061011 Despoten Außenpolitik
8 Tetor 2011
Para çdo vizite tek kryetarë të diskutueshëm shtetesh ka diskutime në Ministrinë e Jashtme Gjermane. Sa kohë duhet të mbahet rrokja e duarve? Mund të ulet vizitori nga Gjermania në një divan me një udhëheqës të tillë shteti? A mund të shkohet në një drekë të përbashkët? Kërkohet gjithmonë ekuilibri mes dialogut dhe distancës. Kerstin Müller nga partia e Të Gjelbërve, nga viti 2002 deri në vitin 2005 ka qenë ministre shteti në Ministrinë e Jashtme Gjermane. Ajo rikthen në mendje vizitat tek pushtembajtësit arabë dhe në vendet afrikanoveriore. Autokritike, ajo thotë se asokohe tek pushtembajtësi tunezian, Ben Ali, apo presidenti egjiptian Mubarak shiheshin aspirata perëndimore. "Kjo ishte e gabuar. Një gabim fatal. Në këtë pikë kemi ngatërruar stabilitetin me stanjacionin, dhe indirekt u kemi ndihmuar këtyre despotëve.
Nuk duhet harruar: Despotët nuk janë të përjetshëm...
Kerstin Müller, ndjek sot si opozitare politikën e jashtme gjermane në komisionin e jashtëm parlamentar gjerman. "Mësimi që kam nxjerrë është: Ne nuk do mundemi dot të ndëpresim çdo kontakt me regjime të tilla. Kjo nuk është një strategji e vlefshme. Por ne kemi nevojë për një kompas të saktë orientues në mënyrën e veprimit ndaj këtyre despotëve. Nuk duhet harruar që ata nuk janë partnerë për një kohë pafund, dhe se në momentin që vjen një lëvizje demokratike duhet ta mbështesim atë."
Gjermania duhet të qëndrojë në kontakt me udhëheqës shteti autokrat, mendon edhe Joachim Hörster nga partia qeverisëse CDU. Ai është anëtar në komisionin e jashtëm parlamentar gjerman. Argumenti i tij: "Është detyra jonë që të promovojmë modelin tonë në arenën ndërkombëtare, dhe të bëjmë të qartë që në një demokraci liritë individuale dhe ato politike janë shumë të rëndësishme, që kjo do të thotë edhe mirëqenie për këto vende. Dhe po qe se ne sjellim si shembull standartet tona, atëherë duhet t'i sjellim ato në arenën ndërkombëtare. Kjo do të thotë që vetëm kështu mund t'i drejtojmë kërkesën partnerëve që nuk vijnë nga shtete demokratike, se ata duhet t'i ndryshojnë marrëdhëniet e tyre."
Sukseset nuk trumbetohen
Si Joachim Hörster mendon shumica e politikanëve gjermanë, në bazë të motos: "Ndryshim përmes afrimit". Vetëm përmes një kontakti të afërt, mund të ndryshohen marrëdhëniet në shtetet me deficite në demokraci. "Kemi pasur aty këtu suksese. Sigurisht që ai nuk trumbetohet me të madhe nga qeveria për arsye të kuptueshme, pra ne nuk themi me zë të lartë që ia kemi dalë që ky apo ai shtet kanë pranuar liritë. Qeveritë përkatëse që kanë pranuar kërkesat tona do të ndjeheshin të degraduar në opinion."
Opozita kritikoi ministrin e Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle se ai nuk duhej të ishte ulur në një divan me presidentin iranian, Ahmedinexhad. Ekziston rreziku që diktatorët t'i përdorin foto të tilla, si me një ministër të Jashtëm gjerman për qëllime publicitare.
Kujdesi nga të papriturat...
Jan van Aken, zëdhënës i së Majtës për politikën e Jashtme. "Është shumë e vështirë. Sigurisht që bëhet një plan i vizitës, kur udhëton në një vend të tillë, ku thua që më parë unë dua të bisedoj me deputetët dhe zyrtarët e nivelit të ulët, por nuk dua në asnjë mënyrë takim me ndonjë politikan të nivelit të lartë. Por mund të ndodhë që çdo gjë del ndryshe kur je në vend. Papritur vjen dikush i nivelit të lartë, dhe ja ku bëhet edhe fotoja e famshme për shtypin. Pra mund të bëhet shumë e vështirë që ta mënjanosh këtë."
Qëndrueshmëri dhe jo tolerancë për çdo lloj kërkese të autokratëve. Kjo është deviza e politikës së jashtme gjermane.
Autor: Wolfgang Dick/Lindita Arapi
Redaktoi: Angjelina Verbica