1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministrat e jashtëm të BE-së diskutojnë planin e Ahtisaarit

Anila Shuka12 Shkurt 2007

Ministrat e jashtëm të BE-së diskutojnë sot në Bruksel se si do të vazhdohet më tej në lidhje me Kosovën dhe Serbinë. Në takimin që zhvillohen nën drejtimin e ministrit gjerman të punëve të jashtme, Frank Walter Steinmeier merr pjesë edhe i ngarkuari i OKB-së për Kosovën, Martti Ahtisaari

Para takimit në Bruksel
Para takimit në BrukselFotografi: AP

Kryediplomati i BE-së, Havier Solana, nuk pret që trazirat e së shtunës në Prishtinë, të lënë pasoja negative ndaj procesit të zgjidhjes së statusit: “Ishte një situatë shumë dramatike, por udhëheqësit e Kosovës të gjithë së bashku e kanë dënuar aktin që ka ndodhur të shtunën,” - ka thënë Solana në prag të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.

Në takimin e tyre të radhës ministrat sot janë duke diskutuar planin e Ahtisaarit për Kosovën. Ministri gjerman i punëve të jashtme Frank Valter Steinmeier, që drejton seancën si kryetar i radhë së BE-së, shpreson që divergjencat mes Rusisë dhe vendeve të tjera të Grupit të Kontaktit për çështjen e Kosovës nuk do ta bllokojnë implementimin e statusit të Kosovës: “Shpresoj që jo. Dihet që që kur kanë filluar përpjekjet për përcaktimin e statusit juridik të Kosovës ekzistojnë pikëpamje të ndryshme ndërmjet vendeve të Bashkësisë Ndërkombëtare. Kjo është arsyeja se përse para shumë vjetësh kemi krijuar grupin e kontaktit, ku është anëtare edhe Rusia. Propozimet e Ahtisaarit do t’i diskutojmë së bashku me Rusinë, unë shpresoj që do të arrihet një zgjhje që do ta ruajë stabilitetin në Ballkan,” - tha Steinmeier, i cili para konferencës pati një takim bilateral me Martti Ahtisaarin.

Në shërbim të një zgjidhjeje sa më paqësore të statusit, Bashkimi Evropian do të diskutojë sot se çfarë shpërblimi do t’i japë Serbisë, nëse kjo krijon një qeveri proevropiane. “Në drejtim të Serbisë duhet të dërgojmë një sinjal pozitiv, në atë moment që të krijohet qeveria e re, për të cilën shpresoj se do të jetë proevropiane dhe do të ndjekë udhëzimet e BE-së,” – tha Solana, i cili të mërkurën e kaluar pat vizituar vetë Prishtinën dhe Beogradin.

Ky sinjal pozitiv, për të cilin flet Solana, pritet të jetë premtimi i rifillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocijimit me Serbinë. Ministri i jashtëm i Luksemburgut Jean Asselborn tha para takimit: “Tadiçi ka bërë një hap interesant, duke arritur që t’i sjellë në Vjenë përfaqësuesit e parlamentit të ri të Serbisë. Ky është një hap shumë i madh dhe duhet vlerësuar lart. Ne si BE sot duhet të dëshmojmë që jemi të gatshëm të fillojmë me MSA-në në se në Serbi krijohet një qeveri proevropiane”.

Austria është një nga vendet kryesore që e mbështet këtë tezë. Ministrja, Ursula Plassnik tha se do të diskutohet se si “serbëve dhe Serbisë t’ua përshkruajmë konkretisht perspektivën e ardhshme në BE”.

Me qeveri proevropiane Bashkimi Evropian nënkupton edhe bashkëpunimin e plotë me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, ka nënvizuar Asselborn.

Në kuadër të takimit të rregullt të Ministrave sot në mbrëmje zhvillohet edhe takimi vjetor me ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor. Në takim Kosova përfaqësohet nga kryeadministratori presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeadministratori Joachim Ruecker. Ministri i jashtëm i Shqipërisë Besnik Mustafaj do të mbajë në pasdite një fjalim në Qendrën për Politika të Jashtme, për Sfidat e Ballkanit Perëndimor nga këndvështrimi i Shqipërisë. Sejdiu dhe Mustafaj kanë patur sot paradite një mëngjes pune.