Migracioni është një problem evropian
29 Qershor 2018„N.N. - Imigrant - mashkull" - kjo është gjithçka që është shkruar në pllakën e varrit në varrezat e qytetit të vogël, Bratunac. Kështu është e paqartë se kush është personi që është mbytur në lumin e Drinit në Serbinë fqinjë, kur ka qenë duke u përpjekur të hyjë në Bosnjë. Të paktën 15 ditë ka qëndruar trupi i pajetë në ujrat e ftohta akull, para se të dilte në sipërfaqe dhe të nxirrej jashtë në fillim të muajit qershor. Vetë simboli që ndodhet në pllakën e drurit të lyer në ngjyrë jeshile, që ndodhet sipër varrit, bazohet në supozimin se i mbyturi ka qenë mysliman. E dëshmuar kjo nuk është, prandaj hoxha lokal ka refuzuar deri tani të bëjë një ceremoni fetare varrimi.
Kur qeveria hungareze ngriti një gardh me tela në kufirin me Serbinë në korrik 2015, për të penguar që imigrantë të tjerë të përdornin "Korridorin e Ballkanit" për të ardhur nga Turqia nëpër Greqi, Maqedoni, Serbi për në Hungari dhe kështu në Bashkimin Evropian, u bë e qartë se shumë të tjerë që ndodheshin në rrugë drejt BE, sidomos refugjatë nga rajonet e krizave në Azi, do të kërkonin dhe gjenin rrugë të reja për në Perëndim. Kështu që prej kohësh është ngritur "korridori i ri Ballkanit" nëpër Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnjë deri në Kroaci, që është një vend i BE-së.
Që prej fundit të vitit të kaluar është bërë e qartë se gjithnjë e më shumë migrantë mbërrijnë në Bosnjë gjatë rrugës së tyre në drejtim të BE-së. Pjesa më e madhe e këtyre njerëzve vijnë nga Pakistani, Afganistani, Siria, Iraku dhe shtetet e Afrikës veriore. Ata futen në pjesë të ndryshme të kufirit si në Serbi ashtu edhe në Mal të Zi, për të shkuar më në Perëndim në kufirin kroat. Në qendër të Sarajevës refugjatët kanë krijuar një fshat me çadra, ku ata qëndrojnë deri sa autoritetet lokale i marrin e i dërgojnë në një kamp refugjatësh të ngritur në Salakovac, në afërsi të Mostarit.
Nëpër Kroaci për në Evropën Perëndimore
Në afërsi të kufirit kroat ndodhet Velika Kladuša. Autoritetet aty janë ngritur kundër hapjes së një qendre për pritjen e migrantëve. Ata kanë frikë për sigurinë e qyterarëve të qytetit të vogël boshnjako-perëndimor dhe përdorin si dëshmi rastin e një migranti nga Maroku, i cili u vra gjatë një konflikti me refugjatë të tjerë. Edhe në kampin e refugjatëve në Salakovac, ka pasur rrahje midis migrantëve, në të cilat u plagos një person. Incidentet kanë shqetësuar pjesë të popullsisë që kërkojnë angazhim efektiv të policisë dhe pakënaqësia për prezencën e migrantëve shprehet gjithnjë e më hapur dhe me zë më të lartë.
Nga Bosnja Perëndimore migrantët mundohen të arrijnë Kroacinë, duke u futur kështu në BE. Qëllimi i deklaruar është kryesisht Gjermania. Por edhe vende të tjera të BE-së si Italia dhe Austria. Për të penguar futjen e pakontrolluar nga Bosnja në Kroaci, forcat e sigurisë të të dy vendeve kanë forcuar kontrollin kufitar. Kalimi ndërkombëtar në Maljevac u mbyll përkohësisht.
„Kroacia do bëhet shpejt vend i zonës së Shengenit," thotë eksperti për çështjet e sigurisë Sandi Dizdarević, „prandaj siguria e qytetarëve kroat është rritur në maksimum. Migrantët që mundohren të largohen nga Bosnja, pengohen. Nuk duhet harruar që 25 vjet pas luftës, shumë territore janë ende të minuara."
Rojet e kufirit të mbingarkuar
Policia kufitare e Bosnjës ka shtuar kontrollin si në anën kroate ashtu edhe serbe dhe malazeze. Kështu duhen penguar hyrjet e refugjatëve në vend si dhe daljet e tyre në BE. Drejtori i policisë, Zoran Galić kërkon nga punonjësit e tij gjithnjë e më shumë fleksibilitet, sepse migrantët gjejnë gjithnjë e më shumë rrugë të reja nëpër shpate ose lumenj. „Por mbas shumë muajsh angazhimi të shtuar pa personel shtesë kapacitetet po shterohen si ato njerëzore ashtu edhe teknike", thotë Galić. Këtë ai e thotë megjithëse që prej javës së kaluar ka pasur shtesa në njësitë policore të kufirit.
Srećko Latal, analist politik dhe ish-punonjës i Think Tank-ut „International Crisis Group" (ICG) thotë se Bosnjë Hercegovina dhe vendet e tjera të Ballkanit nuk janë në gjendje të zgjidhin të vetme problemet që kanë dalë. „Pa ndihmë thelbësore nga BE-ja, Bosnja dhe vendet e tjera të Ballkanit do të bien këtë vit në krizë migracioni, me pasoja të rrezikshme", thotë Latal për DW.
Mbyllja e kufijve e pamundur?
Bosnja ose çdo vend tjetër duhet të jetë në gjendje të mbyllë kufijtë, nëse e bëjnë këtë vendet e BE-së dhe kryesisht Kroacia, thotë Latal më tej. Por duke pasur parasysh malet e larta dhe luginat e thella të lumenjve si gjatë kufirit lindor ashtu edhe gjatë atij perëndimor vihet në pyetje a është e mundur kjo në përgjithësi. Sidoqoftë "nevojitet shumë ndihmë, ndihmë konkrete dhe shejtë nga BE," thotë Latal.
Ndihmë nga Evropa kërkon edhe Bosnja zyrtare. "Migracioni ilegal kërkon ndërhyrje evropiane", tha ministri për Çështjet e Sigurisë, Dragan Mektić në një takim me shtetet e Ballkanit Perëndimor ditën e martë në Bruksel (19.6.). Ministrat ishin dakord, që kontrolli në rritje i kufirit, lufta kundër kontrabandistëve dhe pengimi i përbashkët i lëvizjeve të parregullta të njerëzve do të vazhdojnë të mbeten prioritet si për BE-në ashtu edhe për Ballkanin Perëndimor.
Bashkimi Evropian i ka premtuar Bosnjë Hercegovinës ndihmë prej 1,5 milionë eurosh për të përballuar krizën e migracionit. Kjo do të lehtësonte sistemimin e refugjatëve në vend, por nuk do t'i japë fund lëvizjeve në korridorin e ri ballkanik. Deri më 17 qershor në Bosnjë janë regjistruar 6.643 migrantë në Bosnjë, 611 prej të cilëve kanë kërkuar azil. Organizatat humanitare mendojnë, se muajt e ardhshëm deri 50 mijë refugjatë do të hyjnë në Bosnjën me 3,5 milionë banorë.