Ministria e Energjetikës mbi vërshimet në Shqipëri: Situata drejt normalizimit të mëtejshëm
10 Janar 2010Situta në kaskadën e hidrocentraleve mbi lumin Drin është normalizuar gjatë ditës së dielë. Ministria e Energjitekës e bëri të ditur këtë sot në orët e para të pasdites. Janë mbyllur portat e shkarkimit nga rezervuari i Hidrocentralit të Firzës, pasi u barazuan prurjet e ujit me shkarkimin e tij nga turbinat për prodhimin e energjisë elektrike. Niveli i ujit në këtë rezervuar është 291,6 metra, kur niveli kritik është 296 metra. Në dy hidrocenteralet e tjera, në atë të Komanit dhe të Vaut të Dejës portat e shkarkimit vazhdojnë të jenë të hapura, por prurjet e ujit janë në ulje. Përmirësimin e situatës në rezervuarët e hidrocentraleve mbi lumin Drin e bëri të ditur edhe Presidenti i Republikës Bamir Topi në një deklaratë për mediat. "Situta është në përmirësim të vazhdueshëm dhe kjo do të ndikojë ndjeshëm që edhe zonat e përmbytura të dalin gradualisht nga emergjenca dhe kjo ka sjellë një frymë optimizmi.", tha Presidenti Bamir Topi.
Por vendin e rrezikut të përmbytjeve të reja nga shkarkimi i ujrave të hidrocentralit të Fierzës e ka zënë të dielën rreziku i përmbytjeve nga dalja e lumit Buna jashtë shtratit. Burime nga Drejtoria e Emergjencave Civile thanë për DW-në se fryrja e Bunës rrezikon lagjet periferike të Shkodrës. Shërbimi metereologjik parashikon zëvendësimin e shpejtë të reshjeve të shiut me ato të dëborës në zonat veriore, gjë që do të ndikojë në frenimin e përmbytjeve nga fryrja e lumenjve.
Autor: Ani Ruci
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora