Metalurgët grekë në grevë për 50 ditë me rradhë
20 Dhjetor 2011Për 50 ditë me radhë që nga 31 tetori, kur filloi greva e metalurgëve, si kundërpërgjigje ndaj lirimit nga puna të një kolegu tjetër të tyre, 50 gjithsej, në furrnaltën e uzinës së çelikut të Aspropirgut, pak para hyrjes perëndimore të Athinës, është shuar zjarri. Por gjithë këtë periudhë, si tepër e gjatë në kronikën e grevave greke, metalurgët me përkushtimin e tyre të njohur mbajnë të ndezur zjarrin tjetër, atë të rivendikimit të të drejtave të tyre të punës. “Ajo, që kërkojmë, është gjëja më e thjeshtë: Duam punë tetë orë dhe jo 5 orë, siç thotë punëdhënësi dhe më kryesorja rikthimin në punë të 50 kolegëve të liruar”, i thotë Deutsche Welles metalurgu Haris Manolis.
Ka 14 vjet që punon si metalurg në kushte të vështira, “në mënyrë të vullnetshme për secilin sigurisht”, siç pranon, “por jo të na quajnë edhe të privilegjuar”, sikurse shton. “Unë jam 21 vjet këtu, punoj në furrë dhe të ardhurat e mia së bashku me turnet e natës dhe të dielat ishin 1.250 euro neto. Tani zoti Manesis (sh. ynë: pronari i uzinës) do që t'i bëjë 600. Kam dy fëmijë, nuk ia dalim dot”, thotë në mikrofonin e DW metalurgu tjetër, Panajotis Kacaros, zëvendës sekretar i Shoqatës së Metalurgëve të Greqisë, i cili shton me një qetësi të admirueshme se “është i gatshëm t'i lirojë vendin kujtdo, që i sheh këto si privilegje”.
Kompania flet për “shkurtime të përkohshme” e akuzon metalurgët për “qëndrim të ngurtë”
Por kompania, që i referohet krizës dhe thotë se gjithçka e bën “për mbijetesën e uzinës, kur porositë në tregun e brendshëm kanë renë 70% nga fillimi i vitit 2008 për shkak të krizës”, gati sa nuk i quan “bukëshkalë” grevistët. “E vetmja gjë, që kërkuam për një periudhë të caktuar katërmujore, deri më 29 shkurt, është puna me orar të reduktuar, që të mos ulim pagat dhe të mos bëjmë lirime të tjera”, thotë Janis Karajanis, drejtor i përgjithshëm i metalurgjisë, që pritet të mbajë të njejtin qëndrim edhe në takimin pajtues tripalësh (metalurgë, punëdhënës, ministri) të kësaj të merkure në ministrinë e Punës. “Na thanë për katër muaj. Propozimi ynë i fundit është që nga fillimi i muajit tjetër te kthehemi në rendin e mëparshëm, por kompania nuk jep garanci me shkrim. Synon të shkallmojë kontratën e përgjithshme të punës dhe të kalojë në kontrata personale ”, thotë Haris Manolis, i cili kujton se “tre vitet e fundit nuk kanë marrë asnjë cent shtesë dhe as lejet e beharit”, pra është e padrejtë të thuhet se “metalurgët janë të ngurtë si çeliku”.
Mitingje solidariteti nga sindikatat, që flasin për “luftë të drejtë”
Mund të thuhen dhe shumë gjera të tjera nga kundërshtarët e grevës, që nuk është vetëm bordi drejtues i uzinës. Një gjë ndërkohë nuk mund të injorohet, solidariteti i madh që ajo ngjalli. Me parullën “mjaft më” e gjithë zona industriale Fushë Thriasio, ku është përqendruar 40% e industrisë së rëndë greke dhe ku bën pjesë uzina e çelikut, më 13 dhjetor u ngrit në grevë të paparë solidariteti. Në qendër të Athinës deri tani janë mbajtur dy manifestime. “Është një luftë e drejtë, përpiqen të mbrojnë punën dhe të ardhurat e tyre. Kështu që obligim i çdo punonjësi është që të qendrojë në krah të tyre”, i thotë DW një i ri, Jorgos Konstandarakos, i cili sheh tek greva “një avantpostë për punonjësit e Greqisë dhe gjithë Evropës”. Jorgoja ka ardhur nga Pireu me “ndihma në para dhe ushqime të mbledhura nga qytetarët”, por edhe për ndihmë morale si psikolog, që është në profesion.
Në krah të metalurgëve edhe qytetarë të thjeshtë, që i ftojnë “të rezistojnë”
Përditë por edhe përnatë me dritat e alarmit të ndezura përpara uzinës së çelikut, përgjatë autostradës, sheh autovetura të parkuara, që mbartin gjithfarë ndihmash, por edhe qytetarë, që duan t'u shprehin solidaritetin grevistëve. “Në qoftë se ky qytet do të kishte një zemër, kjo këtu do të ishte zemra, që rreh dhe ndjen në mesin e metalurgëve, të cilët në këmbë dhe të pamposhtur luftojnë dhe rivendikojnë të drejtat e tyre dhe të nesërmen. Ata përcjellin një profil dhe fotografi të madhe për të gjithë ne”, i thotë DW Filon Lemonis, përfaqësuesi i rrjetit të organizatave të shëndetit psikik. Erdhi me ndihma, siç thotë, për të shprehur në praktikë një “falenderim të madh metalurgëve, që rezistojnë, se po u thyen ata, nuk i dihet se çdo të bëhet në prapavijë”.
Greva e metalurgëve përfton pra një simbolikë të veçantë, kur papunësia për shkak të krizës ka marrë përmasa të frikshme dhe janë shkallmuar marrëdhëniet e punës. “Metalurgjia ishte thjesht flaka, që të fillojë të zgjohet pak klasa punëtore, që merr goditje nga të gjitha anët, pavarësisht emrit që mund të kenë kundërshtarët e saj, kapital, bankierë apo trojkë” thotë sindikalisti i së majtës Panajotis Kacaros që ka në krah gjithë këto ditë, “ashtu si në jetë”, edhe të shoqen e tij, Sofinë. “Vetem me fitoren, nuk mund të kthehem ndryshe në shtëpi” thotë Sofia. Mjafton që zjarri i fuçisë në hyrje të uzinës rreth të cilit mblidhen metalurgët, jo aq shumë për tu ngrohur mbremjeve ende të buta greke të dhjetorit, të mbahet ndezur…
Autor: Niko Anagnosti
Redaktoi: Angjelina Verbica