1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

111109 Schweinegrippe Bulgarien

11 Nëntor 2009

Qysh nga 9 nëntori në Bullgari është shpallur gjendjen e epidemisë së gripit në nivel kombëtar. Farmacitë janë thuajse të boshatisura.

Maskat nuk ofrojnë mbështetje të mjaftueshme nga gripi i derrave
Maskat nuk ofrojnë mbështetje të mjaftueshme nga gripi i derraveFotografi: picture-alliance/ dpa

'Avantazh gjenetik' ndaj gripit të derrit?

Deri para pak javësh gripi i derrit ende nuk ishte temë që të tërhiqte vëmendjen në peridoikun e Bullgarisë. Madje një gazetë njoftonte si gjysmë me shaka e gjysmë seriozisht, se pandemia nuk është e rrezikshme për bullgarët, pasi ata kanë një "avantazh gjenetik" kundrejt popujve të tjerë. Ky avantazh gjenetik është krijuar në rrjedhën e shekujve nga lidhja e ngushtë me kafshët shtëpiake si dhe nga puna intensive në bujqësi dhe me kultivimin e bagëtisë.

Ndërkohë në media ky ton entuziast është shuar. Në fundjavë pati dy raste vdekjeje nga gripi. Gazetat bullgare ua bënë me dije lexuesve të tyre këtë lajm të hënën, më 9 nëntor. Disa agjenci dhe radioja kombëtare jepnin informacione mbi numrin e të infektuarve dhe të të vdekurve si dhe për situatën në rajone të veçanta. Angel Kunchev nga Ministria bullgare e Shëndetësisë beson, se kulmi i epidemisë do të arrihet ndoshta brenda 2-3 javësh:

"Tani për tani është arritur kuota me rreth 200-210 të sëmurë ndër 10.000 persona , madje ajo është tejkaluar. Kjo do të thotë, se rreth 150.000 persona në Bullgari kanë simptomat e gripit të derrit. Kjo gjendje është identike me ato të rasteve të mëparshme të gripit intensiv dhe të kushtëzuar nga sezoni."

6 milionë euro shtesë për profilaksinë dhe luftën kundër gripit të derrit

Kuota më e lartë e sëmundjeve është shënuar në disa rajone në veri dhe në juglindje të vendit si në Jambol, Burgas, Pleven dhe Gabrovo. Edhe pse kuota e të infektuarve nuk është kudo e lartë, ndërkohë të gjitha shkollat e vendit janë mbyllur. Prindërit të shqetësuar nuk i kanë lejuar fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë, nga frika e ngjitjes së gripit dhe janë duke marrë masat për t' u kujdesur për fëmijët e tyre në ambjente shtëpie.

Qeveria bullgare ka vendosur të vërë në dispozicion 12 milionë leva, afërsisht 6 milionë euro, si fond shtesë për profilaksinë dhe luftën kundër gripit të derrit. Me këto para duhet të financohen sasi shtesë preparatesh të tilla, si Tamiflu dhe Relenza. Bullgaria aktualisht nuk posedon asnjë vaksinë kundër virusit të ri A /H1N1/. Përfaqësues të partisë në pushtet GERB kritikojnë ish-ministrin e Shëndetësisë Evgenij Zhelev, i cili nuk ka vepruar me kohë. Ai dhe ekipi i tij i kanë kaluar në heshtje paralajmërimet dhe nuk kanë vendosur marrëveshje për blerjen e vaksinave kundër gripit. Parlamenti duke u orientuar nga shembulli i Gjermanisë do të miratojë ndryshimet përkatëse ligjore.

Nëpër farmacitë e vendit ndërkohë si pasojë e blerjes në panik mungojnë maskat, vitaminat dhe mjetet desinfektuese. Kryeministri Bojko Borisov u detyrua të tërheqë vëmendjen personalisht për mospërhapjen e panikut dhe të histerisë nga mediet. Numri i të vdekurve nga aksidentet në trafik në Bullgari është shumë më i lartë se i të vdekurve nga gripi i derrit, fakt ky për të cilin askush nuk shqetësohet, u shpreh ai. Edhe profesor Angel Galabov, Drejtor i Institutit të Mikrobiologjisë pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, shprehet me tone qetësuese:

"Mbajtja e maskës nga njerëzit e shëndetshëm, gjë që po përhapet shumë, nuk ka ndonjë efekt të veçantë dhe në aspektin mjekësor, kjo është një masë pak a shumë me efekt psikologjik."

Autor: Bistra Seiler/Vilma Filaj -Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi