1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Miliarda për viktimat e përmbytjeve

Kay-Alexander Scholz/Eliana Xhani14 Qershor 2013

Kryeministrat e landeve kanë rënë dakord me qeverinë federale për fondin më të madh të ndihmave në rast përmbytjeje, në historinë e Gjermanisë. Ndihma duhet të jepet shpejt. Ndërkaq masat e ujit po tërhiqen ngadalë.

Hochwasser Fischbeck Sachsen-Anhalt 12.06.2013
Fotografi: Getty Images

Fondi për ndihmat në rast përmbytjesh, i akorduar nga Federata dhe landet do të ketë një vëllim prej 8 miliardë eurosh. Këtë e bëri të ditur kancelarja Angela Merkel pas një takimi me kryeministrat e landeve të enjten (13.6.) në Berlin. Fondi i ndihmës është kështu më i madh se ai në përmbytjet e fundit në vitin 2012; asokohe u akorduan 6,5 miliardë euro. Fondi duhet të ngrihet deri në 5 korrik. U ra dakord për një datë të qartë në përfundim të konsultimeve ligjore, tha Merkel. Kështu Parlamenti federal dhe Këshilli i Landeve (dhoma e lartë) mund të votojnë për fondin para pushimit të verës, në mënyrë që ndihma të fillojë të jepet shpejt.

Vëllimi i saktë i fondit të ndihmës do të përcaktohet megjithatë pasi të jetë bërë një konstatimi i saktë i dëmeve, tha Merkel. Sipas vlerësimeve fondi sidoqoftë është „llogaritur me bujari“, siguroi kancelarja. Gjithashtu janë vënë në vijë ndihma si para për punë të shkurtër, lehtësime fiskale dhe ndryshime të ligjit për falimentimin. Federata deri tani i ka premtuar viktimave të përmbytjeve 100 milionë ndihmë emergjente. Edhe landet e prekura nga përmbytjet vunë në dispozicion ndihma emergjente.

Financimi ende i hapur

Deri në fillim të korrikut duhet të jetë edhe sqaruar mënyra si do të financohet fondi. Merkel përjashtoi rritjen e taksave dhe tatimeve. Kushtet financiare janë aktualisht aq të favorshme sa duhet të hiqet dorë nga ngarkesa të tilla për qytetarët. Në vend të kësaj Federata ka të ngjarë të rrisë vëllimin e borxhit të ri. Fondi mund të organizohet më anë të një obligacioni shtetëror të Federatës ose përmes Fondit të Unitetit gjerman. Merkel bëri të ditur se është e përfytyrueshme që landet e veçanta të mos jenë të detyruara të marrin hua me norma të veçanta interesi, por Federata të mbajë si e tërë barrën.

Nga punimet e Konferencës për përmbytjetFotografi: Reuters

Për ta mbajtur të ulët barrën financiare, duhen gjetur mundësi teknike, si për shembull afate shumë të gjata shlyerje. Ka të ngjarë edhe që të jetë i nevojshëm një buxhet shtesë për 2013, por për këtë duhet të vendosë Parlamenti, tha Merkel më tej. Respektimi i planifikuar i frenës së borxheve në vitin 2014 nuk do të preket negativisht nga fondi i ndihmës, pasi katastrofat natyrore janë parashikuar në ligjin përkatës si përjashtime.

"Mund të jemi krenarë"

Kancelarja gjermane lëvdoi shprehimisht ndihmën mbarëkombëtare të mijëra qytetarëve në zonat e përmbytura dhe bashkëpunimin shumë të mirë në të gjitha nivelet shtetërore. Gjatë ditëve të kaluara në vizitat në vendet e prekura „kam përjetuar një masë të papërfytyrueshme solidariteti dhe gatishmërie për ndihmë“, tha Merkel. Është „një forcë e madhe dhe cilësi e veçantë në Gjermani, që të gjithë mbështesim njëri-tjetrin, kur është nevoja“. Kjo është diçka „për të cilën mund të jemi krenarë“.

Solidariteti i njerëzve shoqëroi edhe konsultimet për fondin e ndihmës, tha kryeministrja e Turingjisë, Christine Lieberknecht (CDU). Bisedimet mes Federatës dhe landeve „ishin jashtëzakonisht konstruktive“. U dëshmua aftësi veprimi. Është „një ditë e mirë për të gjithë të prekurit“. Tani ndihmat mund të fillojnë me një „shpirt joburokratik“. Edhe BE do të japë ndihmë financiare. Tetë kryeministra të landeve federale sipas informacionit të Lieberknecht, së bashku me Çekinë e prekur nga përmbytjet, kanë paraqitur një kërkesë për ndihmë tek presidenti i Komisionit Jose Manuel Barroso. Fondi i BE-së për katastrofat duhet të bëhet i përdorshëm.

Situata edhe më tej e tensionuar

Ndihma të tjera nga vende evropiane nuk kanë munguar deri tani. Më shumë se 1,5 milionë thasë me rërë nga Danimarka, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu u kërkuan sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme gjermane dhe japin tani mbrojtje shtesë nga masat e ujit. Sipas të dhënave të ushtrisë gjermane, Bundeswehr, në ndërtimin e digave apo sigurimin e tyre, ndihmojnë edhe trupa nga Franca dhe Holanda. Në zonat e përmbyjtjes situata mbetet e tensionuar. Vërtet niveli i ujit të lumit Elbë ka rënë disa centimetra në landet e prekura, Sachsen-Anhalt, Brandenburg, Niedersachsen dhe Schleswig-Holstein. Por digat e zbutura nga uji dhe shumë çarje digash vazhdojnë t'i mbajnë me frymën pezull mijëra forcat e shpëtimit. Transporti hekurudhor vazhdon të jetë i çrregulluar nga përmbytjet e Elbës. Edhe në Bayern, Thüringen dhe Sachsen, masat e ujit po bien ngadalë.

Ushtarët e Bundesverit në ndihmëFotografi: Reuters

Ushtrisë gjermane misioni në zonat e përmbytura i ka kushtuar deri tani 50 milionë euro, tha Ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maiziere, gjatë një vizite në zonën e përmbytjes Niedersachsen. Kostot megjithatë nuk do t'u vihen në llogari komunave të prekura. Aktualisht 19.000 ushtarë janë në mision në zonat e prekura. Bëhet fjalë për „misionin më të madh në rast katastrofe në historinë e ushtrisë gjermane“, tha de Maiziere. Edhe për zjarrfikësin, i angazhuar me 80.000 vetë, ky është misioni më i madh që prej vitit 1949. Këtyre u shtohen edhe mijëra ndihmës të Agjensisë Federale të Ndihmës Teknike (THW) dhe organizatave të tjera. As kostot e këtyre organizatave shtetërore nuk do të paguhen nga komunat, tha kancelarja gjermane Angela Merkel.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW