1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mikroshteti Liberland mes Kroacisë e Serbisë

14 Gusht 2017

Vija kufitare mes ish-republikave jugosllave është e pasqaruar në disa pika. Një shembull është brezi kufitar mes Kroacisë e Serbisë pranë Danubit. Një çek ka shpallur aty republikën e Liberlandit.

Freie Republik Liberland Polizeiboot
Fotografi: S. Kljajić

Një restorant i vogël në bregun e majtë të Danubit, i fshehur nën urën që lidh Serbinë dhe Kroacinë. Pronari Pera, i njohur edhe me nofkën e papagallit pi birrë me një mikun e tij, ndërkohë që në tenxhere zien gjella me speca e peshk. Ky restorant bën pjesë në dy shtete – në Serbi, sepse atje duhej regjistruar biznesi, dhe në Kroaci, sepse ashtu qëndron në zyrën e kadastrës. Dy dekada pas shpërbërjes së Jugosllavisë, serbët dhe kroatët ende nuk kanë rënë në ujdi, se ku kalon kufiri i përbashkët në Danub dhe kujt i përket secila pjesë.

Në një kohë që Serbia e sheh vijën kufitare në mesin e vijës ujore lundruese, Kroacia pretendon se orientuese duhet të jetë përkatësia kadastrale e ndërtesave dhe zonave të banuara në të dyja anët e Danubit. Sipas kroatëve 10.000 kilometra kuadrat të komunave serbe Apatin, Sombor e Bačka Palanka i përkasin në të vërtetë Kroacisë, për palën tjetër rreth 1000 kilometra kuadrat në bregun përballë i përkasin Serbisë.

Flamuri i LiberlanditFotografi: S. Kljajić

Komisioni i posaçëm pa sukses

Grindje të tilla i gjen gati mes të gjitha shteteve pasuese të Jugosllavisë. Në fund të qershorit Gjykata e Arbitrazhit në Hagë vendosi që Kroacia të ngrejë një korridor detar prej 2,5 miljesh në ujërat territoriale të saj, me qëllim që shteti fqinj Sllovenia të ketë akces të papenguar në ujërat ndërkombëtare në verilindje të Adriatikut. Qeveria kroate kërkon ta injorojë këtë vendim.

Grindja serbo-kroate për Danubin ka qenë trajtuar që nga viti 2001 nga një komision i posaçëm i dy shteteve, që edhe pas 9 seancash nuk arriti asnjë rezultat. „Jo vetëm për shkak të kësaj Kroacia që ndërkohë është anëtare e BE do mund ta bllokojë së shpejti hyrjen e Serbisë në BE", thotë Aleksandar Popov, koordinator projekti në Qendrën Serbe të Rajoneve për Deutsche Wellen. „Këtu ekziston një potencial shantazhi, por shtetet i përdorin këto çështje edhe për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme.”

Fotografi: S. Kljajić

"Jeto dhe lejo të jetojnë"

Por dikush diti ta përdorë grindjen kufitare serbo-kroate në Danbu.  Politikani çek, Vít Jedlicka i partisë libertiste të vogël, „Qytetarët e lirë" i ra në sy para dy vitesh, se në një brez të Danubit në afërsi të fshatit Zmajevc në verilindjen kroate gjendet një territor bosh, ku nuk shkel këmbë njeriu. Në prill 2015 ai shpalli aty „Republikën e Lirë të Liberlandit", një shtet virtual që në të vërtetë nuk është njohur deri më tani nga askush.

Gadishulli që u bë shkas për themelimin e shtetit „të tetë pasues të Jugosllavisë” gjendet në territorin e askujt. Shtetësia e Liberlandit mund të aplikohet në internet. 500.000 vetë e kanë bërë këtë aplikim ndërkohë. Liberland ka një flamur të vetin kombëtar të verdhë me të zezë, një himn dhe moton „Jeto dhe lejo të jetojnë".

"Liberlandi është bërë i njohur në të gjithë botën", thotë Vít Jedlicka, "por me njohjen e shteteve është më e vështirë – këtu ka disa shkallë, pra nga një njohje de facto deri tek njohja de jure. Sot kemi përfaqësi në 80 vende. "

Vladan Jovanovic, përfaqësues i Liberlandit, i cili organizon shëtitje me varka drejt „vendlindjes" së re, thotë me shumë seriozitet, se qëllimi është një zonë e lirë ekonomike. „Këtu njerëzit do të punonin pa pengesa burokratike. Diçka pak a shumë si Sillicon Valley apo si Hong Kongu i Europës."

Jo më shumë se një anekdotë

Po udhëtimi me varkë merr fund shpejt. Një gomone e policisë kroate nuk i lejon askujt të shkojë drejt gadishullit. Edhe para dy vitesh, kur "themeluesi i shtetit”, Vit Jedlicka donte të hynte në "territorin e tij”, policia e pengoi. As Kroacia e as Serbia nuk kanë ndërmend të njohin Liberlandin. Për to Liberland nuk është më shumë se sa një anekdotë. Sepse në hapësirën kufitare nuk ka asnjë territor që mund të pretendohet nga të tretë.

Vit JedlickaFotografi: picture-alliance/dpa/M. Heitmann

Kështu një ditë edhe Liberlandi duhet të bëhet ose pjesë serbe ose kroate – negociatat e ngrira mes dy vendeve për grindjen e Danubit pritet të rifillojnë. Nga Ministria e Jashtme kroate bëhet e ditur me shkrim „se besojmë, se komisioni ndërshtetëror do të rifillojë nga puna pasi të jenë përmbushur kriteret formale."

Rregullat përshtaten

Për Aleksandar Popov nga Qendra për Rajonet zgjidhja më e mirë do të ishte ujdia mes Serbisë e Kroacisë. Sipas tij „shpesh merret në konsideratë rregulli që vija kufitare kalon në mesin e ujërave lundruese dhe kjo zgjidhje i përgjigjet Serbisë. Por Kroacia si vend anëtar në BE ka më shumë potencial shantazhi."

Pronari i restorantit Pera thotë se në zonën gri përtej politikës çdo gjë është e mundur. "Po qe se nuk lejohet të blesh truall në një fshat në bregun kroat, sepse nuk je qytetar kroat, nuk ka proble, kontratën e blerjes mund ta nënshkruash përballë në Sombor, sepse për këtë fshat është përgjegjëse kadastra në Sombor. Ne bazohemi herë tek rregullat serbe e herë tek kroate, si të na përshtatet më mirë”, thotë Pera.