1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mesazhet e Krishtlindjeve

25 Dhjetor 2019

Zoti e do secilin njeri, "edhe më të këqinjtë", tha Papa Françesku në lutjen tradicionale në natën e shenjtë të lindjes së Krishtit. Në Vatikan ai bëri thirrje për mirëbesim dhe dashuri.

Vatikan | Weihnachtsmesse - Christmette im Petersdom
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Pizzoli

Rruga më e mirë për të ndryshuar veten, kishën dhe historinë është pranimi i dhuratës së Zotit, sikur që ka bërë edhe Krishti, që të duam të tjerët. Zoti i do njerëzit "në kohëra të mira dhe të këqija, në kohën e shëndetit të mirë dhe sëmundjeve, në kohën e lumturive dhe vuajtjeve", tha Papa.

Zoti nuk kërkon kundërshpërblim

Fotografi: AFP/M. al Shaer

Përderisa në tokë të gjitha bazohen tek "logjika e dhënies dhe marrjes", Zoti i përket secilit, pa kryer ndonjë shërbim si kundërshpërblim. "Dashuria e Zotit është e padiskutueshme: Ne nuk kemi bërë asgjë për të merituar këtë dashuri dhe kurrë nuk do të mund t'ia paguajmë", tha Françesku.

"Sa shpesh mendojmë ne se Zoti është i mirë, kur jemi edhe ne të mirë, ndërsa na denon nëse jemi të këqinj. Nuk është ashtu. Edhe pas mëkateve ai vazhdon të na dojë. Dashuria e tij nuk ndryshon, nuk është e paramenduar, por është pasojë e besimit, besnikërisë dhe durimit", nënvizoi Papa. Krishtlindjet shënojnë lindjen e dritës "për të tejkaluar errësirën e mendjemadhësisë njerëzore".

Papa nuk foli kësaj radhe për gjendjen e sotme në botë. Këtë të mërkurë ai do të mbajë edhe lutjen tradicionale "Urbi et Orbi", në sheshin qendror në Vatikan.

Festimet në Bethlehem

Fotografi: AFP/M. al Shaer

Edhe në tokën e shenjtë në Betlehem është festuar lindja e Krishtit. Prej Jerusalemit është nisur një konvoj me 40 makina, në një largësi prej rreth 40 kilometrash dhe ka shkuar në Bethlehem, në Jordanin Perëndimor. Procesioni është drejtuar nga Patriarkaja në tokën e shenjtë.

Me rastin e festës së madhe, Papa Françesku, Justin Welby, peshkopi nga Canterbury, dhe John Chalmers, si përfaqësues i Kishës Skoceze kanë dërguar një mesazh të përbashkët me ftesën për paqe në Sudanin Jugor. Prej vitit 2013 janë vrarë atje me dhjetëra mijëra njerëz, si pasojë e luftës qytetare. Më shumë se katër milionë janë detyruar të lëshojnë shtëpitë e tyre.

Gjermani: Temat sociale në qendër të vëmendjes

Fotografi: Imago/F. Gärtner

Në Gjermani tema qendrore e luftjeve dhe mesazheve ka qenë gjendja sociale në vend. Kryepeshkopi i kishës në Gjermani, Kardinali Reinhard Marx, tha se viti "2019 ka qenë vit i rritjes së tendosjeve, ndarjeve, pasigurive dhe frikës". Ai tha se të gjithë ne duhet të angazhohemi për të mirën e planetit tonë, për tejkalimin e frikës dhe mirëqenje. Me mesazhe të ngjashme janë deklaruar edhe përfaqësues të tjerë të kishës në këtë vend.

bc/haz/nob (dpa,kna, epd)