1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministri gjerman Jung në Tiranë dhe Prishtinë

Arben Muka, Bekim Shehu31 Gusht 2007

Çështja e Kosovës ishte në qendër të takimeve që ministri i mbrojtjes së Gjermanisë, Franz Jozef Jung zhvilloi në Tiranë dhe Prishtinë

Franz Josef JungFotografi: AP

Në Tiranë

Të enjten pasdite në Tiranë zhvilloi një vizitë disa orëshe ministri i mbrojtjes së Gjermanisë dr.Franz Josef Jung i shoqëruar nga një grup anëtarësh të Bundestagut. Në qendër të diskutimeve me autoritetet e larta zyrtare shqiptare ishte bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes, zhvillime të sigurisë në rajon dhe aktualiteti në Kosovë.
Ministri Jung pas takimit me homologun e tij shqiptar Fatmir Mediu u shpreh për gatshmëri “për zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe institucioneve homologe, i cili është jo vetëm i nevojshëm, por edhe plotësisht i mundshëm. Për Gjermaninë, Ballkani është një rajon që paraqet një interes të veçantë dhe në këtë kuadër, bashkëpunimi me Shqipërinë është me rëndësi të madhe”.

Shefi i Bundeswehrit ka vlerësuar disa hapa pozitive që ka bëre ushtria shqiptare në procesin reformues të saj, por duke tërhequr vëmendjen se “duhen bërë përparime edhe në fusha të tjera, si në drejtësi dhe polici. Pas kësaj NATO do të hartojë një raport vlerësues në muajin shtator për të arritur në një vendim pozitiv në Samitin e Bukureshtin, në prill të vitit 2008”.
Për ministrin shqiptar të mbrojtjes, Gjermania është një ndër vendet që ka dhënë kontribut të veçantë në fushën e bashkëpunimit ushtarak, bashkëpunim i cili i ka fillimet e veta që në vitin 1992 dhe është shtrirë kryesisht në fushën e arsimimt dhe kualifikimit të personelit ushtarak dhe atë logjistik. Mediu ka bërë një ekspoze të reformave të ndërmarra në Forcat tona të Armatosura në përputhje me standartet e kërkuara nga NATO.

Kryeministri Sali Berisha ka shfrytëzuar takimin me Jung për të bërë një bilanc të përgjithshëm në bashkëpunimin dy palësh, ku ndihma e Gjermanisë në 17 vitet e fundit, arrin vlerën financiare prej 700 milionë euro, duke përfshirë të gjitha fushat. “Bashkëpunimi politik, ekonomik, ushtarak dhe i gjithanshëm me Republikën Federale të Gjermanisë ka një rëndësi shumë të veçantë për Shqipërinë. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen që kemi gjetur dhe gjejmë nga qeveria dhe kombi gjerman në përpjekjet tona për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe në NATO. Në ndihmën e dhënë për arritjen e standardeve, si në fushën ushtarake, ministria gjermane e Mbrojtjes i ka dhënë ushtrisë shqiptare një ndihmë shumë të çmuar, në fushën e arsimimit, edukimit, në fushën logjistike, në shërbimin shëndetësor, shkollimin në Gjermani dhe këtu, etj.” –deklaroi kryeministri pas takimit me Jung.
Gjithashtu ai evidentoi fakti se vizita e ministrit të mbrojtjes dhe e delegacionit që e shoqëron atë, “bëhet në prag të 20 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Republikën Federale gjermane, marrëdhënie miqësore, të suksesshme dhe me një perspektivë të shkëlqyer”.

Duke folur gjatë qëndrimit të tij në Tiranë për zhvillimet më të fundit në Kosovë, ministri Jung shprehu mendimin se atje “ne kemi nevojë për stabilitet e paqe në të ardhmen. Për këtë arsye, ne jemi të mendimit që negociatat të zhvillohen mbi bazën e Planit Ahtisari, për të arritur një zgjidhje sa më të shpejtë. Ne shpresojmë se brenda këtyre 120 ditëve të arrihet një zgjidhje, në qoftë se do të jetë e mundur, edhe më parë, sepse kjo do të jetë kushti paraprak për paqe e stabilitet, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajonin përreth. Ndarja e Kosovës nuk mund të jetë një opsion për ne”.

Çështja e Kosovës ishte në qendër të takimit që ministri i mbrojtjes së Gjermanisë zhvilloi të enjten në mbrëmje me presidentin e Republikës Bamir Topi. ”Jam i bindur se përpjekjet e BE-së, të SHBA-ve, të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së e të Trojkës do arrijnë në një përfundim legjitim mbi statusin e Kosovës, duke i hapur rrugën integrimit të saj në
familjen europiane”, ka deklaruar Topi. Pas vizitës në Tiranë Jung së bashku me delegacionin që e shoqëron udhëtoi të enjten në mbrëmje për në Prishtinë, ku është dhe stacioni i fundit i turit të tij në Ballkanin Përendimor.

Në Prishtinë

Ministri gjerman i mbrojtjës, Franz Jozef Jung, tha në Prishtinë se ministrat e mbrojtjes së vendeve anëtare të BE-së, mbështesin planin e Marti Ahtisarit i cili edhe mund të cilësohet si baza më e mirë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Në këtë linjë ministri gjerman i mbrojtjes beson se brenda këtij viti do të ketë një vendim përfundimtar për statusit e Kosovës. Këto komente, ministri gjerman i mbrojtjes i bëri gjatë vizitës që po zhvillon në Kosovë dhe takimeve që pati me
udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

Të gjithë ministrat e mbrojtjes në NATO-të vendeve anëtare të BE-së, janë të mendimit se plani i Marti Ahtisarit, është një bazë e mirë për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe poashtu ata mendojnë se ndarja e Kosovës është një rrugë e gabuar, tha minstri gjerman i mbrojtjes, Franz Jozef Jung. Ai tha se ideja e ndarjes së Kosovës është spekuluar vetëm në media ndërsa, në qarqet ndërkombëtare nuk është diskutuar fare për këtë çështje.

Natyrisht në jemi të interesuar që në Kosovë dhe rajon të ruhet paqja dhe siguria dhe Kosova të ketë një perpektivë të mirë për të ardhmën e saj. Unë e vlerësojë qasjen e palës kosovare në bisedimet shtesë dhe kërojë që gjatë këtij procesi të ruhet një pjekuri politike dhe të mos ketë ndonjë veprim negativ që mund të dëmtojë procesin tha ministri Franz Jozef Jung.

Kryeministri i Kosovës Agim Çeku, nga ana e tij, thotë se Gjermania gjithnjë ka një rol udhëheqës në BE-së dhe në këtë linjë ai thotë se nëse nëpërmes KS-it, nuk mund të arrihet një vendim për pavarësinë e Kosovës, atëherë shpreson se kjo do të bëhet nga grupi i kontaktit.

Ministri gjerman i mbrojtjes Franz Jozef Jung, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë po merr pjesë edhe në ceremoninë e ndërrimit të komandës së forcave paqeruajtëse, trupa këto që për një vit u drejtuan nga gjenerali gjerman Roland Kather. Gjermania ka numrin më të madh të ushtarëve në Kosovë në kuadër të KFOR-it dhe sipas ministrit gjerman të mbrojtjes ky
numër edhe për një kohë nuk do të ndryshojë dhe Gjermania do të vazhdojë të kontribuojë në Kosovë si në misionin ushtarak ashtu edhe në atë civil.