Ministrat e jashtëm të G7 takohen në Lybek
15 Prill 2015"Acht geben", gjen të shkruar në tabela të vogla të verdha, të vendosura në parqet e Lybekut. Një lojë fjalësh, që do të thotë kini kujdes, por edhe jep tetë. Një tregues për atë, që shumë kritikë do të kishin dashur që Rusia të merrte pjesë në këtë takim të rëndësishëm. Pra tetë ministra të jashtëm, jo vetëm shtatë, nga Kanadaja, Italia, Britania e Madhe, Franca, Japonia, SHBA dhe Gjermania.
Ministri i Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier, nuk e ka ftuar Rusinë. Pas anektimit të Krimesë, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, nuk mund të bësh, sikur nuk ka ndodhur asgjë, shkroi Steinmeier në një artikull gazete. Në të njëjtën kohë ai theksoi se Rusia nuk duhet të izolohet përgjithmonë.
Dhe sikur të donte ta theksonte këtë, ai ftoi në Berlin homologët e tij nga Franca, Ukraina dhe Rusia para takimit të G7. Në takimin e të katërtëve të hënën në mbrëmje (13,04.) u diskutua për paqen në lindje të Ukrainës. Bisedimet qenë të lodhshme, u tha në Ministrinë e Jashtme. Megjithatë ministri i Jashtëm Steinmeier u shpreh, se sheh përparime: "Vendimtare është, që megjithë acarimin e situatës sot kemi rënë dakord, jo vetëm për të vazhduar tërheqjen e armëve të rënda, por për të përfshirë në tërheqje edhe kategori të tjera të armëve."
Kështu në të ardhmen ne do të tërheqim edhe tanke, automjete të blinduara dhe mortaja. Përveç kësaj katër ministrat e jashtëm vendosën të ngrenë grupe pune. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë duhet forcuar. Duhet të fillohet të jepet ndihma humanitare, në lindje të vendit duhet të ketë zgjedhje që këtë vit.
Kjo temë preokupon edhe ministrat e G7 në takimin e tyre të mbrëmjes (14.04) në Lybek. Steinmeier raporton mbi takimin e një dite më parë me homologët e tij nga Franca, Ukraina dhe Rusia. Për qeverinë gjermane është e rëndësishme që kombet e mëdha industriale të tregojnë unitet lidhur me këtë temë. Nesër do të jenë në axhendë tema të tjera: siguria detare, ndryshimet klimatike dhe ndikimi i tyre, konflikti në Jemen, bisedimet me Iranin, lufta kundër terrorizmit dhe Afrika.
Takimi shoqërohet edhe me protesta.
Policia pret rreth 5000 pjesëmarrës në demonstrata të ndryshme dhe 3500 policë janë në gatishmëri për të mbrojtur ministrat e shtatë vendeve të industrializuara, në takimin e tyre dyditor. Për këtë shkak ka pengesa në qarkullimin rrugor. Të hënën u zhvillua protesta e parë. Disa qindra pjesëmarrës kaluan nëpër qytetin e Lybekut të shoqëruar me muzikë tekno. Maren Janotta një zëdhënëse e protestuesve u shpreh: "Sonte duam të demonstrojmë kundër takimit të ministrave të jashtëm të G7 në Lybek, ne nuk jemi dakord me politikën e tyre dhe kërkojmë që të mund të lëvizim gjithmonë të lirë në qytetin tonë."