas vetëm zonën e Prespës dhe të Vërnikut, në Bilisht. Vetëm në këto dy zona kemi të drejtë si minoritarë për të mësuar gjuhën, jashtë kësaj zone nuk kemi të drejtë.” thotë Vasil Sterjovski.

Buxheti tejet i varfër i pushtetit lokal në fshatrat e Prespës, ku banon minoriteti maqedonas nuk mundëson financimin e aktiviteteve kulturore që ruajnë traditat. “Shqipëria harton ligje për mbrojtjen e kulturës dhe traditave të minoriteteve etnike, por ato duhet të implementohen, jo thjesht të mbeten në letra” thotë Vasil Sterjanovski.

Zëri i minoriteteve në median lokale elektronike - një fillim i mbarë

Por një iniciativë e grupimit politik “ Aleanca Maqedonase për Integrimin Europian ngjall shpresa se kjo situatë do të ndryshojë për mirë. Ky grupim ka marrë përsipër një detyrë jo të lehtë: të bëjë që të dëgjohet zëri i minoriteteve etnike në Shqipëri përmes programeve në një nga mediat elektronike të Korçës, në TV “ Kristal”. “Ky TV është i vetmi shembull në Shqipëri që synon të bëhet zëri i minoriteteve, i kulturës së tyre.” thotë Vasil Sterjanovski.

Aktivisti Vasil SterjanovskiFotografi: DW

Kjo nismë po përkrahet edhe nga Organizata ndërkombnëtare të pranishme në Tiranë që kanë marrë përsipër trajnimin e gazetarëve nga minoritetet që do të realizojnë programet në gjuhën maqedonase dhe në atë rome. Vasil Sterjanovski shpreson se përmes pranisë në median elektronike të zonës, minoritetit maqedonas do t'i dëgjohet zëri i tij dhe të drejtat që ai gëzon me ligj, do të realizohen në jetën e përditshme. Ajo që ky minoritet kërkon nga pushteti i sapozgjedhur lokal është hapja e fronteve të punës për rininë, zhvillimi i turizmit, shndrrimi i zones së Prespës, ku jeton minoriteti maqedonas, në një destinacion turistik, si e vetmja rrugë për zhvillimin ekonomik dhe kthimin e rinisë nga emigracioni.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi