1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Osten Kososova

25 Prill 2011

Festimet e Pashkëve në Kosovë po përcillen me mesazhe paqeje dhe dëshirë për një të ardhme më të mirë për të gjithë. Ato kremtohen për herë të parë këtë vit në Katedralen e re në Prishtinë

Neue Dom "Mutter Teresa" in Prishtina; Copyright: Vellezerit Dodaj; eingestellt: April 2011
Katedralja e re Nënë Tereza në PrishtinëFotografi: Vellezerit Dodaj

Simbolikë e ngadhnjimit të Krishtit mbi vdekjen dhe e dritës mbi errësirën ishte ndezja e zjarrit dhe e qiriut të Pashkëve në hyrje të katedrales së re „Nëna Terezë“ në Prishtinë, në të cilën u kremtua për herë të parë. Një ngjarje kjo e shënuar, thotë për Dojçe Vele-n, kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi.

Dode Gjergji, Ipeshki i KosovësFotografi: DW

“Sigurisht që kjo datë do të jetë edhe historike, sepse për të parën herë në këtë katedrale kremtohet solemnisht Vigjilja e Pashkëve dhe ringjallja e Krishtit, i cili solli shpresën në botë se njeriu nuk do të vdesë, por do të transformohet, sepse Zoti nuk ka krijesa që t´i hedh apo t´i shuaj. Ne në këtë besojmë!“

Dashuria dhe drita ngadhnjejnë mbi urrejtjen dhe errësirën

Shan Zefi, kancelar i Ipeshkvisë së KosovësFotografi: DW

Ceremonia e Vigjiljes së Pashkëve në katedralen e re në të cilën për herë të parë jehonin lutjet dhe këngët kishtare, për besimtarët katolikë është një festë e dyfishtë:

„Katedralja është simbolika e Gonxhes, e lules, e Nënës Terezës, e cila natyrisht di ta bashkojë popullin rreth një vlerë. Dhe fakti se ne dijmë të kremtojmë bashkarisht dhe të ofrohemi rreth tryezës së kësaj vlere, është e mira jonë e përbashkët. Sepse, Pashkët janë festa më emblematike dhe më domethënëse për të krishterët. Është festa që dëshmon se jeta ngadhnjen përballë vdekjes, drita përballë errësirës dhe e mira dhe dashuria përballë të keqes dhe urrejtjes”, thotë Sar Gjergji, 45 vjeç nga Stublla e Epërme e Vitisë.

Ndërsa, për David Mujin nga Gjilani, kjo është ndër netët më të lumtura:

„Për mua s´ka gëzim më të madh, sepse Krishtin e ndjej në zemër! Krishti ndjell vetëm paqe e dashuri. Prandaj, uroj që të gjithë njerëzit në botë të kremtojnë Pashkët në paqe e lumturi“.

David Muji i quan Pashkët si festë të veçantëFotografi: DW

Gurëthemelin e Katedrales e pati vënë presidenti Rugova

Përpjekjet për ndërtimin e katedrales së të Lumes „Nëna Terezë“ në Prishtinë zënë fill që në vitin 1993 kur delegacionit nga Kosova me në krye presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova iu dha premtimi nga Roma për ndertimin e një katedraleje. Don Shan Zefi i cili ishte në përbërje të këtij delegacioni, kujton:

„Që atëherë është dashur një periudhë e gjatë që çështja e katedrales të aktualizohet. Në 2003 kjo u bë realitet dhe ne ndër pesë projektet, zgjodhëm stilin romanik, si gërshetim i së kaluarës dhe i së tashmes. Gurëthemeli i Katedrales „Nëna Terezë“ në Prishtinë u vu në vitin 2005 ku ishin prezent i ndjeri imzot Mark Sopi, i ndjeri presidenti, dr.Ibrahim Rugova e po ashtu ishte i pranishëm edhe kardinali i Uashingtonit“, rrëfen Don Shan Zefi sipas të cilit ndërtimi i kompleksit dhjetë milionësh është kontribut i besimtarëve pa dallim shteti dhe feje.

Kontribut për katedralen pa dallim feje dhe shteti

Burimet janë kryesisht nga besimtarët tanë në Kosove dhe në diasporë, deri në SHBA, ku hyn edhe kontributi i besimtarëve të Ipeshkvive jashtë Kosovës, por sigurisht edhe nga vëllezërit muslimanë. Dmth, është projekt që i tejkalon suazat e një kishe vendore. Po ashtu, kanë ndihmuar edhe organizatat humanitare, siç është Renovabis në Gjermani dhe të gjithë kanë qënë të angazhuar për të arritur deri tek ky sukses.

Sar Gjergji feton Pashkët në katedralen e reFotografi: DW

Kosova shquhet për tolerancën ndërfetare. Kjo shihet edhe në tryezat e kremtave fetare, rreth të cilave mblidhen besimtarë të besimeve të ndryshme.

"Gjatë festës së pashkëve rrethohemi rreth tryezës më të begatë se zakonisht, me simboliken e bukës se pambrujtur si dhe të vezëve të ngjyrosura. Dhe, natyrisht unë kam shumë miq të besimit musliman të cilët vinë dhe kremtojnë bashkë me ne“, thotë Sari, të cilit çdo festë ja përtërin këtë ndjenjë.

Përbërja e përzier e besimtarëve vërehej edhe në ceremoninë e Pashkëve. Sepse, sipas Don Shan Zefit:

"Ne e kemi në gjene shpirtin tolerant dhe kjo padyshim vërehet edhe sonte, ku në katedrale kishim edhe besimtarë të besimeve të tjera. Kjo dëshmon se krishtërizmi për popullin e Kosovës nuk është i huaj, por është qënia e tyre. Prandaj edhe identifkohen me kulturën dhe civilizimin evropian“.

Në përkujtim të martirëve: Florit dhe Laurit


Katedralja kushtuar humanistes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, e cila do të jetë Qendër e Ipeshkvisë së Kosovës, do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët. Në katin përdhes do të jetë Qendra Kulturore “Pjetër Bogdani“ , e cila do të shfrytëzohet për seminare dhe për dialog ndërfetar, ndërsa hapësira e madhe e katedrales do të shërbeje për organizimin e operave dhe të koncerteve të ndryshme klasike.

„Në bodrum do të jetë edhe një kishë që iu kushtohet martirëve të parë të krishtërimit, Florit dhe Laurit, që ishin martirët e parë të Ulpianës dhe të Dardanisë. Do të përpiqemi me çdo kusht që në Prishtinë të sjellim diçka edhe nga reliktet e Nënës Terezës, sepse, ajo është shenjtore shqiptare dhe bota shqiptare, që i ka munguar një katedrale e tillë, e pret këtë nga ne“, plotëson Don Shan Zefi.

Ndërsa, urimi i Pashkëve i Ipeshkvit të Kosovës Dodë Gjergji për popullin e Kosovës është që:

„Populli i Kosovës, ndër më të përvuajturit në historinë e njerëzimit, të udhëhiqet nga njerëz të vullnetit të drejtë të cilët do të dinë t´i përmbushin nevojat e qytetarëve dhe nuk do të përfitojne kurrë në kurriz të të pambrojturve“.

Festa e Pashkëve është kremtuar edhe nga pjesëtarët e besimit ortodoks, liturgjia e të cilave është mbajtur në Prizren.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW