1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministrat e jashtëm të BE për zgjedhjet në SHBA

23 Korrik 2024

Fillimisht atentati ndaj Trumpit dhe tani zëvendësim për Biden: Vëzhguesit në BE me shqetësim dhe shpresë për fushatën elektorale në SHBA. Hungaria mbetet temë shqetësuese.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë Peter Szijjarto duke ecur një korridor në ndërtesën e Këshillit të BE-së në Bruksel.
Minsitri i Jashtëm i Hungarisë Peter Szijjarto Fotografi: Geert Vanden Wijngaert/AP Photo/picture alliance

Disa ministre dhe ministra të jashtëm tëBE-së e prisnin tërheqjen e Joe Biden nga gara elektorale, të tjerë shpresonin për këtë. Kështu mund të shmangen ndoshta sërish disi shanset për një mandat të dytë presidencial në SHBA për republikanin Donald Trump, hamendësojnë diplomatë të BE-së në Bruksel.

Në Bruksel zhvilluan mbledhjen e radhës 27 ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së. Vetëm ministrja e Jashtme belge Hadja Lahbib u shpreh qartë, se kë sheh ajo tani në garë. "Tërheqja e Bidenit nuk do të thotë fitore për Trump. Unë i uroj gjithë të mirat Kamala Harris, e cila tani ndoshta do të marrë drejtimin tek demokratët. Ajo është një grua e fortë", mendon ministrja belge, e cila në qershor humbi zgjedhjet dhe së shpejti do të largohet nga posti.

Europa në pritje

E njohur në Europë: Kamala Harris ka qenë shpesh në Konferencën e Sigurisë në Mynih, këtu në fotografi me kancelarin Scholz në vitin 2022.Fotografi: SVEN HOPPE/AFP/Getty Images

Ministrat e tjerë të BE-së mbajtën një qëndrim ngjashëm si qeveria gjermane, që u shpreh disi vakët. Fillimisht duhet të emërohet si kandidate e demokratëve për presidente nënpresidentja aktuale Kamala Harris. Pastaj fjalën do ta kenë zgjedhëset dhe zgjedhësit amerikanë, u shpreh një zëdhënëse qeveritare në Berlin.

I ngarkuari i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, tha se nuk është detyrë e BE-së që tani t’u thotë amerikanëve se çfarë duhet të bëjnë. Vetëm kaq. Por natyrisht, që "për ne ka efekt të madh", se kush zbarkon në Shtëpinë e Bardhë. Borrell dhe shumica e ministrave të jashtëm preferojnë më shumë një demokrat në Shtëpinë e Bardhë se sa Donald Trumpin shpërthyes dhe miqësor ndaj Rusisë.

Por gjithësesi politkanët drejtues në mbarë Europën i shprehën konsideratat 81- vjeçarit Joe Biden për angazhimin e tij, drejtimin dhe "vendimin dinjitoz", për t’u tërhequr. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez në një mesazh në X shkruan. "Një gjest i madh nga një president i madh, i cili gjithmonë ka luftuar për demokracinë dhe lirinë".

"Falë tij është i ngushtë bashkëpunimi transatlantik, NATO është e fortë dhe SHBA një partnere e besueshme për ne", vlerësoi kancelari gjerman Olaf Scholz "mikun" e tij Joe Biden. Shumë deklarime të ngjashme me fjalë simpatie tingëllojnë më shumë si një nekrologji.

Viktor OrbanFotografi: Bernd Riegert/DW

Hungaria sërish mban qendrim ndryshe

Presidenti ukrainas Volodymyr Selenskyj falenderoi në Kiev Joe Bidenin për "mbështetejn e tij të palëkundur për Ukrainën". Ai dhe mbështetja mbipartiake në Kongres vazhdojnë të jenë vendimtare, tha Selenskyj. Vetëm një kryeministër i BE-së e sheh Ukrainën dhe mbështetjen e Bidenit për mbrojtjen nga agresori rus krejt ndryshe - kryeministri hungarez Viktor Orban, aktualisht edhe president i këshillit të BE-së, një post që jepet me rotacion çdo gjashtë muaj.

Orban e konsideron politikën amerikane ndaj Rusisë dhe Ukrainës vetëm si nxitje dhe zgjatje të luftës. "Unë nuk e kuptoj përse jam i vetmi kryeministër në BE, që angazhohet për paqen", u shpreh Orban në samitin e EPG-së javën e kaluar Blenheim Palace, në Britaninë e Madhe.

Orban dhe ministri i tij i Jashtëm Péter Szijjártó, që në fakt duhet të moderojnë si president të radhës të Këshillit, i bëjnë akuza të rënda shteteve europiane. Misioni i paqes, që ka menduar Hungaria, sipas presidencës hungareze në BE, duhet të vazhdojë. Orban ishte në Kiev, Moskë, Pekin dhe në Floridë. Në rezidencën në Mar-a-Lago të Trumpit presidenti i radhës i Këshillit të BE-së Orban pozoi me krenari duke i premtuar mbështetje atij në garën presidenciale. Edhe kjo vizitë e Orbanit është si një halë në sy për shumicën e shteteve të BE-së. Vetëm ministri i Brendshëm sllovak tha në Budapest, se vendi i tij e mbështet misionin e paqes.

Annalena BaerbockFotografi: dts-Agentur/picture alliance

Baerbock: Veprim kokë më vete

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock e kritikoi në Bruksel presidentin e radhë stë këshillit të BE-së: "Nuk është habi, që këto ture krye më vete të ditëve të fundit kanë shkaktuar irritim dhe habi në pjesë të tëra të botës- "Hungaria flet për vete, jo për BE-në. Për BE-në i vetmi i ngarkuar për politikën e jashtme është Josep Borrell.

Megjithatë në takimin e ministrave të jashtëm pa asnjë debat u zgjat afati i sanksioneve ndaj Rusisë edhe për gjashtë muaj. As Hungaria dhe as ndonjë vend tjetër i BE-së nuk vendosën veto në procesin e votimit. Hungaria megjithatë vazhdon të bllokojë pagesën e 6,2 miliardë eurove për Ukrainën nga një fond special i BE-së.

Nuk bojkotohet presidenca hungareze

Pavarësisht zemëratës për percemtimin e jashtëzakonshëm të Hungarisë të rolit të presidencës së këshillit të BE-së, vendet anëtare nuk ia dolën që të ndërmarrin hapa të përbashkëta. Kësisoj nuk do të ketë një bojkotim zyrtar të presidencës hungareze. Shteteve anëtare u lihet në dorë ta vendosin vet, se si të reagojnë. Në këshillin e ministrave të brendshëm për shembull, nuk mori pjesë minsitrja gjermane, por ishte e pranishme homologia e saj austriake. Edhe Luksemburgu nuk do të dërgojë ministra në takimet në Hungari.

 

Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE