1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministrja greke e Ekonomisë në Berlin

24 Mars 2012

Ministrja greke e Ekonomisë Diamantopulu kërkon në Berlin besim ndaj vendit të saj. Por dyshimet gjermane ndaj politikës së qeverisë së ardhshme dhe rimëkëmbjes së ekonomisë greke vazhdojnë.

Anna Diamantopoulou dhe Joachim Fuchtel
Anna Diamantopoulou dhe Joachim FuchtelFotografi: DW

Zgjedhjet në Greqi zhvillohen pas plot gjashtë javësh, por hijet e tyre bien edhe në zhvillimet aktuale. Ministrja socialiste e Ekonomisë Anna Diamantopulu, për këtë arsye nuk mori takim as tek ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble dhe as tek ai i Ekonomisë, Philipp Rösler. Kështu ministres greke iu desh të kënaqej me takimet në komisionin për Evropën të Bundestagut, në Shoqatën Federale të Industrisë gjermane (BDI) dhe fondacionin Friedrich-Ebert.

Në fondacionin Friedrich-Ebert - ministrja greke kërkon besim në reformat grekeFotografi: DW

Në të gjitha takimet ministrja theksoi se i kupton dyshimet ndaj Greqisë por duhen vlerësuar edhe përpjekjet për reforma gjatë dy viteve të fundit. Veç kësaj reformat strukturore kërkojnë të paktën pesë vjet që të japin rezultat. Ajo premtoi se Greqia do të jetë një vend i ndryshëm, me një administratë më efektive dhe transparente dhe me shumë më pak korrupsion.

Vazhdimësia politike në pikëpyetje

Markus Kerber, drejtuesi i BDIFotografi: DW

Markus Kerber drejtuesi i BDI-së, prej kohësh angazhohet në emër të shoqatës së tij për përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike mes Gjermanisë dhe Greqisë. Kusht paraprak për një angazhim në Greqi është megjithatë besimi i investuesve të huaj në aftësinë e vendit për reforma, theksoi Kerber. Këtu bëjnë pjesë eliminimi i pengesave burokratike, luftimi i korrupsionit dhe një drejtësi më efikase. Tani është e nevojshme që Greqia të vazhdojë edhe në të ardhmen politikën e kryeministrit aktual. Investuesit e huaj pyesin "nëse mund t'i besojnë qeverisë që do të dalë nga zgjedhjet ashtu si asaj të kryeministrit Papadhimos".

Lutja e ministres greke të Ekonomisë për ndihma të mëtejshme nuk ndeshi në vesh të shurdhër në Berlin. Pas rritjes së taksave, shkurtimeve të pagave dhe pensioneve, ekonomia greke ka nevojë urgjente për mbështetje, për të marrë kurs rritjeje.

Nevojën e një programi rritjeje ekonomike në nivelin e BE-së duket se e sheh edhe kancelarja gjermane Angela Merkel. Pas një takimi në kancelari me kryetarë të sindikatave evropiane, shefi i Federatës së Sindikatave gejrmane (DGB) Michael Sommer, u shpreh se "kancelarja do të bëjë gjithçka për të iniciuar dhe intensifikuar një program rindërtimi evropian me mjete nga fondi strukturor evropian."

Shefi i Federatës së Sindikatave gejrmane (DGB), Michael SommerFotografi: DW

Ndihma konkrete për Greqinë

Deputetja e gjelbër Viola von CramonFotografi: S. Kaminski/Bündnis 90/Die Grünen Bundestagsfraktion

Deputetja e gjelbër Viola von Cramon, në takimin me ministren greke propozoi zgjerimin e fushatës së sipërmarrjeve të mëdha gjermane të turizmit për promovimin e turizmit grek. Vetëm kështu mund të bëhet diçka kundër kërcënimit të rënies së fortë të prenotimeve nga pushuesit gjermanë. Duhet të krijohet "një atmosferë pozitive për Greqinë", në mënyrë që atje të angazhohen më shumë sipërmarrës gjermanë. Përballë faktit që gjysma e grekëve nën 25 vjeç janë të papunë, Viola von Cramon propozoi gjithashtu që të rinjtë grekë të kualifikohen në sipërmarrje artizanale gjermane.

Autor: Panagiotis Kouparanis / Eliana Xhani

Redaktoi: Bahri Cani