1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Kastriot Islami takon në Luksemburg ministrin e jashtëm të Luksemburgut, Zhan Asselborn, vendi i të cilit udhëheq këtë gjashtëmujor BE-në.

Viron Gjymshana31 Mars 2005

Presidenca luksemburgase e Bashkimit Europian: Shqipëria në rrugë të mbarë në organizimin e procesit të ardhshëm zgjedhor. Shpresojmë që në tetor të mbyllim procesin e bisedimeve për marrëveshjen e asocim – stabilitetit.

Ministri i jashtëm shqiptar Kastriot Islami
Ministri i jashtëm shqiptar Kastriot IslamiFotografi: AP

Zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, nga të cilat varet dhe kushtëzohet edhe afrimi i mëtejshëm i saj me Bashkimin Europian ishin në qendër të bisedimeve që ministri i jashtëm shqiptar Kastriot Islami zhvilloi me presidentin e rradhës të Bashkimit Europian, ministrin e jashtëm të Luksemburgut, Zhan Asselborn.

Përfaqësuesi i presidencës së BE-së e cilësoi Shqipërinë si një kandidat potencial për anëtarësim në Bashkimin Europian, perspektivë, tha ai, që asaj i është hapur që gjatë samitit të Selanikut në dhjetor të 2003. Sipas Zhan Asselborn afrimi i Shqipërisë me BE-në mbështetet dhe kalon nëpër dy binarë kryesorë, të cilët sipas tij janë : - respektimi tërësisht i standarteve ndërkombëtare në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme legjislative si dhe forcimi i shtetit të së drejtës.

Kryetari i rradhës i presidencës së BE-së e vuri theksin në bashkëpunimin e ngushtë të autoriteteve vendase me misionin vëzhgues të OSBE-së, në reformën e ligjit elektoral si dhe në hartimin e listave zgjedhore.

« Nevojitet një përfaqësim tejet i drejtë dhe i barabartë i të gjitha partive politike në masmedia », nënvizoi Asselborn, para se të shprehej se « Shqipëria është në rrugë të mbarë përsa i takon mbarëvajtjes së procesit zgjedhor ».

Përveç miradministrimit të zgjedhjeve, që për BE-në përbën një kusht të pakapërcyeshëm, presidenca e BE-së i kërkon autoriteteve shqiptare më shumë angazhim në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe reforma të mëtejshme në sistemin e drejtësisë dhe kodin penal.

Me këtë rast u fol edhe për situatën në rajon, rolin e Shqipërisë në të si dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Shqipërisë. Nga ana e tij ministri shqiptar, pasi siguroi presidencën luksemburgase të BE-së mbi seriozitetin e autoriteteve shqiptare për të zhvilluar një proces të drejtë dhe të ndershëm zgjedhor, bëri thirrje për pjesëmarrje të firmave luksemburgase në industrinë e naftës, telekomunikacineve dhe sigurimeve në Shqipëri.

Nga ana e tij ministri i jashtëm i Luksemburgut u shpreh optimist mbi mundësinë e përfundimit të procesit të bisedimeve të marrëveshjes së asocimim – stabilitetit me Shqipërinë gjatë muajit tetor.