1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mini-Samit i BE-së: Një treshe kundër Merkel-it

22 Qershor 2012

Mini-Samit në Romë: Franca, Spanja dhe Italia duan në një formë apo tjetër para nga Gjermania, por kancelarja Merkel nuk lëshon pe. Nevojat në Spanjë dhe Itali ndërkohë janë të mëdha.

Mario Monti, kryeministri italian
Mario Monti, kryeministri italianFotografi: dapd

Shpenzimet e obligacioneve shtetërore nuk mund të përballohen edhe shumë gjatë nga Spanja, e pranoi Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave Spanjolle (AEB), Pedro Pablo Villasante në prag të takimit të nivelit të lartë të katër vendeve më të rëndësishme në zonën e euros në Romë. Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy nuk ka nevojë vetëm për afro 100 miliardë euro për të mbështetur bankat që në Spanjë, por ai kërkon urgjentisht gjetjen e blerësve për obligacionet e qeverisë spanjolle.

Për to Spanja duhet të paguajë norma rekorde të interesit në tregun e lirë. Po kështu është rritur edhe kostoja për obligacionet e qeverisë italiane. Prandaj kryeministri Mario Monti, si nikoqir i takimit të nivelit të lartë ka propozuar që partnerët evropianë të blejnë bono të qeverisë italiane. Monti dëshiron tani të arrijë të bindë Bankën Qendrore Evropiane që si në vitin e kaluar të blejë masivisht borxhet e qeverisë italiane dhe spanjolle.

Angela Merkel (CDU)Fotografi: picture-alliance/dpa

Italia - nikoqire në telashe

Por Banka Qendrore Evropiane heziton për shkak të rreziqeve të mëdha për bilancin e vet. Prandaj kryetari i Bordit Drejtues, Benoit Coeure propozon që financimi i bonove qeveritare të merret përsipër nga fondi për shpëtimin e vendeve të euros. Fondi EFSF i ka mjetet e nevojshme për të bërë një gjë të tillë, thotë Coeure. Por blerjen e letrave me vlerë të borxhit nga ana e EFSF, tani dëshiron ta shmangë Monti edhe pse fillimisht kjo ishte propozuar nga vetë ai. Gazeta italiane "Corriere della Sera", shkruan se Monti i trembet një aksioni shpëtimi nëpërmjet fondit të emergjencës.

Një aksion i tillë mund t'i kushtojë atij humbjen e postit. Kjo për faktin se kritikat ndaj qeverisë së tij janë gjithnjë e më të zëshme në Itali. Partitë, të cilat deri tani e kanë mbështetur atë aktualisht refuzojnë për të miratuar një reformë të rëndësishme për tregun e punës. Sipas raporteve të mediave italiane Monti mund të detyrohet të japë dorëheqjen nëse Italia do të ketë vërtetë nevojë për ndihmën e fondit të shpëtimit. Pastaj Italia në vjeshtë do të kishte zgjedhje të reja. "Vendet që bëjnë përpjekje nuk duhet të dënohen me nivele jonormale të larta të borxhit", thotë Monti, i cili e sheh si detyrim që Evropa të japë ndihmën e saj.

Francois Hollande, president francezFotografi: Reuters

Merkel refuzon miratimin e rreziqeve të reja

Gjermania nuk mbështet propozimin e kryeministrit italian, Mario Monti. Merkel hedh poshtë, siç ka ndodhur herën e fundit në samitin e G20-së, bashkimin e çfarëdo lloji të borxhit ose detyrimi për borxhet e vjetra. Merkel tha javën e kaluar, gjatë një fjalimi në një mbledhje të partisë së saj konservatore, se përgjegjësia e përbashkët mund të ekzistojë vetëm në qoftë se do të ketë edhe kontroll të përbashkët.

Autor: Bernd Riegert/Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi