1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministrat e financave të eurozonës në humor të mirë

Christoph Hasselbach / Bahri Cani9 Korrik 2013

Pak para pushimeve, ministrat e financave miratuan edhe një paketë ndihmash për Greqinë. Por ata kërkuan që të vazhdojë kursi i reformave dhe kursimeve.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Raporti më i ri i Troikës për Greqinë u publikua shumë pak para takimit të ministrave të financave të Eurogrupit. Raporti është i përzier. Troika e përbërë nga Bashkimi Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Evropiane pohon se në Greqi janë arritur disa përparime në reforma dhe në kursime, por edhe më tej ka mangësi në reformën e administratës dhe privatizimin e pronës së sipërmarrjeve të shtetit.

Nga ky raport vareshin edhe kreditë e ardhshme. Megjithë mangësitë, është vendosur që Greqisë t'i jepen 6,8 miliardë euro, por me kusht që ky vend të vazhdojë reformat në sistemin fiskal dhe në administratë.

Hezitimi nuk sjell asgjë

Për befasi, dy kritikët më të ngurtë të Greqisë, në këtë takim ishin më zemërgjerët. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble tha: "Që gjërat në Greqi nuk janë të thjeshta, kjo nuk është asgjë e re". Por ky vend ka bërë përparime të dukshme. "Jam i bindur se këtë rrugë të vështirë por të suksesshme do ta vazhdojmë edhe në muajt e ardhshëm."

Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble, i sheh pa shqetësim shumë probleme të eurozonësFotografi: picture-alliance/dpa

Kolegia e tij austriake Maria Fekter, po ashtu sheh përparime. "Ata kanë shënuar një rritje më të madhe ekonomike se sa pritej. Turizmi po përparon. Ndërsa reformat duhet të vazhdojnë", tha ajo. Ministrat thanë se Greqia duhet të vazhdojë reformat, por edhe herë të tjera është hezituar deri në momentin e fundit, para se të jepen ndihma. Kjo me qëllim që ndaj Greqisë të ushtrohet presion për të bërë detyrat e shtëpisë. "Hezitimet nuk sjellin përparime, por vetëm e bëjnë gjendjen më të vështirë". Ne shpresojmë se do të kemi një pushim të qetë, tha Fekter.

Kriza në Portugali konsiderohet e përfunduar

Kriza qeveritare në Portugali ka përfunduar, mendojnë ministrat. Kriza ka nisur pas dorëheqjes së ministrit të Financave Vitor Gaspar, javën e kaluar. Gaspar tha se nuk ka mbështetje tek populli për politikën e kursimeve. Por qeveria e tanishme e kryeministrit Pedro Passos Coelho llogaritet si e qendrueshme.

Kryeministri i Portugalisë Pedro Passos Coelho dhe ministri i Financave që dha dorëheqjen Vitor Gaspar.Fotografi: Reuters

Schäuble tha se rreziku nuk është tepër i madh: "Gjëra të tilla ndodhin, sepse në vendet anëtare ka dhe kriza qeveritare." Dorëheqja e homologut të tij portugez nuk ishte e befasueshme për Schäublen, ndonëse ai shpreh keqardhje. Por "Portugalia është stabilizuar vitet e fundit. Situata është më e relaksuar. Portugalia do të vazhdojë rrugën e saj të suksesit. Por nuk dihet ende nëse populli do ta mbështesë këtë rrugë deri në fund.

Kritikat e Draghit

Mario Draghi ishte ai i cili ka kritikuar shumë zhvillimet e fundit, ndërkohë që ministrat e financave nuk donin të flisnin shumë për një gjendje krize. Draghi nuk ishte në këtë takim, por të gjitha mesazhet e tij ishin të drejtuara drejt ministrave të financave.

Paralajmëron ndaj optimizimit pa vend: shefi i ECB-së, Mario Draghi.Fotografi: Daniel Roland/AFP/Getty Images

Recesioni në Itali është aktualisht problemi më i madh, sepse në këtë vend për herë të gjashtë me radhë është shënuar rënie ekonomike. Gjendja në tregun e punës është ende e keqe dhe mund të përkeqësohet për shkak të kërkesës së dobët dhe zbatimit të ngadalshëm të reformave në vendet e Eurozonës. Draghi foli për një varg problemesh dhe rreziqesh. Nuk ka shkas për panik, por nuk është as koha për të shkuar në pushime pa brenga.