1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministri gjerman i Mbrojtjes Dr. Franz Josef Jung sot në Shqipëri

Arben Muka30 Gusht 2007

Në kontaktet që do të ketë shefi i Bundeswehr-it me autoritetet e larta në Tiranë do të diskutohet bashkëpunimi ushtarak, politikat evropiane të sigurisë dhe kontributi i përbashkët në ruajtjen e sigurisë.

Ministri gjerman i mbrojtjes Franz Josef Jung, dje më 29 gusht në ZagrebFotografi: AP

Ministri Jung do të qëndrojë të premten në Prishtinë ku pritet të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Komandës së KFOR-it nga Gjenerali Roland Kather te Gjeneral Xavier Bout de Marnhac.

Të enjten pasdite mbërrin për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ministri gjerman i mbrojtjes dr. Franz Josef Jung. Ndalesa e tij në Tiranë bëhet në kuadër të një turi në Ballkanin Perëndimor.
Ministri gjerman i Mbrojtjes Dr. Franz Josef Jung do të zhvillojë takime me Presidentin e Republikës Bamir Topi,
Kryeministrin Sali Berisha, me homologun e tij Fatmir Mediu si dhe me përfaqësues të Kuvendit. Sipas një njoftimi për shtyp që ka shpërndarë ambasada gjermane në Tiranë, „ në qendër të bisedave do të jetë bashkëpunimi ushtarak, politikat
evropiane të sigurisë dhe kontributi i përbashkët në ruajtjen e sigurisë“.
Bundeswehr-i angazhohet në Shqipëri që prej vitit 1995 duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në menaxhimin e reformave të Forcave të Armatosura Shqiptare. Krahas konceptimit e shoqërimit në procesin e transformacionit, theksi është vënë edhe në fushën e mbështetjes logjistike si dhe kualifikimin pranë insitucioneve arsimore të Bundeswehr-it.
Që nga viti 1992 në Gjermani janë kualifikuar me sukses 1362 pjestarë të Forcave të Armatosura Shqiptare. Ndërkaq që prej 10 vjetësh ushtarë shqiptarë angazhohen së bashku me ata gjermanë për sigurimin e paqes në Bosnje dhe Hercegovinë në kuadrin e misionit të drejtuar nga BE ALTHEA.
Stacioni tjetër i ministrit të Mbrojtjes Jung do të jetë Prishtina, ku pritet të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Komandës së KFOR-it nga Gjenerali Roland Kather te Gjeneral Xavier Bout de Marnhac.