1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Midis nostalgjisë, amnezisë dhe alergjisë

Aida Cama15 Dhjetor 2005

Si kujtohet periudha e socializmit shtetëror në Europën Juglindore?

Rrëzimi i monumentit të Leninit në Lituani, Gusht 1991.
Rrëzimi i monumentit të Leninit në Lituani, Gusht 1991.Fotografi: AP

Kujtimet mbi periudhën socialiste, përbëjnë sot një aspekt shumë të rëndësishëm të eksperiencave individuale dhe kolektive në vendet e Europës juglindore. Kujtimet mbi periudhën socialiste janë pjesë e realitetit dhe identitetit shoqëror në Ballkanin postkomunist. Në mënyrën e të kujtuarit të socializmit ndikojnë shumë raportet aktuale. Kjo shihet për shembull në një lloj nostalgjie ndaj asaj periudhe, nostalgjie që i ka rrënjët në problemet e mëdha sociale të periudhës 15 vjeçare postsocialiste. Por jo vetën në formë nostalgjie. Edhe në formë amnezie apo alergjie shfaqen sot kujtimet ndaj socializmit shtetëror, vërejnë studiuesit e mbledhur në një konferencë në Berlin.

Kujtimet mbi socializmin real ne Europën juglindore kanë qenë deri objekt i pakët për studime. Prandaj konferenca e zhvilluar në Berlin kërkon të japë impulse të reja në fushën studimore. Nën temën "Midis nostalgjisë, amnezisë, alergjisë"konferenca mblodhi studiues nga fusha e historisë, antropologjisë, sociaologjisë, psikologjisë dhe shkencave kulturore të gjithë të fokusuar në kujtimet mbi komunizmin.

Kujtesa është proces me të cilin grupe të ndryshme artikulojnë kujtime të cilat mund të jenë divergjente apo konvergjente. Kujtimet mund të artikulohen në kuadër publik apo në atë privat.

Muzeumet dhe monumentet shenja të kujtesës kolektive


Meqenëse nuk mund të thuhet se ekziston kjo apo ajo formë e kulturës së kujtesës, dhe meqenëse studimet janë me volum shumë të madh kur bëhet fjalë për 25 shoqëri nacionale, është rënë dakort që për shembull të bëhen studime të paraqitjes së komunizmit në monumente apo muzeume. Në këtë aspekt, vendet janë në faza të ndryshme, që nga Hungaria apo vendet baltike ku ekzistojnë muzeume mbi periudhën socialiste deri tek Bullgaria ku nuk është ngritur asnjë muzeum.

Një referues nga Moldavia ka vërejtur itineraret e zhvendosjes së monumenteve të
Leninit në 15 vitet e fundit, për të treguar se si influencohet qëndrimi ndaj atij sistemi prej raporteve aktuale në vend. Nga qendrat e qyteteve, monumentet e Leninit u zhvendosën në periferi, pastaj u kthyen sërish në qendër, dikur u shitën, por sot për shkak të raporteve politike në vend monumentet e Leninit blihen nga Ukraina për t`i vendosur sërish në qendër të qyteteve moldave.

Komunizmi fe civile?


Disa nga studiuesit e krahasojnë komunizmin me një lloj feje civile, pamvarësisht se elemente fetare ekzistojnë në shumë sisteme. Stefan Troebst, Prof. në Universitetin e Lajpcigut është skeptik për këto krahasime, sepse për të komunizmi kishte më shumë të bënte me pushtetin dhe dhunën se sa me fenë. Megjithatë për rof. Troebst:

"Bolshevikët përdorën shumë metoda fetare. Unë nuk dua të them se ka patur ndonjë strategji zyrtare politiko-historike, por ndërthurje të ideologjisë me fenë ka patur. Dikur u arrit në një pikë ku nuk mund të bëheshin më korrigjime. Gjuha simbolike e Partisë ishte me rrënjë të thella tek feja. Meqenëse Partia merrte vendime mbi mënyrën e të shkruarit të historisë, dhe së bashku me të dhe të kulturës së kujtesës, atëherë sedimentet fetare mbetën përgjithnjë. Sot ekziston situata groteske ku traditat e kulturës së kujtesës ecin paralelisht dhe në harmoni me njëra tjetrën"

Për shembull në Bullgari, pas ndryshimit të sistemit nuk ishte e nevojshme të hiqeshin monumentet e kohës së komunizmit, sepse shumë prej tyre vërtet që ishin të lidhura me periudhën e sistemit komunist për shkak të kohës nga vinin, por vazhdojnë të vlejnë edhe sot, dhe sot e sheh se ato monumente janë monumente fetare, jo vetëm në formën e gjuhës por edhe në përmbajtje.

"Në të gjithë sektorët e shtetit dhe të shoqërisë që ndikojnë në kulturën e kujtesës shihen komponente fetare", thekson Stefan Troebst. Deri tani "komunizmi zëvendësoi fenë" ka mbetur vetëm hipotezë. Për ta provuar konkretish atë do zhvillohet një projekt.

Kujtesa mbi kmunizmin nuk ka referencë nacionale

Ajo që vihet re është se në lidhje më komunizmin, kultura e kujtesës nuk ka referencë të vetën nacionale, por Europa qëndrore dhe lindore perceptohet për shembull nga besimtarët në Poloni si rajon historiko kulturor.

Ka vende që e kanë perceptuar komunizmin si ideologji të eksportuar nga jashtë, madje shpesh herë nga armiq që nuk i kanë dashur të mirën kombit. Shembuj të tillë vijnë nga Kosova ose nga vendet baltike.

Njerëzit nuk kanë kujtime mbi komunizmin

Joja Oltea, psikologe në Bukuresht, ka vërejtuar në praktikën e përditshme profesionale se kur i pyet për kohën e komunizmit pacientët e saj përgjigjeshin
sipas stereotipeve:"komunizmi ka qenë i mirë" apo "komunizmi ka qenë i keq". Me këtë përvojë ajo i hyri një studimi më studentët e psikologjisë të cilët i pyeti se çfarë kujtojnë ata nga periudha e para 1989-ës, çfarë kujtimesh kanë, përjetimesh të veçanta nga ajo periudhë dhe se a bisedohet në shtëpi apo diku tjetër për atë kohë, dhe se çfarë bisedohet. Në shumicën e rasteve ajo ka vënë re se "njerëzit nuk kanë kujtime" ose nuk duan të kenë. Për atë periudhë nuk flitet por heshtet. Ndaj Oltea flet me studentët për heshtjen. Ajo vëren se tema është shumë e rëndë për njerëzit dhe se ata janë shumë të emocionalizuar kur flasin për atë periudhë. Fillimisht studentët flasin shumë mirë për atë kohë sipas një modeli ngjyrë rozë, ku edhe mund të pyetet nëse kjo nuk është mbetje e propogandës komuniste. Nga studimi i saj Oltea ka parë se zgjat kohë deri sa studentët arrijnë të thonë "ai sistem ishte i tmerrshëm".

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW