1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Sport

Messi largohet me lot në sy

8 Gusht 2021

Lionel Messi bëri të ditur përfundimisht se do të largohet nga Barcelona. Klubi i tij i ri, sipas të gjitha gjasave, do të jetë PSG.

Spanien | Pressekonferenz | Fußballer Lionel Messi
Fotografi: Joan Monfort/AP/picture alliance

Lionel Messi nuk mund t'i mbante lotët, ende pa filuar të flasë në konferencën për shtyp. Bashkëshortja e tij Antonella, e cila ishte ulur së bashku me tre djemtë e tyre në rreshtin e parë, i ofroi disa faculeta super yllit të FC Barcelonës. Emocionet nuk ndaleshin dot. "Kam menduar shumë ditët e fundit se çfarë të them. Por mua thjesht nuk po më kujtohet asnjë fjalë", tha Messi, me zë të ultë dhe të rënduar. "Ky është klubi që e dua dhe ky nuk është momenti që e kam pritur". Miliona tifozë në të gjithë botën ndoqën këto fjalë të tij në Internet.

Respekti i bashkëlojtarëve

Fotografi: Pau Barrena/Getty Images/AFP

Pas përfundimit të konferencës së Messit u ngritën në këmbë të gjithë bashkëlojtarët e tij të mbledhur dhe duartrokisnin. Edhe ata ishin të mërzitur dukshëm me këtë përfundim të papritur të karrierës së Messin në FC Barcelona. Messi tha se i ishte ngrirë gjaku kur kuptoi se përfunduan pa sukses negociatat për vazhdimin e kontratës me klubin e zemrës, ku kishte ardhur se  në vitin 2000, si 13-vjeçar. Por Messi nuk deshi të flasë për shkakun e dështimit të bisedimeve.

"Shumë klube janë të interesuara", u përgjigj 34-vjeçari, në pyetjen se ku do të vazhdojë karrierën. Por edhe ai pranoi se janë duke biseduar me klubin francez Paris Saint-Germain. Gazeta "L'Équipe" shkruan madje se është e mundur që kontrata të nënshkruhet këtë të hënë. "Do të fillojë një kapitull i ri, e ky është kapitulli më i vështirë në jetën time", tha Messi.

Ndarja e vështirë

"Për mua është jashtëzakonisht e vështirë. Unë tërë jetën kam jetuar këtu, nuk jam i përgatitur për largim", tha Messi. Edhe familja e tij ishte e bindur se karriera e super yllit argjentinas do të vazhdojë në Barcelonë. Messi ka ofruar që të heqë dorë nga gjysma e rrogës, por as kjo nuk ka ndihmuar. 

Vitin e kaluar ai donte patjetër të largohej nga Barcelona, por jo tani. Ai tha se do ta ketë shumë vështirë që të mos dëgjojë tifozët e Barcelonës kur thërrasin emrin e tij. Para vendit ku mbahej konferenca për shtyp ishin mbledhur me qindra tifozë. Policia kishte krijuar një hapësirë për kalimin e tij deri te hyrja. Ai do të dëshironte të ndahej nga tifozët në stadium, por kjo është e pamundur për shkak të Coronës. Konferenca zgjati rreth 40 minuta. Messi i dërgoi një buzëqeshje të shkurtër familjes së tij. Përqafoi bashkëlojtarët e ardhur në konferencë dhe u largua.

Fotografi: Albert Gea/REUTERS

Pas vete la 35 tituj të fituar me FC Barcelona. Ndërsa për të ardhmen tha se dëshiron që prapë të fitojë Champions League, ndoshta me PSG, ku luajnë yjet si Neymar, Kylian Mbappé (të cilin po e kërkojnë shumë klube të tjera), portjeri Gianluigi Donnarumma dhe ish-ikona e Realit Sergio Ramos, me të cilin në të kaluarën ka pasur kaq shumë duele jashtëzakonisht të ashpra.