1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministri i ri i jashtëm gjerman Frank Valter Steinmeier viziton Moskën

Herrman Krause3 Dhjetor 2005

Ministri i ri i jashtëm gjerman Frank Valter Steinmeier vizitoi të shtunën Moskën, ku u takua për herë të parë me presidentin rus Vladimir Putin.

Ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier
Ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter SteinmeierFotografi: AP

Që në fillim u bë e qartë se kjo vizitë kishte rëndësi të veçantë. Presidenti rus, i cili normalisht nuk pret asnjë ministër të jashtëm dhe sidomos jo të shtunave, priti në Daçën e tij pranë Moskës në Novo Organovo, ministrin e ri të jashtëm gjerman Frank Valter Steinmeier. Pas një përshëndetjeje të përzemërt, ata shkuan në sallën e konferencave, ku biseduan në një atmosferë të qetë dhe miqësore. U bë shumë shpejt e qartë se Putini kërkon kontinuitetin e marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Rusisë. Ndonëse miku i tij Schröder nuk është më kancelar, Putin e di fare mirë se Steinmeier ishte një ndër politikanët që kontriboi në forcimin e marëdhënies së mirë mes dy vendeve që nga fillimi:

"Marrëdhëniet mes vendeve tona janë shumë të përzemërta dhe ju zoti Steinmeier keni kontribuar në rritjen e nivelit të këtyre marrëdhënieve. Prandaj mendojmë se bashkëpunimi ynë do të rritet dhe forcohet edhe në të ardhmen."


Sigurisht që Moska e ka ndjerë se kancelarja e re do të ndryshojë disa aspekte në politikën gjermane me Rusinë. Por Putin nuk e përmendi këtë fakt gjatë vizitës së ministrit të jashtëm gjerman dhe tha:

"Analiza e marrëveshjes mes unionit CDU/CSU dhe partisë social demokrate SPD, na jep shkas ne rusëve të shpresojmë se politika gjermane kundrejt Rusisë do të zhvillohet në mënyrë pozitive."


Ndërkohë Valter Steinmeier, i cili ka vizitura gjatë ditëve të fundit shumë vende, u shpreh:

"Në fakt ju e interpetuat siç duhet marrëveshjen e koalicionit qeveritar në Gjermani. Partneriteti strategjik me Rusinë do të vazhdojë edhe në të ardhmen me prioritet të lartë."

Edhe mediat ruse e zbuluan faktin se ministri i ri i jashtëm gjerman është një mik i ngushtë i Gerhard Schröderit. Për Rusinë Gjermania luan një rol shumë të veçantë brenda BE-së, sepse falë përpjekjeve gjermane janë mundur të evitohen deri tani kritikat ndaj Rusisë, të cilat janë shfaqur ndërkohë hapur nga shtetet balltike apo nga Polonia.


"Republika Federale Gjermane ka qënë gjithmonë një partnere shumë e rëndësishme për ne, si përsa i përket marrëdhënieve bilaterale, ashtu edhe brenda BE-së. Ky vend ka luajtur një rol të veçantë edhe tek kordinimi i pozitës sonë gjatë problemeve ndërkombëtare."

Një ndër këto probleme është shitja e raketave ruse në Iran. Temë kjo, të cilën Steinmeier nuk e përmendi fare. Pas takimit me presidentin Putin, ministri i jashtëm gjerman u prit nga homologu i tij rus Sergej Lavrov.