1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministri bavarez Aiwanger mban postin pas skandalit

4 Shtator 2023

Kryeministri Markus Söder tha se nuk shihte arsye të mjaftueshme për të shkarkuar zëvendësin e tij. Hubert Aiwanger, zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë i Bavarisë, u akuzua për antisemitizëm në rininë e tij.

Markus Söder duke folur për shtypin të dielën.
Fotografi: Peter Kneffel/dpa/picture alliance

Markus Söder, kryeministri i shtetit jugor gjerman të Bavarisë e mban Hubert Aiwangerin si zëvendëskryeministër dhe ministër të Ekonomisë, pas një jave të trazuar të dëmtuar nga akuzat për antisemitizëm kundër tij.

"E di që vendimi im nuk do t'u pëlqejë të gjithëve dhe se të tjerët do të kenë ende dyshime. Por e përsëris, ky rezultat është kulmi i një procesi të drejtë dhe të rregullt," tha Söder gjatë një konference shtypi të thirrur papritur, të dielën, një ditë kur Gjermania tenton të mbyllet pothuajse tërësisht, gjë shumë e pazakontë në Bavarinë kryesisht katolike.

Fotografi: Frank Hoermann/SvenSimon/picture alliance

Aiwanger u kritikua pas shpërndarjes së një fletëpalosjeje me përmbajtje antisemite kur ishte në shkollën e mesme. Vëllai i tij i madh pretendoi se ishte autori i pamfletit pasi u shfaq në media, të cilat fillimisht ia atribuan autorësinë e fletëpalosjes drejtpërdrejt ministrit.

Por presioni mbi Aiwangerin vazhdoi, si për shkak të përfshirjes së tij të mundshme në pamflet ashtu edhe për shkak të akuzave të tjera në lidhje me kohën kur ishte i ri.

Söder: Asnjë provë që Aiwanger ishte autori ose shpërndarës i fletëpalosjes

Kryeministri i landit të Bavarisë tha se i analizoi me kujdes akuzat dhe doli në përfundimin se Aiwangeri me sa duket kishte bërë gabime të rënda në rininë e tij, por qe distancuar prej tyre duke shprehur keqardhje.

Ai shtoi se nuk kishte asnjë provë që Aiwanger ishte autori ose shpërndarësi i fletëpalosjes dhe tha "e gjithë kjo në fakt ka ndodhur 35 vjet më parë. Vështirë se ndonjëri prej nesh është sot ai që ka qenë në moshën 16-vjeçare".

Söder i kishte kërkuar Aiwangerit t'u përgjigjej 25 pyetjeve, të cilat ai tha se i kishte bërë. Të dielën, Söderi, duke cituar përgjigjet e Aiwangerit tha se ngjarja kishte qenë një përvojë drastike për ministrin e sfiduar.

Fotografi: Peter Kneffel/dpa/picture alliance

Markus Söder tha se kishte një bisedë të gjatë me zotin Aiwanger të shtunën në mbrëmje.

Kryeministri Söder tha se Aiwangeri mund ta kishte trajtuar çështjen më mirë. "Të kundërshtosh gjithçka në fillim dhe më pas të pranosh pjesërisht disa gjëra, disa kontradikta, kjo nuk e ka rritur besueshmërinë e tij gjatë javës së kaluar," tha Söderi.

"Vonë, dhe për mendimin tim jo shumë vonë, ai kërkoi një ndjesë të qartë dhe u distancua qartë nga komentet e tij. Kjo ishte e drejtë dhe e nevojshme," shtoi ai. Në komentet e botuara më herët të dielën, Aiwanger i tha gazetës Bild am Sonntag se ai nuk shihte "asnjë arsye për të dhënë dorëheqjen ose për t'u liruar nga detyrat e tij".

Ministri, i cili është lideri i partnerit më të vogël të koalicionit me CSU-në, partisë së djathtë Votuesit e Lirë të Bavarisë (Freie Wähler) - dhe në këtë mënyrë zëvendëskryeministër i Bavarisë, është 52 vjeç dhe ka ndjekur shkollën e mesme në vitet 1980, në verilindje të Mynihut.

Aiwanger kërkoi falje, por me rezerva

Menjëherë pasi gazeta Süddeutsche Zeitung filloi të raportonte për rastin në gusht, Aiwanger mohoi të ishte drejtpërdrejt përgjegjës për fletëpalosjet. Disa orë më vonë, vëllai i tij më i madh Helmut pretendoi se ishte autori i vërtetë. Dy vëllezërit kanë vetëm një vit diferencë në moshë dhe kanë ndjekur të njëjtën shkollë.

Fotografi: Uwe Lein/dpa/picture alliance

Por Hubert Aiwanger më vonë pranoi se në çantën e tij ishin gjetur kopje të fletëpalosjes antisemite.

Vetëm të enjten e kaluar Aiwanger kërkoi falje për gabimet e mundshme të bëra në rininë e tij, ndërsa përsëriti se nuk i mbante mend disa nga akuzat e tjera kundër tij, për shembull atë që ishte parë duke bërë përshëndetje hitleriane në shkollë. Ai megjithatë tha se "i vjen thellësisht keq" nëse veprimet e tij kanë fyer dikë.

Faljet u drejtohen "mbi të gjitha viktimave të regjimit nazist, të afërmve të tyre të mbijetuar dhe të gjithë atyre që marrin pjesë në veprën e çmuar të kujtesës”. Megjithatë, Aiwangeri tha se akuzat ishin pjesë e një fushate politike kundër partisë së tij të krahut të djathtë, Votuesit e Lirë (Freie Wähler), javë përpara zgjedhjeve. Votuesit do të votojnë në Bavari më 8 tetor.

Ai tha gjithashtu se nuk ishte e drejtë të gërmohen komentet e shumë kohëve më parë dhe se skandale të tilla mund të pengojnë të tjerët të hyjnë në politikë.

 

aud/ fb/(AFP, AP, dpa, Reuters)