1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mes kultit pagan, kishës dhe komercit - Ritualet e Pashkëve në Gjermani

Andreas Reiman17 Prill 2006

Gjatë Pashkëve të krishterët festojnë ringjalljen e Jezu Krishtit. I tradhëtuar dhe i kryqëzuar të premten e zezë, Krishti natën duke gdhirë e diela e Pashkës u ringjall - ky është simboli i ringjalljes për të gjithë besimtarët e krishterë

Küken auf einem Osterei, Ostern, Ei
Fotografi: AP

Festimet e Pashkëve

Danieli: "Ne vezët e Pashkëve i shpërndajmë në kopësht, më pas vjen lepuri i Pashkëve i mbledh ato dhe fsheh diçka që ne duhet ta gjejmë."

Rafaeli: "Ne veprojmë kështu: shkojmë të flemë dhe gjithnjë kur jemi në gjumë vjen lepuri i Pashkëve dhe shpërndan vezët, Por ai i fsheh ato shumë mirë. Ndaj ne jo gjithmonë i gjejmë ato. Ndonjëherë kemi kërkuar edhe ditë pasi kanë mbaruar Pashkët për t´i gjetur vezët, e gjithmonë gjejmë ndonjë shportë. Kaq mirë i fsheh lepuri vezët e Pashkëve."

Për Danielin dhe Rafaelin nga kopshti katolik i fëmijëve Shën Kuirini në Bon kulmi i Pashkëve është gjetja e vezëve të fshehura, e kështu mendojnë shumica e fëmijëve në Gjermani. Të dielën e Pashkëve lepuri i Pashkëve vjen dhe u sjell fëmijëve bombone, dhurata dhe vezë të ngjyrosura, ose çokollata në formë veze. Veza është një simbol i hershëm i festës kristiane të Pashkëve, shpjegon Gunter Hirshfelder, profesor i etnologjisë në Universitetin e Bonit: "Veza ka luajtur një rol qendror për Pashkët më së voni në mesjetë si dhe në antikën e vonë 1.000 vjet përpara ka pasur të dhëna për festën e pashkëve.

Simbolet e Pashkëve

Veza është simbol i jetës në liturgji ndaj veza shfaqet në variante të ndryshme. Kjo ka të bëjë kryesisht me faktin, që veza nuk hahej në periudhën e agjërimit dhe shërbente vetëm si dhuratë, ndaj në fund të agjërimit nëpër tryeza mblidheshin shumë vezë në forma të ndryshme, të ziera, të skuqura apo të përpunuara."

Në të kundërt lepuri për shkak të shtimit me deri në 20 këlyshë në vit konsiderohet si simbol i pjellorisë, sqaron Gunter Hirshfelder. Në këtë mënyrë lepuri është një prej simboleve pagane, që në pranverë simbolizon jetën e re në natyrë dhe më vonë kjo është shkrirë me mesazhin kristian të Pashkëve që është ringjallja. Për Joakim Gerhard, një prift evangjelist nga Boni, këto rituale përputhen në të njëjtin kontekst: "Mendoj, se festa e Pashkëve dhe ritualet e saj kristiane janë të pandashme prej ritualeve të pranverës. Madje përkon mjaft mirë, që festa e pranverës kur çelin lulet e mbin bari nëpër lëndina kremtohet si një festë e ringjalljes. Shpesh herë ndesh që ritet dhe zakonet pagane janë të lidhura me ato kristiane."

Disa rituale kristiane me kohë kanë humbur. Besimtarët e krishterë përpara agjëronin 40 ditët para Pashkëve, pra në të ashtuquajturën periudha e agjërimit që nis të mërkurën me djegien e maskave të karnavaleve në fund të shkurtit dhe vazhdon deri të djelën e Pashkëve. Në mënyrë rigoroze për këtë periudhë kanë qenë të ndaluara produktet shtazore si mishi, vezët, qumështi por edhe vera. Gjatë javës së të premtes së zezë ndiqeshin shërbesat fetare. Kjo periudhë lidhej me kohën, që Krishti e kaloi në shkretëtirë, një fazë kjo e pendesës dhe kthimit tek vetvetja. Sot kristianët në Gjermani mundohen t´i shmangin ëmbëlsirat, alkolin dhe cigaret. Fëmijët përgatiten gjatë periudhës së agjërimit për Pashkët duke bërë aplikacione dhe duke zbukuruar vezët e pashkëve.

Disa rite të Pashkëve kanë sfond krejtësisht fetar. Qingji i Pashkëve e ka prejardhjen nga rituali hebraik, sipas të cilit në festën e Pasas hahet mish qingji. Krishtërimi e ka marrë simbolikën e qingjit të kurbanit duke e barazuar atë me Jezuin, që vdiq për të gjithë njerëzit i kryqzuar. Krahas kësaj është edhe riti i qirinjve të Pashkëve që i përkasin si traditës hebraike ashtu edhe asaj të krishterë. Drita është shenjë e jetës.

Edukatorja e kopshtit katolik të Shën Kuirinit në Bon mundohet t´ua shpjegojë fëmijëve këto rite:"Ndezja e qiririt është shenjë e ringjalljes së Krishtit dhe fëmijëve të enjten e gjelbër përpara së premtes së zezë u jepet qiriri i Pashkëve me një degë palme. Ky bekohet në shërbesën fetare dhe fëmijët e marrin atë me vete në shtëpi dhe e ndezin të djelën e pashkëve tek hanë mëngjesin në familje."

Për Johanën e vogël mëngjezi i Pashkëve është kulmi i së djelës së pashkëve. Por deri sa të vijë kjo ditë ajo ka mjaft punë për të bërë: "Pikturoj vezët e pashkëve! Por ne edhe i blejmë ato atje ku blejmë gjithmonë vezët."

Pashkët dhe Komercializmi

Komercializimi është një nga aspektet më të rëndësishme të festës së Pashkëve në kohët tona. Tek e fundit në pranverë vezët e ngjyrosura, çokollatat në formë lepuri dhe veze, si dhe një sërë artikujsh të tjerë janë me bollëk në treg dhe blihen prej të gjithëve. Por kjo s´ka të bëjë me historinë e ringjalljes së Krishtit, thotë studjuesi Gunter Hirshfelder: "Shkurt mund të themi se kemi të bëjmë me rite pa besim. Pashkët sot janë të datë e rëndësishme feste, në epiqendër të së cilës nuk qëndron domosdoshmërisht liturgjia. Kjo është një datë që e feston industria e bomboneve dhe e çokollatave. Gjithashtu shumë njerëz i shfrytëzojnë këto ditë pushimi për të udhëtuar. Domethënia më e rëndësishme që ka p.sh. e premtja e zezë sot për një pjesë të madhe të popullsisë është e pakuptueshme, pavarësisht se e premtja e zezë është festa më e madhe protestante, dhe Pashkët bashkë me të tjera festa të mëdha kristiane janë periudha më e rëndësishme e vitit kishtar."

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW