1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Faeser: "Reichsbürger" nuk janë vetëm të krisur

12 Dhjetor 2022

Autoritetet gjermane po përpiqen të gjejnë mjetet më të përshtatshme për të parandaluar aktivitetet antikushtetuese të shtetasve të Rajhut dhe të qarqeve ekstremiste. Kërkohet edhe ashpërsimi i ligjeve dhe rregullave.

Deutsche Islamkonferenz Nancy Faeser
Fotografi: Wolfgang Kumm/dpa/picture alliance

Pas bastisjes në shkallë të gjerë kundër personave të përfshirë në një komplot nga e ashtuquajtura skena e "Reichsbürger-it" (shtetasve të Rajhut), vëmendja është përqendruar tani tek tendencat ekstremiste brenda autoriteteve të sigurisë dhe në Bundeswehr. Ministrja Federale e Brendshme, Nancy Faeser mendon se shpesh duhet shumë kohë për të shkarkuar ekstremistët nga shërbimi civil. Politikanja e SPD-së kërkon të hartojë një ligj para fundit të këtij viti, në mënyrë që të mund të largojë më shpejt nga shërbimi nëpunësit civilë antikushtetues. Faeser kishte paralajmëruar ndryshime në ligjin disiplinor pas bastisjeve.

Nancy FaeserFotografi: KENZO TRIBOUILLARD/AFP

"Ne nuk kemi të bëjmë me të krisur të parrezikshëm, por me të dyshuar për terrorizëm që tani janë në paraburgim", thotë ministrja e Brendshme për të përjavshmen "Bild am Sonntag". Numri i njerëzve që Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës llogarit se i përkasin grupit "Reichsbürger" është rritur dhe tani numëron 23.000. Krahasuar me një vit më parë, numri i tyre është rritur me 2000 vetë. Vitin e kaluar janë regjistruar 239 akte dhune nga shtetasit e Rajhut.

Armët e konfiskuaraFotografi: Harald Tittel/dpa/picture alliance

"Ashpërsimi i ligjit për armëmbajtje"

Siç tha ministrja, më shumë se 1000 shtetasve të Rajhut u është hequr tashmë leja e armës. Megjithatë, sipas Faeser, duhet të bëhet presion maksimal nga të gjitha autoritetet, kështu që qeveria së shpejti do të shtrëngojë edhe më shumë ligjet për mbajtjen e armëve.

Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann paralajmëron se kjo lëvizje po përpiqet të përfitojë mbështetje veçanërisht në sektorin e sigurisë. Politikani i CSU tha për Bayerischer Rundfunk se nuk ishte i befasuar që mes të arrestuarve kishte edhe ish-ushtarë dhe policë të Bundeswehr-it. "Ne kemi hequr tashmë nga shërbimi oficerët e policisë bavareze që u identifikuan si mbështetës të ideologjisë së shtetasve të Rajhut." Është gjithashtu e rëndësishme që "çdo autoritet, çdo gjykatë rrethi, çdo zyrë tatimore, çdo zyrë dhe çdo qytetar" të raportojë kur ka njohuri për aktivitetet e tyre, paralajmëroi Herrmann.

Arsenali i armëve të konfiskuaraFotografi: Roland Weihrauch/dpa/picture alliance

Ministri i Brendshëm i Saksonisë së Poshtme Boris Pistorius i tha Norddeutscher Rundfunk se mbështetësit e shtetasve të Rajhut po kërkonin kontakte me njerëzit që punonin tek autoritetet ose në polici, për t'i manipuluar ata. Kjo duhet të komunikohet hapur brenda forcave të policisë.

"Nuk ka problem strukturor të ekstremizmit në Bundeswehr"

Përfaqësuesi i të Majtës në Bundestag, Jan Korte, e cilësoi shtrirjen e këtij rrjeti të zbuluar si një gjë e "tmerrshme". "Rreziku nga policët dhe ushtarët ekstremistë të djathtë të armatosur dhe të mirë-stërvitur si dhe planet e tyre për grusht shteti" kanë qenë një fenomen "i njohur për shumë vite".

Nga ana tjetër, shoqata e rezervistëve të Bundeswehr-it paralajmëron kundër akuzave të përgjithshme ndaj autoriteteve të sigurisë dhe forcave të armatosura. "Nuk ka asnjë problem strukturor të ekstremizmit midis rezervistëve apo ushtarëve aktivë në Bundeswehr," tha kreu i shoqatës Patrick Sensburg për "Rheinische Post". Një dyshim i përgjithshëm është krejtësisht i papërshtatshëm. Megjithatë, një "goditje shumë më e fuqishme" është e mirë sikur edhe "më shumë masa ndërgjegjësuese" në njësitë e armatosura rëndë të Bundeswehr-it, policisë dhe autoriteteve të tjera të sigurisë.

Koncepti i sigurisë në Bundestag

Kontrollet, bastisjet dhe arrestimetFotografi: Uli Deck/dpa/picture alliance

Rasti i politikanes së AfD, Birgit Malsack-Winkemann, e cila u arrestua gjatë bastisjeve të Reichsbürger, tërheq vëmendjen për mbrojtjen më të mirë të parlamentit. Malsack-Winkemann kishte një kartë për hyrje në Bundestag, pavarësisht se nuk ishte më deputete. Sipas nënkryetarit të grupit parlamentar të SPD-së, Dirk Wiese, koncepti i sigurisë së Bundestagut duhet të rishikohet. "Kjo përfshin autorizimet e aksesit për punonjësit si dhe për ish-deputetët," tha Wiese për "Bild am Sonntag". Sipas informacioneve të gazetës, për këtë do të diskutohet në Parlament.

 

 

bc/rb/ww (AFP, dpa, Reuters)