1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang shkarkohet

25 Korrik 2023

Kina ndryshon ministrin e Jashtëm: Qin Gang në post, i “zhdukur” prej javësh, është shkarkuar zyrtarisht. Vazhdojnë spekulimet për arsyet e mundshme të këtij vendimi.

Qin Gang
Fotografi: Thomas Trutschel/photothek/picture alliance

Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang është shkarkuar nga detyra. Lajmi bëhet i ditur nga mediat zyrtare kineze. Politikani nuk ishte shfaqur tashmë në publik për disa javë.

Siç raportoi kanali kombëtar CCTV, Komiteti i Përhershëm i Kongresit Popullor votoi për shkarkimin e ministrit të Jashtëm. Wang Yi duhet të marrë tani detyrën. Ai e kishte mbajtur këtë pozicion përpara Qin Gang-ut. Arsyeja e këtij ndryshimi nuk u bë e ditur.

Qin Gang, 57 vjeç, mori detyrën në dhjetor 2022. Më parë, ai shërbeu si ambasador në Shtetet e Bashkuara dhe zëvendësministër i Jashtëm i Kinës.

Spekulimet

Dalja e fundit e Qin Gang-ut në një takim zyrtar daton në 25 qershor: ai më pas u takua me zëvendësministrin e jashtëm rus Andrej Rudenko në Pekin. Emërimet e mëvonshme, të tilla si një takim me Përfaqësuesin e Punëve të Jashtme të BE-së, Josep Borrell ose pjesëmarrja në Takimin e Ministrave të Jashtëm të ASEAN-it, u anuluan. Ministria e Jashtme tha se Qin Gang nuk mund të marrë pjesë për arsye shëndetësore.

Qin Gang dhe Wang YiFotografi: Sergei Karpukhin/picture alliance/dpa/TASS

Megjithatë, prej javësh spekulimet kanë qenë të shumta, sidomos në internet, për arsye të tjera të mundshme të "zhdukjes” së ministrit të Jashtëm tashmë të shkarkuar, duke përfshirë zërat për një lidhje të politikanit të martuar me një prezantuese televizive.

Një rast që nuk është unik për Kinën

Zhdukja e zyrtarëve të lartë, të famshëm dhe biznesmenëve është një fenomen i përsëritur në Kinë. Shpesh më vonë zbulohet se ata ishin përfshirë në hetime apo debate të tjera.

Ndër rastet më të njohura vitet e fundit është ai i ish-shefit të Interpolit të Kinës, Meng Hongwei, i cili u zhduk në vitin 2018 ndërsa ishte në një udhëtim në Kinë. Dy vjet më vonë, një gjykatë kineze e dënoi atë me një burg të gjatë për marrje rryshfeti.

tgsch/dlf