1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Ministrja Gërvalla kritikon BE duke nxitur reagime

Bekim Shehu
10 Korrik 2023

Deklarata e Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, se “Bashkimi Evropian pa SHBA-në dhe NATO-n është tigër prej letre”, nxiti reagime në Kosovë dhe jashtë saj.

Konferenz zum Westlichen Balkan | Donika Gervalla-Schwarz Außenministerin von Kosovo
Fotografi: Christoph Soeder/dpa/picture alliance

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e përsëriti të hënën (10.07.2023) një deklaratë të saj të një dite më parë, se "Bashkimi Evropian pa SHBA-në dhe NATO-n është tigër prej letre”, duke shtuar se "ky institucion nuk është në gjendje dhe s'ka kapacitet për të garantuar sigurinë”.

"Një pyetje kyçe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është: A është BE-ja ajo që mund të garantojë sigurinë dhe paqen në Evropë? Unë mendoj që ajo nuk është në gjendje dhe nuk ka kapacitet për ta garantuar sigurinë. Arsyet janë të qarta: mungon vullneti politik, mospajtimet brenda Bashkimit Evropian janë të mëdha dhe sa i përket sigurisë, pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një tigër prej letre. BE-ja e di këtë dhe prandaj vazhdimisht lëshon pe, i ikën konfrontimit".

Këtë deklaratë, ministrja Gërvalla, e kishte bërë edhe të shtunën (08.07.2023) në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, deklaratë kjo që nxiti reagimet e të dërguarve amerikanë dhe evropianë për dialogun Kosovë-Serbi si dhe të opozitës në Kosovë. Pas reagimeve të shumta, shefja e diplomacisë kosovare, ripublikoi deklaratën e saj në facebook, duke shtuar:  

"I sfidoj publikisht "specialistët", që para se të mësyjnë me sulme personale dhe etiketime nga më absurdet, të na tregojnë saktë se cila nga shkronjat e citatit të mësipërm është e pasaktë apo e pavërtetë”, shkroi ministrja Gërvalla. 

Deklarata e shefes së diplomacisë kosovare, nxiti reagimin e të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, i cili tha se ai mendon që "gjithçka pozitive që ka ndodhur në Ballkan, ka qenë kombinim i bashkëpunimit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara”. Sipas diplomatit amerikan, "rajoni i Ballkanit Perëndimor është ndarë në dy shtigje; njëri me shtetet në NATO që janë shumë më të qëndrueshme, kontribuuese në qendrueshmërinë rajonale dhe të vendosura në rrugën drejt integrimit evropian dhe tjetri i atyre që po konsumojnë vëmendjen dhe burimet e të tjerëve në rajon teksa ngecin me sfidat e tyre”. Sipas Escobar, "dallimet thelbësore janë se shtetet të cilat janë pjesë e NATO-s dhe që kanë përjetuar zhvillimet më të mëdha, janë ato që kanë tejkaluar sfidat e rivaliteteve etnike. Ato që vazhdojnë të kenë udhëheqje që besojnë se popullizmi, nacionalizmi e rivalitetet etnike janë rrugët përpara, janë ata që po përballen më shumë sfida”, tha Escobar.

Reagim pati edhe nga i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili tha se "BE-ja nuk është e përkryer, por është ëndërr e shteteve që trokasin në dyert e saj”.

"Bashkimi Evropian është larg të qenit i përkryer, por është më i miri që kemi. Është bashkimi më i suksesshëm i shteteve. Nuk ka një bashkim tjetër në këtë planet, që ka ofruar qendrueshmëri politike e ekonomike më të mirë. Mendoj se anëtarësimi në BE është një ëndërr e shteteve që janë duke trokitur në derën e bllokut”, tha Lajçak.

Bashkimi Evropian tash e një javë ka vënë në jetë disa masa ndëshkuese ndaj qeverisë së Kosovës pasi kjo e fundit, sipas BE-së, nuk po ndërmerr hapa të rekomanduar nga BE-ja për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti këto masa i ka quajtur të padrejta, ndonëse ka thënë "se nuk i ka mbetur hatri nga BE”, pasi sipas tij, Kosova është shtet proevropian me synime të qarta.  

BE-ja përmes një plani tri pikësh parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve shqiptar të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme me pjesëmarrje pa kushte të serbëve të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Kurti është shprehur në favor të mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri dhe uljes së pranisë së njësive special të policisë, por vetëm krahas vendosjes së sundimit të ligjit.

Deklarata e Ministres së Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, se "Bashkimi Evropian pa SHBA-në dhe NATO-n është tigër prej letre” dhe se "ky institucion nuk është në gjendje dhe s'ka kapacitet për të garantuar siguri”, nxiti reagime të ashpra edhe të partive politike opozitare në Kosovë.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Vlora Çitaku, shkroi: "Sa për referencë, ‘tigër prej letre' e ka quajtur Mao Ce Dun SHBA-në”, tha Çitaku në facebook.

"Të mjerë dhe të rrezikshme” e ka cilësuar gjendjen diplomatike të Kosovës, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike, Sibel Halimi. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, Muharrem Nitaj shkro, se "më e pakta që do të duhej, është një deklaratë e Presidentes dhe Kryeministrit ku do sqaronin se ajo që ka thënë Ministrja e Jashtme, nuk është qëndrim zyrtar i Republikës së Kosovës”.

Edhe pas kritikave të ndërmjetësuesve ndërkombëtar dhe opozitës, Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, e përsëriti  deklaratën e saj, duke thënë se ajo mbron interesat e Kosovës, e të asnjë organizate tjetër.

"Unë jam zëvendëskryeministre dhe ministre e Republikës së Kosovës, nuk jam zëdhënëse as e BE-së dhe as e një mekanizmi tjetër. Si çdo politikan i përgjegjshëm, me fanatizëm dhe zë të lartë mbroj të vërtetën dhe interesin e vendit tim, dhe vetëm të vendit tim, kudo që më krijohet mundësia të flas, ashtu si edhe të tjerët mbrojnë interesin e vendeve apo organizatave që përfaqësojnë”, shkroi Gërvalla. Ndërsa, pas kritikave të partive opozitare, shefja e diplomacisë kosovare tha:

"Një prej fatkeqësive të Kosovës është gjendja e mjerueshme e partive opozitare dhe përfaqësuesve të tyre. Si gjatë qeverisjes edhe tani në opozitë janë pa plan, pa strategji, pa vizion, pa dinjitet. Opozitë që përveç sulmeve personale, të bazuara në thashetheme dhe tituj bombastik dhe të pasaktë, asgjë nuk ofron”, shkroi në profilin e saj social, ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.