1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Migrantë të rinj kualifikohen si kujdestarë me profil multikulturor

Bianca Schröder / Vilma Filaj-Ballvora8 Maj 2013

Krijimi i perspektivave dhe përballimi i mungesës së personelit të kualifikuar në sektorin e kujdestarisë janë qëllimet e shkollë sprofesionale të hapur para një vitit në Berlin „Paulo Freire“.

Fotografi: DW/B. Schröder

Shumë refugjatë dhe migrantë në Gjermani nuk kanë dëftesa shkolle apo diploma profesionale, që njihen nga sheti. E megjithatë për ta ka nevojë urgjente në sektorin e përkujdesjes për të moshuarit, sepse në azilet gjermane për të moshuarit gjithnjë e më shumë strehohen edhe migrantë. Shkolla profesionale e Berlinit "Paulo Freire" u hap tani portat migrantëve të rinj për t'u punësuar në sektorin e përkujdesjes për moshën e tretë duke ofruar kualifikimin për asistentë socialë me diplomë të njohur nga shteti.

Nëpër spitale dhe azile ka gjithnjë e më shumë migrantë, të cilët e flasin fare pak gjermanishten. Ky është një problem për personelin kujdestar, sepse me gjuhën e huaj kirjohen edhe pengesa kulturore: zakonet, nevojat dhe dëshirat tek të sëmurët me origjinë të huaj janë shpesh ndryshe nga ato të pacientëve gjermanë. Kësisoj janë mjaft të kërkuar infermierët dhe kujdestarët me njohuri të gjuhëve të huaja dhe me kompetencë ndërkulturore. Nga ana tjetër të rinjtë me origjinë migracioni, të cilët pjesërisht janë arratisur prej atdheut të tyre, shpesh e kanë të vështirë të gjejnë një vend pune në Gjermani. „Qendra për Mbijetesë“ në Berlin, një bashkim i disa organizatave të ndihmës, i bën ballë këtij problemi në një mënyrë inovative: Qysh prej një viti këtu shkolla e kualifikimit profesional "Paulo Freire" përgatit migrantë dhe refugjatë si asistentë socialë duke pasur në fokus kujdestarinë për njerëzit në nevojë.

Më në fund një perspektivë profesionale

Në qendrën e kujdestarisë ditore me profil multikulturor në lagjen Moabit një grup të moshuarish turq janë mbledhur në takimin e mëngjesit. Në program sot është ushtrimi i memorjes. Praktikanti Najib Jakobi u jep atyre detyrën: Gratë dhe burrat, në moshë të thyer, që kanë nevojë për kujdestari duhet të përkthejnë nga gjermanishtja në turqisht emra kafshësh. I riu nga Afganistani Najib Jakobi është përgatitur duke i parë fillimisht vet në fjalor emrat përkatës, sepse ai vet nuk e njeh turqishten, gjuha e tij e mëmës është uzbeke, ndonëse midis dy gjuhëve ka ngjashmëri, për të turqishtja është gjuhë e huaj.

25 vjeçari është duke ndjekur kurs kualifikimi profesional në shkollën "Paulo Freire" për t'u bërë asistent social, ndërkohë ai është duke bërë praktikën në qendrën e kujdestarisë ditore për të moshuarit. Atij i pëlqen puna me të moshuarit. "Më duhet ta them sinqerisht, unë jam rritur me gjyshen, ajo është kujdesur për mua, e është pikërisht kjo dashuri, që unë ende e kam, së dyti unë dua të punoj me të moshuarit duke biseduar me ta, duke marrë përgjigje prej tyre, sepse nuk më pëlqen që të ulem në një dhomë me kompjutera dhe të mos komunikoj me askënd."

Jakobi ka ardhur 14 vjeç pa familjen e tij në Gjermani dhe u vendos në Fürstenwalde të Brandenburgut. Shumë vjet atij iu desh të priste për të marrë lejen e përhershme të qëndrimit. Tani ai e di, se mund të qëndrojë në Gjermani dhe se ka një perspektivë profesionale. Drejtori i shkollës Marco Hahn thekson, se sa e rëndësishme është njohja shtetërore e diplomës së shkollës profesionale "Paulo Freire": "Deri më sot ne ofronim kurse bazë për kujdestarinë, të cilat nuk njiheshin nga shteti, ndaj kualifikimi të linte si të thuash në qorrsokak. Ndërsa tani nxënësit kanë mundësinë, që ta ushtrojnë profesionin pas dy vjetësh, ose të vazhdojnë kualifikimin edhe për dy vjet të tjera."

Pas kualifikimit profesional dyvjeçar nxënësit mund të punojnë si asistentë socialë, me një dipomë të njohur nga shteti, ose ata mund të vazhdojnë edhe dy vjet të tjera kualifikimin dhe pas provimeve të marrin diplomën si infermierë. Ata që ndjekin këtë shkollë janë mjaft të kërkuar, thotë Hahn. Oferta e shkollës profesionale është e mirëpritur nga punëdhënësit: "Unë besoj, se kjo është përgjigja e duhur ndaj mungesës së personelit të kualifikuar veçanrisht në sektorin e kujdestarisë."

Najib Jakobi gjatë praktikës në qendrën e kujdestarisë ditore në Berlin MoabitFotografi: DW/B. Schröder

"Paulo Freire" u ofron nxënësve edhe konsulencë e mbështetje sociale

Ndërkohë në këtë shkollë mësojnë 45 nxënës të moshës 17 deri në 40 vjeç. Shumica e tyre kanë origjinë turke, arabe, kurde, ose vijnë nga Kenia, Kameruni apo Brazili. Ata përfitojnë njohuri të gjera mbi kujdestarinë për të sëmurët dhe të moshuarit në nevojë për kujdestari, por gjithashtu ata marrin edhe kulturë të përgjithshme në lëndën e gjermanishtes dhe muzikë. Nisur nga historitë jetësore që kanë këta nxënës, të cilëve shpesh u duhet të përballojnë barra të vështira nga e kaluara, shkolla u ofron atyre edhe konsulencë në drejtime të ndryshme. si p.sh. përmes punonjësve socialë apo ekspertëve për të drejtën e qëndrimit.

Gati gjysma e nxënësve të shkollës profesionale duan që pas përfundimit të saj të nisin punën si kujdestarë për të sëmurët. Ndërsa të tjerë preferojnë të punojnë si asistentë socialë. Najib Jakobit i ka pëlqyer kaq shumë puna gjatë praktikës në qendrën e kujdestarisë ditore, saqë ai dëshiron të punojnë në një qendër të tillë me migrantë të moshuar. Kjo pasi ai e ka kuptuar, se pikërisht këtu ka nëvojë për të: "Eshtë shumë mirë, që në një qendër të tillë të ket edhe burra si kujdestarë, sepse shumë burra të moshuar këtu preferojnë më mirë që për ta të kujdesen djem."

Numri i nxënësve të shkollës profesionale "Paulo Freire" nisur nga përvoja pozitive së shpejti pritet të arrijë në 100. Drejtori i shkollës Marco Hahn thotë, se gëzohet, që ka mundësinë t'u ofrojë perspektivë edhe më shumë migrantëve: "Ky është qëllimi ynë, që ne të mund t'u japim një bazë solide njerëzve, në mënyrë që ata të kenë të ardhurat e tyre dhe ta ndërtojnë vet jetën e tyre në Gjermani."